CILI ËSHTË RREGULLI ‘TRE MINUTAT’ DHE SI DO T’JU NDIHMOJË TA KTHENI PËRGJITHMONË BESIMIN E FËMIJËS SUAJ?

Nga Dr. Jeton Zenuni – Transfuzioni i gjakut

Sa kohë kaloni me fëmijën tuaj pas orarit të punës? Teknikisht, ju nevojiten rreth 30 minuta për t’i përgatitur atij/asaj darkën dhe poaq për të darkuar së bashku me të, gjysmë ore për banjë dhe për ta vënë në shtrat, 15 minuta për t’i lexuar librin dhe vetëm një moment për ta puthur atë për natë të mirë.

Megjithatë, sipas ekspertëve, midis të gjitha këtyre detyrimeve, ekzistojnë tre minutat më të rëndësishme të ditës. Psikologja Natalia Sirotich shpjegoi rregullin “tre minutat” dhe sipas saj, nëse e respektoni këtë rregull, do të fitoni besimin e fëmijës suaj edhe kur ai/ajo të jetë një adoleshent/e.

CILI ËSHTË RREGULLI ‘TRE MINUTAT’?

Rregulli thotë se çdo herë që të hyni në shtëpi ju duhet ta përshëndetni fëmijën tuaj sikur po e takoni atë për herë të parë (madje edhe kur të ktheheni nga dyqani ku keni qenë për dhjetë minuta). Ndërsa po e përshëndetni fëmijën tuaj, është e rëndësishme që të përkuleni, në mënyrë që sytë tuaj të jenë në nivelin e fëmijës, dhe ta përqafoni atë. Në përqafim, kaloni tri minuta dhe pyeteni atë nëse, dhe çfarë ka ndodhur gjatë kohës sa nuk ishit aty.

Ky rregull është veçanërisht i rëndësishëm kur ta merrni fëmijën nga kopshti ose shkolla ose kur ktheheni në shtëpi nga puna.

PËRSE ËSHTË I RËNDËSISHËM KY RREGULL?

Sipas psikologes, gjatë minutave të para pasi jeni takuar, fëmija do t’ju tregojë të gjithë informacionet që i ka mbajtur në mend.

Pasojat e shpërfilljes së rregullit ‘tre minuta’ mund të ndryshojnë në varësi të karakterit të fëmijës. Dikush që nuk ka mundësi t’i tregojë prindërve gjithçka që ai dëshiron, nuk do të flasë për gjëra të rëndësishme as më vonë, dhe me kalimin e kohës, disa fakte do të duken krejtësisht të parëndësishme për të për t’i diskutuar. Në këtë rast, prindërit mund të mbeten të privuar nga informacione të rëndësishme.

Nga ana tjetër, ka fëmijë të cilët do të flasin dhe kujtojnë fakte të reja gjatë gjithë darkës. Megjithëse prindërit e një fëmije llafazan në fund e dijnë historinë e plotë, megjithatë ekziston rreziku që ata nuk do të dëgjojnë shumë gjëra, sepse narracioni i fëmijës, me kohë, do të bëhet për ta vetëm një zë në sfond ndërsa ata po bëjnë diçka tjetër.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që fëmijët të kenë kohën e tyre, tre minutat e tyre, të dedikuara vetëm për ta, koha kur ata janë të sigurtë se do të dëgjohen nga prindërit e tyre. /Familjadheshendeti.com