Te ushqyerit me gji gjatë natës e drejtë apo…?

Nga Dr. Ismail Lutolli

specialist Pediatër

subspecialist Dietolog-Nutricionist

Dilema e zgjimit për të ushqyer foshnjën e porsalindur gjatë natës është mjaft e përhapur. Pyetjet e shpeshta por edhe përfundimet janë:

– Mjaft po e ushqen me gji gjatë ditës, natën vendose në biberon se e shkatërrove vetën?

– Le të flejë se gjumi natën i bën më shumë dobi sesa gjiri juaj;

– E shikon si je bërë kockë e lëkurë dhe ende po provon ta ushqesh natën, fli dhe vazhdo në mëngjes;

– Bëje gati biberonin dhe po kërkoj natën ia jep, s’ka çfarë i duhet gjiri.

Një nënë e re, e rraskapitur nga lodhja dhe mundimet e paslindjes, është e natyrshme që do ketë luhatje për procesin e gjidhënies, e sidomos për gjidhënien gjatë natës. Kur ndodhet përballë këtij presioni, si ngelet asgjë përpos të heqë dorë nga gjidhënia natën, e më vonë edhe nga ajo ditën.
Të mos flasim kësaj radhe për presionin e madh rreth asaj se foshnja po qanë e nuk po i mjafton gjiri.

Më poshtë do japim nëntë arsye përse duhet të realizohet gjidhënia gjatë natës:

  1. Domosdoshmëria e prodhimit të hormoneve tek nëna.

Prodhimi i qumështit bëhet nën ndikimin e veprimeve të ndërlikuara reflektore dhe hormonale. Procesi i formimit të qumështit, rregullohet nga sistemi nervor dhe hormoni laktogjen i hipofizës. Shumë hulumtime kanë treguar se gjatë natës, trupi i nënës natyrshëm sekreton sasi të larta përgjegjëse për nxitjen e laktacionit të prodhimit të qumështit, në mënyrë që të vie deri te suksesi në procesin e gjidhënies. Nëse nëna do ketë pauzë për disa orë, do vie deri tek rënja drastike e prodhimit të hormonit përgjegjës dhe për pasojë do kemi rënje të prodhimit të qumështit, pra do rrezikohet vetë procesi i gjidhënjes.

  1. Gjidhënja gjatë natës, e domosdoshme për të porsalindurin.

Ushqyerja me gji gjatë natës është e domosdoshme kryesisht për fëmijën e porsalindur, pasi stomaku i fëmijës së porsalindur mund të zërë vetëm deri në 25 ml qumësht. Një sasi e tillë e vogël është e mjaftueshme për të mbajtur të ngopur për një kohë të shkurtër (1 deri 2 orë), por sigurisht jo gjithë natën. Një i porsalindur për rritje dhe zhvillim të mjaftueshëm, gjatë natës duhet të ushqehet me gji çdo orë ose çdo dy orë, por asesi të kalojë më shumë sesa 3 orë. Kjo vlen për tërë 6 mujorin e parë të jetës. Mendohet që kur fëmija të arrijë një peshë 5 deri 6 kg, stomaku i tij mund të zërë një sasi prej 150 ml qumësht. Atëherë mund të bëhet një interval pushimi pa gjidhënie nga 2 orë në 3 orë, por assesi tërë natën.

  1. Ushqimi me gji gjatë natës, ndikon në peshën e fëmijës tuaj.

Fëmijët që ushqehen me gji gjatë natës, kanë probleme më të vogla sa i përket mos arritjes së peshës së duhur. Pra, ushqyerja me gji gjatë natës ndikon në masë të madhe që fëmija juaj të fitojë mjaftueshëm në peshë. Gjatë tërë punës sime profesionale, shumica e fëmijeve me nënpeshë ose edhe e kundërta deri ne moshën 1 vjeçare, janë fëmijë që ushqehen me shtesa por jo ata me gjidhënie.

  1. Ushqimi me gji gjatë natës, ndihmon foshnjat të flenë më rehatshëm.

Qumështi i nënës përmban triptofan, një aminoacid që i ndihmon dukshëm foshnjat rreth gjumit. Ajo gjendet në sasi më të mëdha në qumësht në mbrëmje dhe gjatë natës.

