Puthja e fëmijëve në buzë: “puthje e vdekjes” apo “puthje e kënaqësisë”?
Çfarë rrezikojmë duke puthur fëmijët në buzë?
Sa e rrezikshme është kjo traditë?
Nëntë arsyet pse nuk duhet t’i puthni fëmijët në buzë!
A i puthni fëmijët tuaj në buzë?
Nga Dr. Ismail Lutolli
Specialist Pediatër
subspecialist Dietolog-Nutricionist
Me ardhjen në jetë të fëmijës, për prindërit nuk ka asnjë ndalesë në dashurinë ndaj tyre. Aq me pasion e përjetojnë këtë kënaqësi, sa që nuk zgjedhin mënyrë për të shfaqur dashurinë. Shpeshherë shohim skena duke i puthur fëmijët në tërë pjesët e trupit, duke përfshirë edhe fytyrën, duart e buzët e tyre.
Shumë nëna apo prindër këtë akt e bëjnë disa herë në ditë. Mund të jenë duke ngrënë apo edhe duke konsumuar duhan, por nën kënaqësinë që ndjejnë pranë fëmijët të tyre, ata nuk hezitojnë dhe përqafojnë fëmijët në buzë. Prindërit nuk hezitojnë të përqafojnë fëmijët në buzë edhe kur hyjnë në shtëpi nga jashtë. Pra, përqafimi ndodhë në hyrje të shtëpisë së banimit ende pa ndërruar rrobat nga jashtë apo pa pastruar duart e fytyrën nga pluhuri që mund të ketë qenë në ambientin e jashtëm.
A është puthja në buzë shenjë e dashurisë së madhe që keni për fëmijën tuaj?
Ka shumë nëna që ndalesën apo kundërshtimin e shohin shumë qesharak dhe pretendojnë se ne me fëmijët pimë nga një gotë, apo ushqehemi shpesh nga e njëjta lugë dhe përse duhet të jetë ndalesë puthja. Kjo nuk është asgjë më shumë sesa ato që bëjmë çdo ditë.
Ka nga ata zëra që thonë: Ne përqafojmë edhe shtazët shtëpiake në buzë e çfarë të keqe ka nëse këtë përqafim e bëjmë me fëmijët tanë. Nga shumë vëzhgime apo përvoja të prindërve që praktikojnë këtë zakon, nuk është parë që ka ndonjë masë më të theksuar të dashurisë ndaj fëmijëve të tyre sesa ndaj prindërve që nuk e bëjnë këtë akt.
Pra, puthja në buze nuk bëhet për shkak se këta prindër i duan fëmijët e tyre me shumë sesa të tjerët qe nuk e bëjnë këtë veprim. Kjo ka te bëjë thjeshtë me mentalitetin e tyre.
Vlen të ceket se 35 deri në 40 për qind e nënave besohet se i puthin fëmijët në buzë dhe kjo është shifër alarmante. Pjesa dërmuese e këtyre nënave nuk mendojnë fare që kjo puthje mund të sjellë edhe pasoja. Këtij zakoni i shtohet edhe zakoni tjetër që fëmijët që i shihni të fqinjit apo familjarë i marrin dhe me radhë i përqafojnë në faqe apo duar.
Çfarë thotë mjekësia për këtë dukuri?
Nëntë arsyet pse nuk duhet t’i puthni fëmijët në buzë?
- Përmes puthjes së fëmijëve nëse i rrituri ka herpes mund ti bartë atë që quhet “puthja e vdekjes”. Herpes simplex është një infeksion shumë i shpeshtë virusal. Kjo sëmundje paraqitet në formë të një grupi fluskash të vogla që dalin në buzë ose rreth gojës. Lëkura rreth këtyre fluskave zakonisht është e pezmatuar (e skuqur, e ënjtur dhe e dhimbshme).
Herpes mund të prekë të rritur dhe foshnja duke i rrezikuar atyre edhe jetën. Pra, është ajo puthje që mund t’i marrë jetën një fëmije nën 3 muajsh dhe i referohet puthjes së dhënë nga një person që ka një herpes në buzë (mund të quhet ndryshe edhe ethe në buzë apo lëkurë). Duhet te jemi të vetëdijshëm se vetëm një puthje e tille mund të jetë shkak për komplikime të një të posalinduri që mund të qojnë edhe në përfundimin e jetës se tij. Pra, rreziku është tejet i madh.
