Shkruan: Dr. Jeton Zenuni, Transfuzioni i Gjakut

Dhurues të gjakut mund të jenë gjithë ata individë të shëndetshëm, për të cilët mjeku specialist transfuziolog gjatë ekzaminimit mjekësor dhe atij laboratorik ka përcaktuar se mund të japin gjak ose përbërës të gjakut pa rrezikuar shëndetin e tyre, si dhe transfuzioni i produkteve të gjakut të të cilëve nuk do të rrezikojë shëndetin e marrësit.

Dhurues i gjakut mund të jetë çdo person i moshës ndërmjet 18 dhe 65 vjeçare, i cili nuk duhet të ketë më pak se 50 kg, me puls ndërmjet 50 dhe 100 rrahje/min, me shtypjen sistolike 100-180 mm Hg dhe atë diastolike 60-100 mm Hg.

Hematokriti i dhuruesit para marrjes së gjakut duhet të jenë mbi 0.40 për meshkujt ose 0.38 për femrat, kurse përqendrimi i hemoglobinës min 135 g/l për meshkujt dhe 125 g/l për femrat.

Të përjashtuar përgjithmonë nga dhurimi i gjakut janë: personat e sëmurë mendërisht; personat me sëmundje sistematike; sëmundje të rënda të mushkërive, sistemit kardiovaskular, sistemit gastrointestinal, veshkave, sistemit nervor qendror, sistemit imunitar, organeve haematopoetike, sëmundjet autoimune, diabeti kur trajtohen me insulinë, epilepsia, hipertension të rëndë, të sëmurët me resekcion të stomakut, me sëmundje malinje aktuale ose të mëparshme, hepatitis B, C, AIDS dhe personat të cilët janë provuar në mënyrë klinike dhe laboratorike se janë të infektuar me viruset e hepatitit (personat që kanë patur kontakt shtëpiak apo seksual me personat e sëmurë me hepatit viral ose ata që kanë marrë transfuzion gjaku ose produkte të gjakut, duhet të përjashtohen për një periudhë prej 12 muajsh), HIV, retrovirusë tjerë; personat që kanë përdorur drogë intravenoze, grupet me sjellje të rrezikshme seksuale, si dhe të gjithë personat e tjerë në gjakun e të cilëve mund të gjenden shkaktarë të sëmundjeve të transmetueshme përmes transfuzionit të gjakut.

Të përjashtuar përkohësisht nga dhurimi i gjakut janë:

– personat, 8 deri në 12 orë pas konsumimit të alkoolit dhe para fillimit të orarit, në punët të cilat konsiderohen me rrezikshmëri (vozitësit, pilotët, punëtorët mbi skela dhe profesione tjera me rrezikshmëri të ngjashme).

– Imunizimi profilaktik – koha e përjashtimit varet nga lloji i vaksinës së përdorur. Vaksinat me bakterie të ngordhura, virusë të inaktivizuar, toksoide ose antigjene të tjerë përjashtohen për 48 orë. Këtu bëjnë pjesë: poliomieliti (salk), gripi, hepatitis B, hepatiti A, kolera, difteria, tetanosi, meningjiti, imunizimi për tërbimin para ekspozimit. Vaksinat me bakterie ose virusë të dobësuara përjashtohen për 4 javë: shytat, fruthi, rubeolla, variçela, ethet e verdha, poliomieliti (sabin oral), tifo, BCG. Imunizimi për tërbimin pas ekspozimit: përjashtohen për një vit.

Imunizimi pasiv: përjashtohen për 4 javë (përjashtimi bëhet për një vit kur përdoren imunoglobulinat e hepatitit B.

– 2 javë nga zhdukja e simptomeve të sëmundjes tek gjendjet gripoze, gjendjet e përcjellura me temperaturë mbi 38’C të përcjellura me ethe.

– 2 javë nga ndërprerja e sëmundjes, me ç’rast pacienti është trajtuar me antibiotikë,

– 6 muaj pas një operacioni të vogël, pas abortit.

– Për ndërhyrjet kirurgjike dentare me anestezi lokale përjashtimi vlen për 72 orë deri 1 javë. Për ndërhyrjet kirurgjike dentare me anestezi të përgjithshme përjashtimi mund të sipas rastit për 1-2 muaj.

– një vit pasi të keni bërë tatuazhë në lëkurë, për shkak se futja e bojës, metalit ose ndonjë materiali tjetër të huaj në trup ndikon në sistemin tuaj imunitar dhe mund t’ju ekspozojë ndaj viruseve të dëmshëm.

– pas ndonjë operacioni të madh, lëndimeve më të mëdha,

– femrat gjatë periudhës së gjidhënies dhe shtatzënisë, si dhe gjatë periudhës së menstruacioneve.

– personat të cilët kanë udhëtuar në zona tropikale

Marrja e ilaçeve sugjeron që dhuruesi është i sëmurë ose ka qenë i sëmurë dhe në këtë rast duhet të hetohen arsyet klinike për marrjen e ilaçeve dhe nuk duhet marrë gjakun ose përbërësin e gjakut të një personi, shëndeti i të cilit mund të rrezikohet me marrjen e gjakut apo përbërësit të gjakut të tij, ose shëndeti i pacientit mund të rrezikohet nga transfuzionet e produkteve të gjakut për shkak të veprimit të sëmundjes ose marrjes së ilaçit. Marrja e gjakut ose përbërësve të gjakut duhet të shtyhet për një periudhë, varësisht nga farmakokinetika dhe eliminimi i barit nga gjaku i dhuruesit.

Sa i përket gjinisë, femrat nuk duhet të japin gjak më shumë se 3 herë, dhe meshkujt më shumë se 4 herë në vit.

Për të ruajtur shëndetin e pacientit i cili do të marrë gjak, secilit dhurues para çdo dhurimi i ofrohet një pyetësor në të cilin ai/ajo do të përgjigjet në pyetjet e parashtruara.

Qëllimi kryesor i seleksionimit të personave të përshtatshëm për të dhuruar gjak është të përcaktohet nëse një person ka shëndet të mirë, me qëllim që të mbrohet dhuruesi nga dëmtimi i shëndetit të tij/saj, dhe në të njejtën kohë të mbrohet marrësi nga transmetimi i sëmundjeve të cilat mund të dëmtojnë më tej shëndetin e tij.

Vetëm personat me një histori të sigurtë shëndetësore duhet të pranohen si dhurues gjaku për përdorim terapeutik.

Në praktikë, nuk është i mundur një ekzaminim i plotë mjekësor dhe fizik i dhuruesve të gjakut. Për këtë doktori transfuziolog i cili bën seleksionimin e dhuruesve duhet të mbështetet në përgjigjet që dhuruesi i gjakut i bën disa pyetjeve të thjeshta në lidhje me historinë e tij mjekësore dhe shëndetin në përgjithësi, e shoqëruar kjo edhe me një inspeksion të dhuruesit dhe me ekzaminimet laboratorike të nevojshme. /www.familjadheshëndeti.com

Shpërndaje