Nga Samire Ademi Lutolli, specialiste Gjinekologe – Obstetre

A mund të dalim jashtë për të shëtitur dhe vrapuar? Po qenin?

A sëmuren të rinjtë nga Coronvirusi? A do të ulen rastet e infektuara me Coronavirus me rritjen e temperaturave?

Edhe ne jemi duke u përballur me një nga sfidat më të mëdha ashtu si e gjithë bota, luftën ndaj Coronavirusit. Në këtë situatë, vetëdija dhe kujdesi e ndihma e juaj është e domosdoshme. Rekomandimet nga Ministria e  Shëndetësisë dhe Instituti kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës është që të qëndroni në shtëpi, që të reduktoni daljet veç në raste emergjente dhe në rast të daljes nga shtëpia të mbani distancë nga tjetri.

Nga sot, Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve ka marr vendim që të gjitha parqet nëpër të gjitha komunat e Republikës së Kosovës do të mbyllen nga ora 08:00 deri në ora 20:00, duke mos lejuar asnjë qytetarë që t’i frekuentojnë.

Në vendet përreth si në Shqipëri, Serbi, Maqedoni etj. masat parandaluese nuk janë njësoj restriktive dhe rigoroze. Në Bosne dhe Hercegovinë ku edhe vetë jetoj është futur urdhëri i ndalesës për të dalë jashtë shtëpisë për moshat nën 18 dhe mbi 65 vjeç. Në Serbi është futur madje edhe ora policore për të gjithë qytetarët nga ora 20 h deri në 05 h, përderisa për personat mbi 65 vjeç dalja nga shtëpia është plotësisht e ndaluar gjatë 24 orëve.

Përderisa urdhërat në vendin tonë ende nuk janë aq të ashpra në këto rrethana, shtrohet pyetja:

A guxojmë të dalim në shëtitje dhe të vrapojmë në ambient të hapur?

Personi i vetëizoluar mund të përjetojë izolimin si një atak në liri dhe në lëvizje. Përpos kësaj ai është nën presionin e frikës si një reaksion normal në një situatë të tillë që askush nuk e di se kur dhe si do të mbarojë. Por më e dëmshme do të ishte sikur të mos kishim frikë sepse në ato raste do të tregoheshim komodë e të guximshëm, të papërgjegjshëm dhe të mos respektonim masat e diciplinës dhe kujdesit për veten dhe të tjerët. Vetëdiciplina dhe vetëizolimi është një masë e domosdoshme që shërben për t’i ruajtur vetes dhe të tjerëve jetën.

Aktiviteti fizik në ambient të hapur është i dëshirueshëm, sepse ruan përpos shëndetin fizik ashtu edhe atë mendor, sidomos në këtë situatë të pazakonshme.

Përderisa gjendja jonë emocionale dhe mendore na e lejon, aktivitetin fizik duhet ta bëjmë brenda shtëpisë ose nëse kemi pronë private në oborrin e shtëpisë.

Por, në qoftë se me të vërtetë e ndjejmë të domosdoshme daljen nga shtëpia, shëtitja ose vrapimi në ambient të hapur ndihmon që të kthjellojmë mendimet gjë me shumë rëndësi në këto rrethana të vështira me të cilat po ballafaqohemi, atëherë brenda këtij “fleksibiliteti” të daljes së qytetarëve kosovarë është me rëndësi që t’i përmbaheni udhëzimeve të mjekëve dhe institucioneve përgjegjëse që të ruani hapësirën tuaj personale, duke iu shmangur vendeve me njerëz dhe të qëndroni në distance larg njerëzve prej dy metra dhe të respektoni në mënyrë strikte masat e duhura të mbrojtjes dhe ato higjienike.

Duhet të përpiqemi të eliminojmë kontaktet ballë për ballë me personat e tjerë, kështuqë në të gjitha rastet duhet të kemi këtë parasysh. Propozoj shetitje rrugëve ku nuk ka lëvizje të njerëzve, në vende ku ka pak njerëz, ku ekziston mundësia për të mbajtur distancën ndërmjet njëri tjetrit si dhe të shmangen ndalesat dhe bisedat me fqinjët.

Gjithashtu, para çdo daljeje të shikoni dhe vlerësoni gjendjen nga dritarja se në rrugë ka pak njerëz, në të kundërtën prisni dhe dilni më vonë. Njerëzit që duhet të dalin në barnatore apo për ushqim dhe shohin turmë para dyerve munden të kthehen në shtëpi dhe blerjen ta bëjnë më vonë, edhe pse që nga sot të gjitha marketet dhe dyqanet që janë të lejuara të punojnë, duhet të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër.

Përpjekja për të ruajtur hapësirën personale mund të duket qesharake. Në këtë situatë me shkollë dhe punë online, shëtitja rrugëve fillon të na përkujtojë jetën si në video lojëra. Por këto janë gjëra me të cilat thjesht duhet të mësohemi, në mënyrë që të mposhtim Coronavirusin.

