Nga Dr Anita Syla Lokaj, Specialiste e Oftalmologjisë

Në raportimet e fundit sa i përket konjunktivitit tek pacientët me COVID-19, Akademia Amerikane e Oftalmologjisë (AAO) ka nxjerr disa informacione lidhur me mundësinë e kufizimit të transmetimit të këtij infeksioni shumë kontagjioz siç është coronavirus 2 (SARS-CoV-2).

Dy studime janë raportuar që ky virus mund të shkakton edhe konjunktivit.
Në njërin nga këto studime , konjunktiviti është raportuar në 1 nga 30 pacientet e hospitalizuar për COVID-19 në Kinë. Ky pacient ishte i vetmi ku është gjetur virusi SARS-CoV-2 në sekrecionet e tij okulare. Hulumtuesit keto gjetje i kanë publikuar online me 26 Shkurt në Journal of Medical Virology.

Megjithatë ky studim tregon se përqindja e konjunktivit tek pacientët me COVID-19 ishte 1% deri 3%.

Po ashtu studimi keshillon mjekët gjatë skriningut të pacientëve për shenja dhe simptoma të infeksionit të traktit të poshtëm respirator, duhet të shikojnë edhe për shenja të konjunktivit“ kryesisht për konjunktivit folikular që zakonisht i shoqëron infeksionet virale”.

Këshilla mjekësore

Studimi i lartepërmendur këshillon mjekët të përdorin tonometra që mund të ndërrohen dhe dezinfektohen gjatë matjes së tensionit intraokular sepse prezenca e virusit është gjetur tek lotët e këtyre pacientëve që kishin konjunktivit.

Studimi sugjeron se simptomet e konjunktivitit tek pacientët me COVID-19, trajtohen me terapi simptomatike duke përfshire lotët artificial.

Studimi këshillon të gjithë mjekët të përdorin masa mbrojtese siç janë: maska, dorëza, syze mbrojtëse si dhe uniformë të posaçme për tu mbrojtur nga aerosolet që vijnë nga kollitja ose tështitja përmes të cilave mund të infektohen membranat mukoze siç janë goja, hunda dhe sytë.

Meqenese virusi është prezent tek lotët e pacientëve të infektuar me COVID-19 dhe përhapet pëmes kontaktit me lot, mjekët duhet të këshillojnë pacientët, t’i pastrojnë duart para prekjes së syve. Virusi SARS-CoV-2 është i ndieshem ndaj dezinfektueseve që oftalmologët i përdorin për pastrim të pajisjeve oftalmologjike dhe ambienteve ku punojnë, AAO rekomandon që në mënyrë rutinore të bëhet dezinfektimi para dhe pas kontrollës së secilit pacient.

AAO. Alert: Important Coronavirus Updates for Ophthalmologists. Published online March 6, 2020.