Boronica e kuqe

Nga: Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Ndër produktet më të kërkuara dhe të përshkruara në barnatoret tona është boronica e kuqe e njohur edhe si brusnica.

Ndodhet në forma të ndryshme si: çaj, lëng, shurup, qeska, tabletë, kapsulë etj.

Mes popullit ndodhin mendime të gabuara rreth përfitimeve të saj, madje shumëherë duke lënë anash edhe terapitë përkatëse tek infeksionet e traktit urinar dhe duke përdorur vetëm produktet e kësaj bime. Por, mendime të tilla të qëllimshme apo të paqëllimshme ndodhin edhe nga ana e mjekëve, të cilët e kanë si terapi të parë për të mjekuar këto infeksione, tek të gjitha grupmoshat, tek shtatzënat dhe gjidhënëset, në të cilat ka rol parandalues dhe jo shërues. Këtu ka ndikuar edhe futja e shumë produkteve të boronicës së kuqe në vendin tonë dhe përshkrimi i tyre është në masë të madhe.

Më poshtë do të flasim më detajisht rreth veprimit të saj parandalues ndaj infeksioneve urinare, por jo shërues!

Produktet e boronicës së kuqe përdoren gjerësisht për të parandaluar infeksionet e traktit urinar (ITU) dhe konsiderohen përgjithësisht të sigurta.

Për shkak të shijes së tyre shumë të mprehtë dhe të thartë, boronicat rrallëherë hahen të papjekura.

Në fakt, ato konsumohen më shpesh si lëng, i cili normalisht është i ëmbëlsuar dhe mund të përzihet me lëngje të tjera frutash.

Përbërja e boronicës së kuqe

Boronica e kuqe e freskët përmban gati 90% ujë, por pjesa tjetër është kryesisht karbohidrate (sheqerna) dhe fibra.
Këto janë kryesisht sheqerna të thjeshta siç janë saharoza, glukoza dhe fruktoza.

Pjesa tjetër është e përbërë nga fibra e tretshme të tilla si pektina, celuloza dhe hemiceluloza, të cilat kalojnë në zorrë pothuajse të paprekshme. Boronica e kuqe gjithashtu përmban fibra të tretshme. Për këtë arsye, konsumimi i tepërt i boronicave të kuqe mund të shkaktojë diarre.
Nga ana tjetër, lëngu i boronicës nuk përmban asnjë fibër dhe zakonisht hollohet me lëngje të tjerë frutash.

Vitamina dhe mineralet në boronicë të kuqe

Ato gjithashtu janë të pasura edhe me vitamina dhe minerale, duke përfshirë mangan, bakër, dhe vitamina C, E, dhe K1.

Vitamina C është një nga antioksidantët mbizotërues në boronicë. Është thelbësore për mirëmbajtjen e lëkurës, muskujve dhe eshtrave.
Mangani është thelbësor për rritjen, metabolizmin dhe një antioksidant i fuqishëm në organizëm.
Vitamina E antioksidant i fuqishëm në organizëm.
Vitamina K1 është thelbësore për koagulimin e gjakut.
Bakri një element në gjurmë, marrja pamjaftueshme e të cilit mund të ketë efekte të dëmshme në shëndetin e zemrës.

Përbërës të tjerë bimorë

Boronicat e kuqe janë shumë të larta në komponimet bimore bioaktive dhe antioksidantët.
Shumë nga këto komponime bimore janë të përqendruara në lëkurë dhe janë shumë të reduktuara në lëng boronicë.

Boronicat e kuqe janë një burim i pasur i komponimeve të ndryshme bimore bioaktive. Disa nga këto, të tilla si proantocianidinet e tipit A, mund të ndihmojnë në parandalimin e infeksioneve të traktit urinar.

Parandalimi i infeksioneve të traktit urinar

UTI janë ndër infeksionet më të zakonshme bakteriale, veçanërisht në mesin e grave.
Ato shpesh shkaktohen nga bakterja e zorrëve Escherichia coli (E. coli), e cila bashkohet me sipërfaqen e brendshme të fshikëzës së urinës.

Boronicat e kuqe përmbajnë fitonutrientë unikë të njohura si proantocianidina të tipit A ose tanine të kondensuara. Ato parandalojnë ngjitjen e E. colit në traktin urinar, duke e bërë një masë parandaluese të mundshme ndaj infeksioneve urinare.

Boronicat e kuqe nuk janë efektive për trajtimin e infeksioneve. Ata vetëm zvogëlojnë rrezikun ndaj këtyre infeksioneve.

