Përgatiti: Dr Jeton Zenuni

Na kanë mbetur edhe pak ditë para ardhjes së muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërkohë që vendi ynë ngjashëm me gjitha vendet tjera në botë po ballafaqohet me pandeminë e koronavirus COVID-19.

Për të siguruar shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) ka lëshuar një udhëzim për myslimanët, se si të praktikojnë një Ramazan të sigurt gjatë kësaj pandemie.

Këtë vit, Ramazani pritet të bjerë në 24 prill ndërkohë që pandemia COVID-19 vazhdon të prekë miliona njerëz në të gjithë botën. Transmetimi i COVID-19 lehtësohet nga kontakti i ngushtë midis njerëzve, pasi virusi përhapet përmes spërklave të frymëmarrjes dhe kontaktit me sipërfaqet e kontaminuara.

Për të kufizuar efektin e koronavirusit në vendin tonë, autoritetet kanë zbatuar një seri masash për të inkurajuar distancimin shoqëror duke mbyllur përkohësisht xhamitë dhe vendet e tjera të adhurimit, duke zbatuar një kufizim 24-orësh në lëvizje, dhe duke vendosur kufizime në tubimet shoqërore dhe fetare, të cilat janë të gjitha thelbësore në muajin e shenjtë të Ramazanit.

Duke iu përmbajtur këtyre rregullave të miratuara nga OBSH, qytetarët mund të rrijnë të qetë dhe të sigurohen që ata mund ta praktikojnë Ramazanin pa kompromentuar shëndetin e tyre ose shëndetin dhe sigurinë e të tjerëve.

Bëmirësia

Gjatë shpërndarjes së sadakasë ose zekatit gjatë këtij Ramazani, konsideroni masat distancuese fizike me tjerët.

Inkurajoni higjienën e shëndetshme

Meqë tubimet sociale dhe fetare janë anuluar, OBSH rekomandoi që të përdoren alternativa virtuale kur është e mundur, siç janë televizioni, radio, media sociale dhe dixhitale.

Myslimanët marrin abdes para namazit, i cili ndihmon në ruajtjen e higjenës së shëndetshme. Masat shtesë që duhet të merren parasysh përfshijnë edhe përdorimin e sapunit me ujë, si dhe dezinfektues për duar.

Këshilla për distancën fizike

Praktikoni distancën fizike duke ruajtur në mënyrë rigoroze një distancë prej të paktën 1 metër midis njerëzve në çdo kohë.

Përdorni përshëndetje që shmangin kontaktin fizik, të tilla si ngritje dore, tundje të lehtë të kokës ose vendosja e dorës mbi zemër.

Agjërimi

Deri më tani nuk ka asnjë studim të kryer që lidh rrezikun e agjërimit me infeksionin COVID-19. Njerëzit e shëndetshëm duhet të jenë në gjendje të agjërojnë gjatë këtij Ramazani si në vitet e kaluara, ndërsa pacientët COVID-19 mund të marrin leje fetare në lidhje me prishjen e agjërimit në konsultim me mjekët e tyre, siç do të bënin me ndonjë sëmundje tjetër.

Aktiviteti fizik

Gjatë pandemisë COVID-19, shumë njerëz janë të kufizuar në lëvizjet e tyre; por, nëse kufizimet lejojnë, praktikoni gjithmonë distancën fizike dhe higjenën e duhur të duarve edhe gjatë ndonjë aktiviteti fizik. Në vend të aktiviteteve në natyrë, inkurajohen lëvizja fizike brenda shtëpisë dhe aktivitete fizike online në internet.

Dieta dhe ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i duhur dhe hidratimi janë jetik gjatë muajit të Ramazanit. Njerëzit duhet të hanë çdo ditë një larmi ushqimesh të freskëta dhe të papërpunuara dhe të pinë shumë ujë.

Pirja e duhanit

Pirja e duhanit nuk është e lavdëruar në rrethana normale, e aq më pak gjatë Ramazanit dhe pandemisë COVID-19.

Duhanpirësit e rregullt mund të kenë tashmë sëmundje të mushkërive, ose kapacitete të zvogëluara të mushkërive, që rrisin në masë të madhe rrezikun e sëmundjes serioze COVID-19. Kur pini cigare, gishtat (ndoshta edhe cigarja e kontaminuar) prekin buzët, gjë që rrit gjasat që virusi të hyjë në sistemin e frymëmarrjes.

Promovimi i shëndetit mendor dhe psikosocial

Duke marrë parasysh praktikimin e riteve fetare ndryshe këtë vit, është e rëndësishme të siguroni besimtarët që përkundër rrethanave të reja, edhe në këtë Ramazan ata mund të reflektojnë, përmirësohen, luten, ndajnë me tjerët dhe kujdesen për tjerët – të gjitha këto nga një distancë e shëndetshme.

Duke u siguruar që familja, miqtë dhe të moshuarit po e respektojnë distancën fizike, inkurajimi i platformave alternative dhe dixhitale për ndërveprim mes vete është thelbësor. Ofrimi i lutjeve speciale për të sëmurët, krahas mesazheve të shpresës dhe mirëqenies, janë metoda për të përmbushur disa nga shtyllat e Ramazanit, ndërkohë që kujdesemi për shëndetin publik.

Reagimi ndaj situatave të dhunës në familje

Në mjediset ku ekzistojnë kufizimet e lëvizjes, incidentet e dhunës në familje, veçanërisht ndaj grave, fëmijëve dhe njerëzve të margjinalizuar, ka të ngjarë të rriten.

Autoritetet dhe udhëheqësit fetarë mund të flasin në mënyrë aktive kundër dhunës dhe të ofrojnë mbështetje ose të inkurajojnë viktimat të kërkojnë ndihmë./Familjadheshendeti