Nga Dr. Ardiana Perjuci-Begolli, interniste-endokrinologe
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, obeziteti është akumulim jonormal ose i tepruar i yndyrës, deri në atë masë që mund të dëmtoj shëndetin. Shkaktohet nga disekuilibri mes marrjes së kalorive dhe shpenzimit të tyre për një kohë të gjatë.
Për një vit marrja e vetëm 5% më shumë kalorive mund të ndikon në rritjen e peshës trupore për 5 kg. Gjatë 30 vjetëve konsumimi i vetëm 8 kalorive më shumë se ato që harxhohen, mund të rris peshën trupore për 10 kg.
Për përcaktimin e mbipeshës dhe obezitetit përdorët Indeksi i Masës Trupore – BMI (Body Mass Index), ku për llogaritjen e tij përdoren vetëm 2 parametra: pesha dhe gjatësia (http://www.bmi-calculator.net/metric-bmi-calculator.php).
BMI < 18.5 tregon për nënpeshë BMI = 18.5 – 24.9 tregon për vlera normale BMI = 25 – 29.9 tregon për mbipeshë BMI = 30 – 34.9 do të thotë obezitet I, klasës 1 BMI = 35 – 40 do të thotë obezitet I, klasës 2 BMI > mbi 40 do të thotë obezitet I, klasa 3 (shkallë e rëndë)
Shkaktarët e obezitetit mund të jenë të shumtë: konsumimi i tepërt i ushqimeve kalorike (si ushqimet e ëmbla, të yndyrshme, ushqimet e fërguara, ushqimet e shpejta që kohën e fundit janë bërë të shpeshta edhe në menytë tona), faktori gjenetik, stresi, mungesa e aktivitetit fizik, ndryshimi i mënyrës së jetesës, disa sëmundje, lindja, depresioni, disa medikamente.
Vlerësohet që obeziteti prekë 25% të meshkujve dhe 18% të femrave, por kohën e fundit ka një rritje të madhe të obezitetit edhe tek femrat. Një studim raport i publikuar në New England Journal of Medicine i vitit 2015 zbuloi se një në 10 njerëz në mbarë botën ishin të trashë, pra rreth 604 milion të rritur dhe 108 milion fëmijë.
Kemi dy tipa të obezitetit: Obeziteti android dhe obeziteti genoid. Obezitetin android e karakterizon deponimi i dhjamit në pjesën e sipërme të trupit dhe barkut, ndërsa obezitetin genoid e karakterizon dominimi i dhjamit në kuka dhe në pjesën e sipërme të këmbëve.
Obeziteti android ndikon në shfaqjen e disa sëmundjeve si: diabeti, hiperlipidemit, hipertensioni arterial, sëmundjet iskemike të zemrës, osteoartritet, refluksi gastroezofageal (ose si njihet në popull thartinë nga lukthi), pankreatiti, sëmundjet e idhsës dhe kohët e fundit është vërejtur që disa lloje të kancerit janë më të shpeshtë tek personat obez. Perimetri i belit lidhet ngushtë me indin dhjamor abdominal prandaj vlera e perimetrit të belit tregon për rritje të rrezikut për sëmundjet e lartpërmendura. Perimetri i belit më i madh se 102 cm te meshkujt dhe më i madh se 88 cm te femrat tregon për rritje të rrezikut për sëmundje. Po ashtu, shtimi i peshës për 5 kg te personat e moshës 18-20 e rritë rrezikun për paraqitje të sëmundjeve. Rreziqet për të zhvilluar sëmundje obezët mund të modifikohen me anë të ushtrimeve aerobike. Tek një studim që ishte bërë te më shumë se 8000 obezë për 6 vite me radhë është vërtetuar që sëmundjet ishit më të rralla te obezët që kishin qenë aktiv, kishin ushtruar.
Obeziteti genoid nuk ka ndonjë ndikim në shfaqjen e sëmundjeve por është vetëm problem estetik.
Obeziteti është bërë problem global dhe ndikon në invaliditet të hershëm dhe në vdekjet e parakohshme. Gjithnjë e më shumë po rriten brengat e shëndetit publik sepse vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet si pasojë e obezitetit janë duku u rritur shumë më shumë se vdekjet e shkaktuara nga mos-ushqyeshmëria dhe sëmundjet infektive të cilat kanë qenë dikur shkaktari numër 1 i vdekjeve të parakohshme.
Kohën e fundit është rritur shqetësimi për obezitetin gjithnjë e më të shpeshtë tek fëmijët dhe adoleshentët. Kjo po i kontribuon paraqitjes së hipertensionit dhe Diabetit tip 2 në mosha të reja.
TRAJTIMI
Regjimi hipokalorik (me pak kalori) përbën bazën e trajtimit të obezitetit. Fillimisht, është mirë që regjimi të jetë më strikt dhe gradualisht të zgjerohet. Një dietë e balancuar për të humbur peshë zakonisht duhet të jetë përafërsisht 1200 -1500 kalori në ditë (por kjo është relative, se varet edhe nga gjinia, pesha, gjatësia, mosha). P.sh. këtu keni një faqe për të llogaritur sa kalori ju duhen në ditë: https://www.calculator.net/calorie-calculator.html
Sipas Instituteve për shëndet, te personat me mbipeshë dhe obezitet të klasës 1 rekomandohet që të humbin 500 gram brenda javës, ashtu që brenda 6 muajve do të humbin 10% të peshës trupore.
Ndërsa për personat obez të klasës 2 dhe 3 rekomandohet që të humbin 1 kg në javë ashtu që brenda 6 muajve të humbin 10% të peshës trupore.
Te dietat hipokalorike rekomandohet që të përdoren vitamina, magnesium, kalcium, hekur, kalium.
Aktiviteti fizik është më se i domosdoshëm, sepse ndihmon në humbjen e peshë dhe në parandalimin e rikthimit të peshës pas regjimit. Duhet të jetë i rregullt dhe i përditshëm. Rekomandohet të bëhet kryesisht me ecje, not, gjimnastikë, biçikletë, etj.
Ekzistojnë disa medikamente që përdorën për humbje të peshës të cilat nuk do t’i përmendi me qëllim, që mos të abuzohet me to dhe meqë mënyra më e mirë e humbjes së peshës është dieta dhe aktiviteti fizik.
Po ashtu, te obezët e klasës 3-te ekzistojnë edhe disa metoda kirurgjike për humbje të peshës trupore, siç janë liposukcioni, gastroplastika, by-pass jejuni-ileal. Por këto metoda, nuk preferohen edhe aq, për shkak të komplikimeve të mundshme.
Preferohet psikoterapia individuale ku pacienti e gjen një përkrahje morale përveç familjarëve dhe psikoterapia grupore e cila mund të jetë shumë stimuluese për humbje të peshës tek obezët kur përballen njëri me tjetrin. /Familjadheshendeti.com