Përfitimet e tjera të mundshme

Nëse konsumohet rregullisht, boronicat ose lëngu i boronicës mund të zvogëlojnë rrezikun për kancer në stomak. Lëngu dhe ekstrakti, gjithashtu përmirësojnë disa faktorë rreziku për sëmundjet e zemrës, përfshirë nivelin e kolesterolit në gjak dhe presionin e gjakut.

Përdorimi i boronicës së kuqe te fëmijët

Prindërit shpeshherë mundohen t’i trajtojnë infeksionet e traktit urinar të fëmijëve me lëngun e boronicës së kuqe. Madje shumëherë na drejtohen në barnatore duke treguar tashmë simptoma të qarta te një infeksioni urinar tek fëmijët e tyre, pa pasur dëshirë t’i drejohen pediatrit ose urologut, mendim mjaft i gabuar dhe i rrezikshëm ndaj mos trajtimit të duhur të këtyre infeksioneve.

Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për të përcaktuar sigurinë dhe efektivitetin e përdorimit të produkteve të boronicës së kuqe, për të trajtuar fëmijët e shëndetshëm me infeksione të përsëritura të traktit urinar.

Tek fëmijët që vuajnë nga infeksione të përsëritura të traktit urinar, komplikimet afatgjata mund të përfshijnë presionin e lartë të gjakut ose probleme të veshkave.

Infeksionet e urinare prekin me miliona njerëz çdo vit. Ato trajtohen me antibiotikë të cilët luftojnë shkakun më të zakonshëm të infeksionit urinar, bakterien E.Coli.

Megjithatë, mjekët mund të sugjerojnë trajtime me boronicë të kuqe, të cilat prindërit mund të marrin vetë për të parandaluar infeksionet.

Shtatzënia dhe gjidhënia

Meqënëse gjatë shtatzënisë infeksionet e traktit urinar janë shumë të shprehura, tek ne ka përshkrim të lartë nga ana e mjekëve gjinekolog të këtyre produkteve dhe pyetja mjaft shqetësuese e grave shtatzëna është se a më bën dëm mua apo foshnjës që bart.

Duke pasur parasysh provat që mbështesin përdorimin e boronicës së kuqe për infeksione të traktit urinar dhe profilin e saj të sigurisë, marrja e boronicës si frut ose lëng frutash, si çaj, shurup apo edhe kapsulë, mund të jetë një zgjedhje e vlefshme terapeutike në trajtimin e infeksioneve urinare gjatë shtatzënisë. Poashtu, mund të mirret edhe gjatë gjidhënies.

Efektet anësore

Boronica e kuqe dhe produktet e saj janë zakonisht të sigurta për shumicën e njerëzve, nëse konsumohen në masë të caktuar.

Sidoqoftë, konsumimi i tepërt mund të shkaktojë të përziera në stomak dhe diarre, si dhe mund të rrisë rrezikun nga gurët në veshka te personat e predispozuar.

Ndërveprimet me barna

Janë të rralla rastet kur pacientët pyesin apo të paktën tregojnë nëse janë duke marrë barna tjera krahas një produkti bimor. Madje, edhe farmacistët shumëherë japin përgjigje azhure se është bimore dhe nuk të bën asgjë dëm qoftë me terapi tjetër apo të veçuar. Ky konstatim është total gabim, ngaqë ekzistojnë ndërveprime të ndjeshme madje shumë të rrezikshme mes produkteve bimore dhe barnave.

Warfarin bashkëvepron me boronicën e kuqe!

Warfarin përdoret për të ngadalësuar koagulimin e gjakut. Boronica e kuqe mund të rrisë veprimin dhe kohëzgjatjen e warfarinës në organizëm dhe të rrisë shanset për fryrje dhe gjakderdhje.
Patjetër të njoftoni mjekun tuaj nëse jeni duke marrur warfarinë, më e mira te këta persona është të shmangin marrjen e boronicës së kuqe.

Marrja e boronicës së kuqe me barnat që zbërthehen në mëlçi mund të qojë në fuqizim të efektit të këtyre barnave dhe shfaqjen e efekteve anësore të tyre.
Po përmend disa prej tyre dhe që kanë përdorim të gjerë tek ne madje të përditshëm:
Diklofenaku, Ibuprofeni, Celekoksibi, Amitriptilina, Diazepami, Fluvastatina, Glipizidi, Irbesartani, Losartani, Tamoksifeni, Torasemidi, Warfarina etj. /Familjadheshendeti.com