Përgatiti: Dr Jeton Zenuni

Edhe nëse jeni duke bërë më të mirën e mundshme në një situatë vetë-karantine për të mbajtur veten të sigurt, si e mbani koronavirusin e ri, SARS-CoV-2, nga hyrja brenda në shtëpinë tuaj?

Sigurisht se këto ditë gjithë ju jeni duke dalur vetëm sa për të bërë blerje të gjërave ushqimore të domosdoshme. Kur dilni, ju praktikoni një distancë të sigurt sociale, dhe lani duart shpesh dhe dezinfektoni sipërfaqet të cilat i prekeni më së shpeshti, si dorëzën e derës dhe banakët kur ktheheni në shtëpi.

Megjithatë, ka një ndjenjë të bezdisshme, e cila, paçka se ju po mbani higjenën si duhet, ju bën të ndiheni në siklet për gjërat që keni sjellë në shtëpi me vete. A janë ushqimet tuaja të sigurta? Qeset plastike? Po rrobat që keni veshur? Këpucët?

Ka një të vërtetë të pashmangshme kur dilni për të bërë pazar, e një prej tyre është fakti se kur dilni përjashta ju do të vishni këpucë dhe rrobat tuaja.

Ja çfarë dimë për transmetimin e koronavirusit përmes veshjeve tona.

Rrobat janë me rrezik të ulët

“Ka shumë gjëra që nuk dimë rreth këtij virusi, dhe po mësojmë më shumë rreth tij çdo ditë. Por kjo është të kuptuarit tonë të deritanishëm: Nëse keni dalur përjashtë të ecni në lagjen tuaj ose po bëni një vizitë të shpejtë në dyqanin ushqimor, nuk ka shumë të ngjarë që ju të merrni COVID-19 përmes rrobave ose këpucëve tuaja. Ne nuk besojmë se këpucët ose veshjet janë një burim i rëndësishëm transmetimi”, thotë Dr. Vincent Hsu, MPH, nga AdventHealth në Orlando.

Sipas Hsu, nuk ka pasur raste të dokumentuara të transmetimit të koronavirusit përmes veshjeve dhe këpucëve deri tani.

COVID-19, sëmundja e rrugëve të frymëmarrjes e ngjashme me gripin e shkaktuar nga koronavirusi i ri, përhapet nga spërklat nëpërmes rrugëve të frymëmarrjes. Kollitja dhe teshtitja nga një individ i infektuar në afërsi të një personi tjetër janë mënyra më e mundshme e transmetimit të drejtpërdrejtë.

Sidoqoftë, ne e dimë se koronavirusi është i aftë të mbijetojë jashtë trupit të njeriut në sipërfaqe të ndryshme, të cilat mund të rezultojnë në transmetim nëse preken.

Në varësi të llojit të sipërfaqes, ekspertët vlerësojnë se virusi mund të mbijetojë vetëm për disa orë deri në disa ditë.

Ndërsa metali dhe plastika mund të sigurojnë një strehë për virusin deri në 2 deri në 3 ditë, veshja nuk konsiderohet si një material i favorshëm për mbijetesën e tij.

“Studimet tona më të mira në këtë fushë janë me gripin dhe viruset e tjera të njohura më parë, por veshja në përgjithësi nuk konsiderohet të jetë inkubatori më i mirë i viruseve,” tha Dr. Kathleen Jordan, një specialist i sëmundjeve infektive dhe nënkryetar në CommonSpirit Health.

Lagështia luan një rol të rëndësishëm mjedisor nëse një virus mund të lulëzojë apo jo. Natyra e shumicës së materialeve të rrobave nuk është e favorshme për këtë.

“Veshja zakonisht është më tepër një rrjetë sesa një sipërfaqe e fortë, dhe si e tillë potencialisht edhe mundëson që ta ajrosë mjedisin përreth,” tha Jordan.

Bartja e virusit përmes veshjeve nuk ka të ngjarë, por ekspertët kanë rënë dakord se ekzistojnë disa skenarë sipas të cilëve pastrimi i menjëhershëm është një ide e mirë.

Kur duhet të bëni kujdes të veçantë me rrobat?

Nëse jeni duke u kujdesur ose ndodheni shpesh në afërsi të një individi me COVID-19, larja e shpeshtë e rrobave është një pjesë thelbësore e higjenës parandaluese. Kjo përfshin, veçanërisht, individë me rrezik të lartë, siç janë punonjësit e kujdesit shëndetësor.

