PURE ME RREPË, KARROTË DHE MOLLË

 

Nga Blerta Kryeziu Thaqi – Kimiste

 

Kjo pure do të ishte një zgjedhje fantastike për drekën e bebeve tuaj. Pamja e saj fantastike, nga ngjyra e kuqe e rrepës, do të stimulojë, tërheqë vizualisht fëmijën tuaj duke e bërë atë të dojë ta provojë. Por pamja estetike dhe shija nuk janë të vetmet elementë që kjo pure ofron. Lëndët e saja ushqyese si fibrat, kalciumi, kaliumi dhe antioksidantët janë poashtu të nevojshme për zhvillimin normal të bebit tuaj.

 

Cilat vlera ushqyese i përmban kjo pure?

Pureja e përbërë nga dy perime dhe një frut është e pasur me shumë antioksidantë. Mollët përmbajnë vitaminat A, B1, B2, B6, C, E dhe K, si dhe elementë si zink, bakër, magnez, potasium, fosfor, hekur, kalcium dhe mangan. Molla është gjithashtu e pasur edhe me fibra.

Karota përmban vitaminat A, B1, B2, B3, B6, C, E dhe K. Gjithashtu, në përmbërje të saj gjenden edhe potasium, kalcium, fosfor, magnez dhe selen. Një nga përbërësit më të rëndësishëm është betakaroteni.

Rrepa është e pasur me vitaminat A, C, B-kompleks, dhe elementë si potasiumi, hekuri dhe magnezi.

Kombinimi i të tre përbërësve të kësaj pure jep vlerat ushqyese që i nevojiten një fëmije gjatë ditës, duke pasur gjithashtu edhe ndikim pozitiv në shëndet dhe mbrojtje nga një anemi e mundshme.

Karota dhe rrepa kanë në përbërje alfa dhe beta karotenin dhe luteinën, të cilat e ruajnë të shëndetshme zemrën.

Kjo pure ka edhe një rëndësi tjetër për bebet sepse ndihmon sistemin tretës. Rregullon lëvizjen e zorrëve dhe ndikon pozitivisht në rastet e kapsllëkut.

PËRGATITJA E PURES:

Përbërësit:
• gjysëm rrepë
• një karrotë mesatare
• gjysëm mollë mesatare

Përgatitja:
1. Pastroni, lani dhe qëroni mirë karrotën dhe rrepën dhe pastaj pritini.
2. Më pas prejeni në copa të vogla mollën së bashkku me lëkurë sepse përmban shumë vlera ushqyese.
3. Hidhini karrotat dhe rrepën në një enë me ujë për t`u zier për mesatarisht 10-12 minuta. Pastaj shtoni mollat dhe lëreni edhe 5 minuta të tjera.
Pasi të ftohen, mund ti bluni në blender ose ti shtypni me pirun, varësisht si i do fëmija.

Produktet e lejuara janë 6+ dhe 8+ mirëpo nëse kombinohen si trio produkte atëherë kjo pure i jepet bebes 8+ .

I bëftë mirë bebit./Familjadheshendeti.com