Djersitja te fëmijët

Nga Dr.Ismail Lutolli 

Specialist Pediatër 

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

Djalit tim ia ndërroj rrobat e brendshme disa herë gjatë  natës, a është normale?

Si ta vendosi për të fjetur, vajza ime bëhet qull nga djersët, çfarë të bëjë?

Kurrë si ndalen djersët, nga se vuan fëmija im?

Djersitja tek fëmijët, në krahasim me të rriturit nuk është një proces që prindërit e vejnë re menjëherë. Kjo për arsyen e thjeshtë, se djersa e fëmijëve nuk mban aromë dhe se prindërit në fillim preokupohen më shumë gjëra dhe nuk e kanë vëmendjen te djersa e fëmijëve të tyre.
Djersitja te bebet ose fëmijët, zbulohet nga prindërit atëherë kur do të kenë nevojë të ndërrojnë nën këmishën apo veshjet e brendshme të foshnjës gjatë natës. Në ca raste, kjo mund të ndodhë edhe disa herë gjatë 24 orëve.

Arsyet e djersitjes

Në rastin më të mirë, kjo djersitje mund të jetë tërësisht fiziologjike, por sidoqoftë ka edhe shumë probleme shëndetësore që mund të sjellin djersitjen e tepruar te fëmijët.

Prindërit që kanë një problem të tillë, do të duhej në konsultim me pediatrin të gjurmojnë arsyen e mundshme.

Arsyet më të shpeshta të djersitjes

Për fat në shumicën e rasteve, djersitja është më shumë si pasojë e faktorëve të jashtëm sesa si pasojë e ndonjë gjendjeje shëndetësore që kërkon trajtim te veçantë.

  1. Faktorët e jashtëm që nuk kanë lidhje direkte me ndonjë problem shëndetësore:
  2. Veshmbathja e fëmijëve

Shumë prindër që nga lindja e bebit e kanë një frike konstante: “djali apo vajza ime do të ftohet”, “vishe me trash se e ka ftohtë”.

Një kontribut të shquar në këtë drejtim, e merr edhe nga rrethi familjar, të cilët janë shumë të kujdesshëm që fëmija mos të ftohet dhe shpeshherë e tërë kjo ndikon që veshja e foshnjës të jetë më e trashë sesa duhet dhe vije deri te djersitja e theksuar.

Pra, hapi i parë është të vërtetoni se fëmija juaj a është veshur më trashë sesa duhet.

  1. Temperatura në ambientet ku qëndron fëmija

Mos harroni se temperatura optimale për fëmijët është 19 deri 20 C. Çdo ngritje më e theksuar e temperaturës, do të ndikojë në djersitjen e theksuar.

  1. Veshja e fëmijëve

Duhet patjetër që foshnjat dhe fëmijët të vishen me rroba me përmbajtje pambuku, nëse rrobat do jenë material sintetik ose të ngjashme, atëherë do të ndikojë dukshëm në djersitje.

  1. Aspekti emocional

Fëmijët në disa raste duke qajtur kur nuk u plotësohen kërkesat edhe mund të djersiten. Nëse kjo djersitje nuk është e shoqëruar me mavijosje të buzëve apo shenja tjera, nuk paraqet problem. Është reaksion fiziologjik i organizmit.

Nëse e qajtura shoqërohet me djersitje por edhe me mavijosje te buzeve apo eventualisht edhe rrëzim përtokë, atëherë duhet patjetër për egzaminime shtesë pasi mund të kemi edhe problem me sëmundjet kardiake apo tjera.

  1. Problemet shëndetësore që mund të sjellin djersitjen e tepruar janë:
  2. Problemet kardiovaskulare (me zemrën dhe enët e gjakut)

Në këto raste këta fëmijë kanë djersitje shumë të shprehur dhe ajo theksohet me shumë natën, ose në orët e para të mëngjesit. Prindërit këtë më shumë e vërejnë me rrobat e brendshme të foshnjës, të cilat janë tërësisht të lagura. Gjithashtu e vërejnë edhe në jastëkun e bërë qull nga djersët.

  1. Mungesa e vitaminës D ( rahitis ) Mungesa e Vit D mund të shprehet me djersitje të shtuar te moshat pediatrike. Në disa raste, pikërsht djersitja e shtuar është edhe shendja e parë e mungeses së vit D dhe fillimit të sëmundjes së Rahitis.
  2. Çrregullimet endokrine -Hipertireoza
    Nëse fëmija juaj ka probleme me gjendrën tiroide, atëherë do te kemi djersitje të shtuar. Kjo djersitje do të jetë edhe kur fëmija është në gjumë apo kur është në qetësi të plotë dhe në ambiente të ftohta përreth, që spjegon karakterin jo fiziologjik dhe ka vend për egzaminim të detajuar.
  3. Përdorimi i barnave nga ana e nënës gjidhënëse

Në disa raste kemi djersitje te foshnjat në procesin e gjidhënies e që ka lidhje me barnat që nëna ka përdorur gjatë shtatzanisë apo është duke i përdorur ende.

  1. Infeksionet e ndryshme bakteriale e virusale që përcillen me rritje të temperaturës.

Në këto raste kemi djersitje të tepërt dhe që zgjatë edhe disa ditë pas kalimit të infeksionit. Pra, është një proces i pritshëm por që kalon disa ditë pas mjekimit.

  1. Anemi e theksuar (mungesa e Fe) apo edhe problem tjera hematologjike.
  2. Hiperhidroza gjenetike (e trashëguar)

Te këto foshnje kemi djersitje nga ditët e para të lindjes por edhe me vonë gjatë jetës pa ndonje shkak te theksuar. Edhe kur ti bejne te gjitha analizat emundhsme nuk do gjindet shkaku i veçante. Kemi të bëjmë me nje gjendje gjenetike, në të cilën kemi prodhim te shtuar te djersës nga gjëndrat e djersitjes.

Si ta ndihmojmë foshnjën, fëmijën

Të fillojmë nga faktorët e përmendur më sipër.

  1. Ndërrojeni menjëherë të brendshmet e foshnjës, posa të kuptoni se ka djersitje të plotë. Do e ndihmoni të mos vije deri tek ftohja dhe eventualisht edhe ndryshimet në lëkurë nga djersitja e theksuar.

2.Rregullojeni temperaturën e ambientit rrethues të foshnjës në kushte të volitshme 18- 20C.

3.Rrobat e foshnjës të jenë nga materialet natyrale, pambuk dhe të vishet konform stinës, e jo duke i veshur më shumë sesa është e nevojshme.

  1. Nëse i keni bërë të gjitha dhe djersitja vazhdon në mënyrë të theksuar, atëherë e është koha për të realizuar së paku këto analiza:

Pasqyrën e gjakut, hormonet e gjëndrës tiroide, glukozën në gjak dhe nivelin e vitaminës D.

Pasi ti keni mbaruar, është koha të drejtoheni për ndihmë te pediatri juaj./FamiljadheShëndeti

 

Shpërndaje
  • 154
  •  
  •  
    154
    Shares