Nevojën për të dalë nga katër muret dhe kthjellimin e mendjes e thonë edhe veprimtarët e shëndetit publik, të cilët janë të specializuar ngushtë në vlerësimin e rrezikut nga shumë aspekte.

Sidoqoftë, për shqiptarët qëndrimi në shtëpi nuk do të duhej të konsiderohej si një dënim në këto momente. Qëkur jetojmë në shoqëri ku në familje ka të papunësuar dhe që janë pjesë e përditshme e shtëpisë. Përpos asaj ende mbajmë kultin e familjes dhe të jetuarit bashkë me anëtarë të tjerë familjarë, andaj edhe qëndrimi me ditë brenda shtëpisë nuk është gjë e pazakontë siç është në Itali dhe Spanjë, aty ku Coronavirusi ka bërë gjëmin.

Por, në këtë rast më duket se të rinjtë tanë po nënvlerësojnë udhëzimet duke u treguar komod, duke u bazuar në të dhënat e deritanishme se Covid-19 deri më tani në përgjithësi po prek të sëmurët kronik dhe të moshuarit.

Megjithatë, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebres, u ka tërhequr vëmendjen të gjithë të rinjve: “Ju nuk jeni të paprekshëm”. Ai u ka bërë thirrje të rinjve që të marrin seriozisht rrezikun nga Covid-19.

“Ky coronavirus mund të ju shtrojë në spital për disa javë, ose edhe t’ju vras!”, theksoi ai.

Tedros theksoi se edhe pse të rinjtë mund të mos shfaqin simptome pas infektimit me virus, ‘zgjidhja që ju bëni rreth asaj se ku shkoni mund të bëjë dallimin në mes të jetës dhe vdekjes për dikë tjetër”.

Andaj ky ‘dikush tjetër’ mund të jetë prindi juaj dhe të afërmit tuaj të dashur.

Prandaj pranoni dhe ndiqni udhëzimet e Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve sepse këto po bëhen për të mirë tuaj, sepse vetëm kështu do t’i ndihmoni edhe institucionet e shtetit që bashkërisht t’ia dalim edhe kësaj sfide.

Ju ftojmë që të kontribuoni duke qëndruar në shtëpi, për të mos i humbur mundin, mjekut, infermierëve, policit, ushtarëve të FSK-së, doganiereve, ekipeve emergjente dhe të gjithë atyre që po japin kontribut për të tejkaluar këtë situatë.

Prandaj bëni durim dhe sakrificë! Kjo situatë është e përkohshme, QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

A do të ndikojë rritja e temperaturave të ajrit gjatë muajve të verës në përhapjen e Coronavirusit?

Temperaturat jo, por, indeksi i rrezeve ultravjollcë. Rrezet ultravjollcë e vdesin virusin, disa thonë që indeksi UV mbi tre kurse vetë temperaturat kanë efekt të vogël, por duket se në rastin e Australisë megjithatë numri i të infektuarve është më i vogël se në vendet tjera. Megjithatë, Australia është më pak dendur e banuar, dhe deri atje arrihet vetëm me aeroplan, dhe kontrolla e udhëtarëve që hyjnë është më e lehtë, dhe kështu edhe bartja e epidemisë është më e vështirë.

Po kafshët shtëpiake & COVID-19?

Duke pasur parasysh panikun që mbizotëron, ndihemi të obliguar të njoftojmë dhe vazhdojmë të përsërisim që macet, qentë dhe kafshët shtëpiake të tjera NUK MUND të infektohen nga virusi COVID-19, ose ta transmetojnë atë ndërmjet vete apo te njerëzit.

Ekzistojnë shumë lloje të viruseve të koronës që prekin kafshët, siç është Coronavirusi i qenit (CCV), si dhe Coronavirusi i maces (FcoV).

Ata transmetohen nga kafshë në kafshë, por në asnjë rast nuk mund të barten te njerëzit.

Në fakt, shumë mace bartin Coronavirusin (FcoV), dhe ky infeksion nuk iu paraqet atyre ndonjë problem shëndetësor.

Korona e maces bëhet e rrezikshme për macet vetëm në një numër të vogël rastesh, në një situatë kur virusi pëson mutacion – atëherë shfaqet FIP, ose peritoniti infektiv i i maces (enteritis), deri në kohët e fundit sëmundje e pashërueshme (por sot edhe ajo ndryshon).

Sidoqoftë ajo, Coronavirusi i maces nuk ka asnjë lidhje me virusin COVID -19 që tani është aktual te njerëzit.

Mund të nxirrni qenin tuaj jashtë gjithmonë duke respektuar urdhërat dhe udhëzimet parandaluese dhe ato të distancës sociale.

Jini përgjegjës ndaj njëri-tjetrit, lani duart tuaja, mos prekni gojën, hundën dhe sytë dhe duani kafshët tuaja shtëpiake!

Po citoj urdhërin e MSH dhe IKSHP të Kosovës:

QËNDRONI NË SHTËPI, KJO UA SHPËTON JETËN!

MBANI DISTANCË SOCIALE PËR 2 METRA!

NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!/Familjadheshendeti

Shpërndaje
  • 510
  •  
  •  
    510
    Shares