Çfarë mund të marrin pacientët në vend të barit RANITIDINE?

Nga: Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Meqënëse kohë më parë, gjegjësisht në muajin shtator 2019 FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave) ka gjetur në barin Ranitidine një substancë që mund të jetë shkaktare për kancer, erdhi te largimi i këtij bari në Amerikë e pastaj edhe në vendet tjera. Poashtu, edhe në vendin tonë është larguar ky bar nga barnatoret tona.

Janë disa shqetësime me të cilat na adresohen pacientët që kanë marrë këtë bar si terapi kronike për të ulur aciditetin në lukth (stomak) dhe në zorrë.

Shqetësimi i parë është se çfarë do të ndodhë me mua meqënëse me vite kam përdorur këtë bar.
Ndërsa shqetësimi tjetër është se me cilin bar tjetër mund ta zëvendësoj këtë bar.

Ranitidina i përket kategorisë së barnave të njohura si bllokues H2 (ose histamine-2).

Fillimisht, trajtimi me ranitidine rekomandohet vetëm për përdorim afatshkurtër. Nëse ky bar është përdorur për një kohë të gjatë, gjithsesi që duhet konsultë e afërt me mjekun që të shihet nga afër gjendja shëndetësore e pacientit, si dhe mundësia e vënies në pah të opsioneve alternative të këtij trajtimi, përfshirë klasat tjera të barnave, ose bllokuesit tjerë H2.
Bazuar në atë që dihet deri më tani, nuk ka asnjë provë që bllokuesit e tjerë H2 ose barna tjera që ulin aciditetin në stomak, të jenë të prekura nga papastërtitë e cilësuara si kancerogjene në bazë të FDA-së.

Çka mund të merrni në vend të këtij bari?

Shumica e pacientëve mund të gjejnë antacidë të dobishëm për lehtësimin e ulçerave të stomakut (urthit) siq janë:
Rupurut, Gastroguard, Gastren, Gastavit etj.

Ndryshimet e stilit të jetës, duke përfshirë shmangien e ushqimeve dhe pijeve të caktuara, të tilla si ushqime pikante, sasi të mëdha të ushqimeve, ushqime të yndyrshme dhe alkoolit, mund të qojnë në zvogëlimin e sasisë së aciditetit.

Poashtu, në vend të Ranitidine mund të marrin Famotidine 20 ose 40 mg. Është mjaft e lirë dhe mjaft efikase po aq sa Ranitidina. /Familjadheshendeti.com