  1. Ushqimi me gji gjatë natës, ka një efekt në amenorrenë laktike.

Në gratë që i ushqejnë foshnjat ekskluzivisht me gji dhe shumë shpesh gjatë natës, kanë më pak gjasa të marrin menstruacione gjatë gjashtë muajve të parë të jetës së fëmijës, pra kanë mundësi të vogël për një shtatzëni të radhës. Prolaktina dhe ushqyerja me gji edhe gjatë natës, janë dy nga faktorët më të rëndësishëm për vazhdimin e amenorresë (mungesës së menstracioneve) gjatë periudhës së gjidhënies.

  1. Ushqyerja me gji, sjellë uljen e rrezikut për vdekje te papritur (SIDS) te fëmijët.

Ndoshta një nga arsyet më të rëndësishme për ushqyerjen me gji natën, mund të jetë për të ndihmuar në zvogëlimin e rrezikut të vdekjes së papritur dhe të pashpjegueshme në fëmijëri (SIDS). Është kjo një gjendje e cila njihet në botë dhe shkaqet që sillen si të mundshme janë shumë domethënëse . Besohet se procesi i zgjimit është një mekanizëm i rëndësishëm për mbijetesë dhe ky proces zgjimi është më i shpeshtë te foshnjet që ushqehen me gji. Nga kjo pikëpamje, ushqimi me shtesa rritë mundësinë e vdekjes së papritur. Organizata udhëheqëse e Australisë, Këshilli Kombëtar i Shëndetit dhe Mjekësisë, tregon se mosushqyerja me gji, rritë rrezikun e SIDS në 56%. Duke e bërë këtë në perspektivë, në Australi rreziku i SIDS është aktualisht rreth 1 në 3000 lindje. Prandaj, në qoftëse të gjitha foshnjat ishin ushqyer me formulën, rritja prej 56% në SIDS do të thotë se rreziku i SIDS do të rritet në rreth 3 në 6000 lindje.

  1. Nënat gjidhënëse flenë për rreth 50 minuta më shumë sesa ato që i ushqejnë fëmijët me biberon gjatë natës.

Janë kryer një sërë studimesh, nga të cilat janë nxjerrë përfundime që një nënë gjidhënëse gjatë natës flenë për rreth 50 min më shumë sesa një nënë që e ushqen me biberon fëmijën e saj. Për një nënë pas lindjes kjo kohë është mjaft e çmuar dhe e rëndësishme.

  1. Foshnjat nuk mund ta dallojnë ditën nga nata.

Foshnjat e vogla pas lindjes nuk mund të dallojnë ditën nga nata. Pavarësisht nga mënyra e të ushqyerit, të gjitha foshnjat fillojnë të bëhen të vetëdijshme për natën dhe ditët, vetëm rreth muajit të tretë të jetës. Për këtë arsye nuk qëndron teoria: ” të mos i prishet gjumi foshnjës gjatë natës”. Pra, zgjimi dhe dhënia e gjirit vetëm se do e ndihmojë fëmijën tuaj të fle përsëri pasi është ngopur dhe nuk do ndikojë në prishjen e ritmit.

  1. Ju jeni një nënë që sakrifikoni të gjitha: 

– Ju jeni ajo që e mbajtët foshnjën për 9 muaj në barkun tuaj;

– Ju jeni ajo që i folët me dashuri dhe numëruat edhe ditët edhe minutat derisa të vinte në jetë;

– Ju jeni ajo që e përkëdhelët sa ishte në barkun tuaj;

– Ju jeni ajo që ëndërruat ditën kur foshnja juaj do të vinte në jetë;

– Ju jeni ajo që u bëtë shkak që foshnja edhe te vijë në këtë jetë;

– Ju jeni ajo që përjetuat edhe dhimbjet e lindjes edhe prerjen e trupit tuaj për të nxjerrë të shëndetshme foshnjën tuaj

– Ju jeni ajo që keni bërë gjithçka për krijesën e quajtur fëmijë;

– Ju i keni bërë të gjitha dhe tani foshnja juaj është me ju;

Ofroni dashurinë tuaj ditën dhe natën pa u ndalur, ofroni nektarin e gjinjve tuaj (gjidhënien) pa u ndalur për 24 orë.

Ju po e bëni më të mirën e mundshme. Ju po i mundësoni një fillim të mbarë, një rritje të mbarë për të cilën fëmija juaj një ditë do të jetë falënderues.

Ju po i bëni të gjitha, pasi Zoti ju ka begatuar me termin më të shtrenjtë, më të çmuar, më të dashur, me të veçantë, më madhështore “NËNË”./Familjadheshendeti.com