Nga Brikena Krasniqi Hoti, Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapeute

Meqë festimet e 8 Marsit përfunduan, të kujtohemi pak për shëndetin emocional dhe mendor të grave, posaçërisht gjatë shtatëzënisë dhe pas lindjes. 15-20% e të gjitha grave përjetojnë çrregullime emocionale në shtatzëni dhe / ose pas lindjes. Edhe pse është gjendje e zakonshme dhe e trajtueshme, shumë pak gra janë në gjendje të marrin ndihmën ose trajtimin profesional qe kanë nevojë.

Zakonisht flitet vetem për Depresion Pas Lindjes, dhe i gjithë fokusi është aty, por hulumtimet kanë treguar se simptomat e depresionit në 50 % e rasteve të tilla, fillojnë qysh në shtatëzëni. Po ashtu gjatë shtatzënisë dhe /ose pas lindjes, gratë mund gjithashtu të përjetojnë ankth, çrregullim obsesional kompulsiv (OCD) i cili shpesh përqendrohet në një lloj frike se diçka e keqe ose ndonjë dem do ti ndodhë fëmijës, si dhe stresi pas traumatik (PTSD) nëse kanë pasur një lindje të vështirë ose përvojë traumatike gjatë lindjes. Të gjitha këto jo vetëm që mund ta vështirësojne jeten e një gruaje, por mund ta shndërrojnë atë ne ferr. Edhe pse diçka e tillë për syrin tonë normal mund të mos duket nga jashtë.

Unë jam e pasionuar për të sjelle sa më shumë vetëdije në lidhje me shëndetin mendor tek gratë, sidomos gjatë shtatzënisë dhe pas lindjes, sepse sa më shumë vetëdije të komunitetit dhe shoqërisë që kemi, aq më shumë gra do të ndihen më rehat që të kërkojnë ndihmë, dhë në anën tjetër, familja dhe shoqëria më pak do ti gjykojë dhe mund tju lehtësoj marrjen e ndihmës që ato kanë nevojë Unë besoj se të gjitha nënat kanë nevojë dhe meritojnë mbështetje. Një vend i mirë për të filluar dhe ofruar këtë mbështetje është duke e ndarë këtë mesazh në murin tuaj.