Përdorimi i barnave në shtatzëni dhe gjidhënie

Nga Mr.ph Laureta Berisha Kosumi – Farmaciste

Pjesa parë

Pyetjet e shpeshta që kemi pasur në grupin tonë “Familja dhe shëndeti” rreth përdorimit të tyre në dy periudha mjaft të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme siç janë shtatzënia dhe gjidhënia, si dhe nevoja për një sqarim më të detajuar, na shtynë rreth paraqitjes së një artikulli të caktuar për këtë kategori kaq të ndjeshme dhe mesë të rëndësishme të shëndetit të nënës dhe foshnjës.

Përdorimi i barnave të ndryshme gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies, paraqet shqetësim të veçantë për shkak të efekteve potenciale teratogjene (ndryshimet që mund të shkaktohen në fetus nga përdorimi i tyre) dhe ndryshimet që mund të ndodhin tek foshnja që ushqehet me gji. Prandaj përdorimi i tyre kërkon vëmendje të veçantë, duke marrë parasysh se përveç shëndetit të nënës, shëndeti dhe jeta e fëmijës së pa lindur mund të jenë në rrezik.

Pasi që nuk është e mundur shmangie totale e trajtimit të nënës me barna gjatë shtatzënisë dhe gjidhënies, sepse shpeshherë mos marrja e tyre mund të përkeqësojë shëndetin e nënës tek shumë sëmundje që kërkojnë trajtim të patjetërsueshëm.

Ekziston një perceptim i përgjithshëm se barnat nuk janë të sigurta në shtatzëni dhe gjidhënie, pavarësisht faktit se më pak se 30 lloje të ndryshme të barnave kanë arritur të shkaktojnë keqformime të mëdha të fetusit apo kalim përmes qumështit të gjirit. Mirë informimi i masës e sidomos i nënës shtatzënë dhe asaj gjidhënëse është i domosdoshëm.

Pra, në shumicën e rasteve përdorimi i tyre sjellë përfitime që kalojnë rreziqet e mundshme.

Ekzistojnë 5 kategori të rrezikut të përdorimit të barnave në shtatzëni, ato janë : A, B, C, D dhe X, të cilat tregojnë fuqinë e barit dhe mundësinë e tij për të shkaktuar defekte në fetus, nëse përdoren gjatë shtatzënisë.

Kategoria A – Studimet adekuate të mirë kontrolluara, kanë dështuar të tregojnë një rrezik për fetusin në tremujorin e parë (dhe nuk ka dëshmi të rrezikut në tremujorët e mëvonshëm). P.sh përdorimi i levotiroksinës dhe acidit folik gjatë shtatzanisë.

Kategoria B – Studimet në kafshët riprodhuese, kanë dështuar të tregojnë një rrezik për fetusin dhe nuk ka studime adekuate dhe të kontrolluara mirë në gratë shtatzëna.
P.sh përdorimi i metforminës, hidroklortiazidit, amoksicilinës, pantoprazolit.
Kategoria C – Studimet në kafshët riprodhuese, kanë arritur të tregojnë një efekt të kundërt në fetus dhe nuk ka studime adekuate dhe të mirë kontrolluara tek njerëzit. Por përfitimet e mundshme mund të garantojnë përdorimin e barit, përkundër rreziqeve të mundshme. P.sh përdorimi i tramadolit, gabapentines, amlodipines.

Kategoria D – Ekzistojnë prova pozitive të rrezikut në fetuset njerëzore, të bazuara në të dhënat e reagimit të padëshiruar nga eksperienca e hetimeve, marketingu, ose studimet në njerëz. Megjithëse përdorimet potenciale mund të garantojnë përdorimin e barit në gratë shtatzëna, pavarësisht rreziqeve të mundshme.

P.sh përdorimi i lisinoprilit, alprazolamiz, losartanit, clonazepamit, lorazepamit.
Kategoria X – Studimet në kafshë ose në njerëz kanë treguar anomali të fetusit, ose ka prova pozitive të rrezikut në fetuset njerëzore, të bazuara në të dhënat e reagimit të padëshiruar nga eksperienca e hetimeve, marketingu, ose studimet në njerëz. Megjithatë, rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e barit nga gratë shtatzëna, i tejkalojnë përfitimet e mundshme. P.sh përdorimi i atorvastatinës, simvastatinës, methotrexatit, warfarinës, finasteridit.

Vazhdon…/FamiljadheShëndeti