- Flora normale bakteriale për një fëmijë të vogël nuk është e njejtë me një të rrituri edhe nëse ata janë prindërit. Duke e puthur në buzë ekzistojnë tërë mundësite reale që ne të përcjellim bakteriet deri te goja e fëmijeve dhe në këtë mënyre të kemi infektuar me përmbajtjen tonë. Edhe Akademia Amerikane e Stomatologëve e mbështetë këtë teori.
- Një përqafim në buzë i fëmijëve mund të jetë shkak i bartjes edhe të rreth 500 mikrobeve dhe hapje e portës për sëmundje te fëmija juaj. Cytomegalovirus – një nga këto infeksione të transmetueshme me anë të puthjes. Mjaft i rrezikshëm për fëmijët e vegjël.
- Puthja e duarve të fëmijeve të vegjël gjithashtu është e rrezikshme pasi aty barten mikrobet dhe fëmijët i fusin duart në gojë shumë shpesh dhe në këtë mënyrë kemi përhapje të infeksionit tek fëmija.
- Nëse vazhdoni dhe puthni fëmijën tuaj në bu duke u rritur për të ky veprim do të jetë tërësisht normal. Pra, fëmiu do të ambientohet me këtë veprim. Në kohën kur do të shkojë në kopësht apo në shkollë, një veprim i tillë nëse do e praktikojë me fëmijët tjerë do të sjellë telashe të mëdha. Fëmija do të ndodhet përballë thyerjeve të medha në vet konceptin e puthjes si puthje që e kishte mësuar dikur.
- Nëse keni praktikuar një veprim të tillë për disa vite dhe një ditë do të ndaloni, kjo do të shkaktojë konfuzion dhe shumë pikëpyetje te fëmiu juaj. Kjo do të shkaktojë edhe konfuzion në vetë konceptin e puthjes si akt në mes të dy të rriturve apo edhe në rrethana tjera mes dy fëmijëve.
- Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që të shmanget çdo pështymë në afërsi të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël – duke përfshirë puthjen nga goja në gojë, për të evituar rrezikun e bartjes së infeksioneve të ndryshme.
- Përpos puthjes në buze kujdes…biberoni mund të bëhet burim infeksioni, nëse e përdorin edhe fëmijë të tjerë, si dhe kur na bie në tokë e nuk e pastrojmë. Mos e futni biberonin në gojën tuaj, pasi bakteret që mund të ndodhen në gojën tuaj mund të kalojnë te fëmija.
- Nga hulumtimet dhe studimet e bëra sugjerojnë që puthja e foshnjës – fëmijës në buzë mund të bartë një bakterie të mundshme dhe kjo mund të shpie në probleme dentare më vonë në jetë. Më saktësisht dëmtimin dhe shkatërrimin e dhëmbëve.
Pra, fëmijët e puthur në buzë nga prindërit kanë rrezik më të lartë të kenë dhëmbë të prishur në fazat e vonshme të jetës, sepse bakteret që e shkatërrojnë dhëmbin transmetohen përmes pështymës. “Dhëmbët e foshnjave kanë një lloj tjetër smalti dhe dentine në krahasim me dhëmbët e të rriturve”, shpjegon Dr. Richard Marques, dentist i famshëm në Londër për The Independent.
“Smalti është shumë më i hollë në dhëmbët e foshnjës. Nuk është aq i fortë sa smalti i të rriturve kështu që ka më shumë gjasa të prishet”.
Si përfundim pa dashur të paragjykojmë dashurinë që prindërit ndjejnë ndaj fëmijëve të tyre, pa dashur që të kufizojmë apo ndalojmë diç në shprehjen e asaj dashurie, pa dashur të marrim rrolin e këshilluesit në këto raporte, megjithatë i ftojmë prindërit të kenë shumë kujdes në këtë akt dhe të evitojnë puthjet në buzë për fëmijët e tyre. E tërë kjo për të ruajtur shëndetin e tyre dhe për të gëzuar gjatë dashurinë që keni ndaj tyre.
Një fëmijë i shëndoshë është lumturia e gëzimi i çdo familjeje, andaj të mundohemi që të mos e dëmtojmë këtë gëzim duke rrezikuar vetë ata pikërisht përmes puthjeve në buzë.
Ka një mijë mënyra si të shprehim dashurinë që kemi ndaj fëmijëve pa qenë nevoja të puthim ne buzë.
Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com