Daljet e zakonshme në dyqan ushqimesh nuk nuk janë arsye për larjen e menjëhershme të rrobave momentin që futeni në shtëpi. Sidoqoftë, nëse nuk keni qenë në gjendje të mbani një distancë të sigurt sociale nga të tjerët ose, edhe më keq, dikush është kollitur ose teshtitur në afërsinë tuaj të drejtpërdrejtë, larja e atyre rrobave do të ishte një veprim i domosdoshëm.

Por, në përgjithësi, përqëndrimi në fusha të tjera të higjenës siç janë mbajtja e duarve të pastra dhe mos prekja e fytyrës tuaj është më e rëndësishme sesa pastrimi i rrobave.

 “Ne e dimë se distanca sociale është mënyra më e efektshme për kontrollimin e transmetimit. Pra, shkuarja në dyqan ushqimesh padyshim që është prishje e rutinës sonë të zakonshme të distancimit shoqëror. Për të marrë masa paraprake sigurisht që do të përdorni higjienën e duarve, si kur të hyni ashtu edhe kur të dilni jashtë dhe menaxhimi i çdo gjëje që mund të ishte prekur nga persona të tjerë. Çfarëdo higjene që mund t’i shtoni asaj praktike është e mirë se ardhur”, tha Jordan.

Kur bëni larjen e rrobave në shtëpi, vrasja e virusit nuk do të duhej të kërkonte ndonjë përpjekje shtesë. Shumica e pastruesve shtëpiak janë të mjaftueshëm

“Makinat e zakonshme për larjen e rrobave me sapun të rregullt dhe me ujë duhet të jenë të sigurt dhe efektivë,” tha Jordan.

Po këpucët?

Këpucët kanë tendencë të jenë shumë më të përlyera sesa veshmbathja për shkak të funksionit të tyre. Si të tilla ato kanë më shumë të ngjarë të bartin bakteret dhe kontaminues të tjerë në shtëpi.

Sidoqoftë, ekspertët pajtohen që ato janë një burim i pamundur i transmetimit të koronavirusit. Dhe kjo është për shkak se ne edhe ashtu i trajtojmë këpucët siç duhet të trajtohen.

“Ajo që ne zakonisht bëjmë me këpucë, është se nuk i vendosim në tryezën e kuzhinës. Nuk i vendosim këpucët në gojë. Ato nuk janë zona me prekje të shpeshtë. Pra, rutina jonë e përditshme i konsideron ato si objekte të përlyera, “tha Jordan.

Por ju mund të merrni masa shtesë të sigurisë për të siguruar që ndotësit të mos hyjnë në shtëpinë tuaj, duke pastruar këpucët ose duke i lënë ato para derës ose duke krijuar një zonë të caktuar në mënyrë të sigurt larg zonave sociale të shtëpisë tuaj, për këpucë dhe veshje të tjera.

 “Zbathja e këpucëve dhe pastrimi i tyre para se të hyni në shtëpinë tuaj (dhe lënia e tyre në garazh, banjë) do të ishte poashtu e këshillueshme. Kjo do t’ju ​​ndalonte nga futja e virusit në shtëpinë tuaj nga një dalje e thjeshtë në një dyqan ushqimor. Vetëm sigurohuni t’i pastroni ato jashtë shtëpisë ose apartamentit tuaj dhe t’i lini të thahen natyrshëm”, tha Dr. Robert Glatter, një mjek urgjence në Spitalin Lenox Hill në New York City.

Konkluzion

Ndërsa shqetësimi është rritur javët e fundit në lidhje me mundësinë e transmetimit të virusit përmes objekteve të ndryshme, është fakt tashmë i njohur se transmetimi i drejtpërdrejtë nga një person në person besohet të jetë forma kryesore e ekspozimit.

Prandaj, vazhdimi i përmbajtjes së rekomandimeve CDC për higjienë dhe parandalim është akoma mënyra më e mirë për të qëndruar të shëndetshëm.

 “Ekziston një shans minimal që koronavirusi të të mbijetojë në veshjen ose këpucët tuaja dhe t’u transmetohet të tjerëve. Fjala e fundit është kjo: është transmetim nga një person te tjetri, jo nga veshja te personi, ose nga këpucët te personit”, tha Glatter.

Burimi: Healthline/Familjadheshëndeti