Nga: Hafize Elshani, gazetare

Mos na qitni lirime për 8 Mars, tenxhere, tepsi, miksera, bojlera, tepiha, gota të çajit, pjata, domesdosa, kiselina, detergjenta, shole, tusha, kaca për turshi, furça, gjëra për pastrim dhe budallallëqe të tjera.

Ne kërkojmë oferta të tjera, ushtrime boksi e jo botoksi, ushtrime karate e jo rroba firmato. Po pres oferta 50% më lirë ose falas për nder të 8 Marsit, prej klubeve të arteve marciale se kështu dhuna ndaj grave do të bjerë dukshëm që në vitin e parë, me një normë prej 25%; po pres 50% më pas lirim për me u rigjistru në ndonjë universitet ose zanat, po pres më pas lirim të ndonjë trajnimi, po pres 50% më pas lirim për ndonjë laptop që du me punu dhe për naj send pozitive.

O njeri mos më qit në lirim tepsi e tenxhere se ato nuk janë veç për mua, po edhe për ty si shef debil që je e për 8 Mars e bën këtë zbritje në gjëra të tilla si fshesa, asi për miza edhe për marimanga me i fshi, se ato nuk duhet me i fshi veç unë po edhe ti.

Nuk po du as me shku në restorant, jo jo unë nuk du me shku në restorant e me i dhanë shumë euro me u rregullu për me u duk bukur, kur brenda vetes jam e shkelur, e vrarë, e nëpërkëmbur, e plagosur; nuk du me i dhanë euro për me shku në restorant me hangër bukë se deri sa erdha këtu u dasht me ia ba bukën në shtëpi e me fshi e me la tani me ardh unë këtu me lu rolin që u kënaqa; nuk du me festu bre, nuk du se kur të vi në restorant duhet me u siguru me pas Wifi se nëse s’ka Wifi mundet me u ba ma e keqja se burri duhet me ditë se çka po baj e me ia dërgu disa foto me shoqet edhe me iu përgjigj pyetjeve se a ka kamariera a kamariere mbasi është 8 Marsi.

Nuk du bre me festu se nëse dal në foto me Sinanin, Mahmutin a Naim Abazin se më pëlqejnë, duhet m’i fshi ato foto para se me u kry neja, se mujn me më dal probleme prej burri, se më drejtohet me fjalët: “pse bre ju rraseshe, a kceve boll, a u trajnove, a kish pas kamera, ishalla nuk të qesin në Youtube”.

Nuk du me festu bre se unë po vallëzoj sonte, por përbrenda po më qan zemra e shpirti se unë jetën e kam lamsh si kjo natë që sonte është kështu vezulluese dhe me drita, unë e kam ndryshe jetën brenda meje, atë të përditshmen, përgjatë gjithë vitit. E ky restorant që qenka i mbushur sonte me gra, a thua e kanë në kokën e tyre të gjitha të njëjtat halle, a thua sa prej tyre vetë e kanë paguar këtë natë prej pagës së vet, sa janë të punësara, sa janë të shkolluara nga gjithë këto, a thua me u ba bashkë krejt çka jemi këtu kishim pas mundësi me ndryshu këtë vend, kishim pas mundësi me ia dal edhe mos me marr sot lule plastike si të vorreve po kishim marrë dashni gjatë gjithë vitit.

Gëzuar edhe për sot, edhe pse po më dhemb zemra me ngrit dolli, edhe a e dini pse, se po më dalin para fytyre ato raste kur bashkëshorti e rreh gruan për do çorape pse nuk ia ka larë, po më dhemb zemra për ato raste kur e godet si i pashpirt edhe kur ia drejton armën drejt e në kokë.

Pra unë nuk du bre me festu, mos më bani tag në asnjë faqe për me festu, nuk du bre me festu, mos më dërgoni ftesa se unë s’ka arsye me festu se s’kam lumturi. Unë festoj kur shkoj në shkollë e punë e lirë, kur kam dashuri, kur më respektojnë, kur jeta ime ka vlerë të madhe; unë festoj kur jam e lirë me jetu qysh du unë vetë. E atëhere kem me kap valle e kem me festu me zemër, por jo sot, jo./www.familjadheshendeti