Krizat e menaxhimit ne shendetësinë kosovare

Nga Dr Petrzit Mulaku, MD MSc

Duke pasur fatin të punoj në Kosovë dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, m’u dha edhe një mundësi e mirë e të kuptuarit më të thellë të funksionimit te kujdesit shëndetësor nëpërmjet krahasimit të dy vendeve. Besoj që një përvojë të tillë e kanë edhe shumë kolegë te tjerë te cilët, sigurisht jo nga dëshira, u detyruan te ushtrojnë profesionin jashtë Kosovës, edhe pse nga vendi ynë morëm gjithë edukimin e nevojshëm për të qenë mjekë që i shërbejnë komunitetit.

Sigurisht askush nuk i do shkrimet e gjata , prandaj nuk kam qëllimin te hyj ne analizë detale dhe të zgjatur të krizës ne shëndetesine kosovare.

Mendoj se kjo krizë i ka rrënjët qe nga paslufta dhe nga mënyra arkaike e menaxhmit te aseteve dhe kapaciteteve shendetêsore pas përfundimit të luftës së fundit, ku akterë kryesorë ishin ndërkombëtarët të cilët i kishin njohuritë dhe ekspertizën për themelimin dhe funksionimin adekuat të një sistemi shëndetësor, por nuk kishin pasionin dhe motivimin për të bërë diqka të tillë pasi ishin në një vend te huaj, paguheshin nga institucionet ndërkombëtare dhe shërbenin në një vend i cili fundja nuk ishte i tyre, dhe në anë tjetër ishin vendorët të cilët nga mosdija dhe lakmia për pushtet dhe para i shtyri ta dëmtonin popullin tonë duke na imponuar një sistem pa sistem, kujdes pa kujdes, anarki ne menaxhim dhe si pasojë dëme te jashtëzakonshme ndaj shendetit dhe produktivitetit te popullatës.

Kriza u thellua edhe më tej me themelimin e Ministrisë së Shëndetësisë, e cila ne disa mandate qeveritare iu la në administrim të pakicave. Kjo kishte pasoja shumë te rënda, sepse pakicat kombëtare asnjëherë nuk e kishin fuqinë dhe influencën politike për shtyrjen e projekteve shëndetësore përpara. Nuk ka dyshim se për realizimin e projekteve fillimisht është shumë i nevojshëm impulsi politik i cili do të vejë në lëvizje mekanizmat qeveritarë e ministrorë për përmbushjen e kushteve për realizimin e projekteve, dhe natyrisht pakicat nuk e kishin këtë impuls dhe si pasojë ministria e shëndetësisë shërbente me tepër për te balancuar pushtetet qëndrore dhe për të përmbushur kriteret kushtetuese për themelimin dhe funksionimin e qeverise dhe parlamentit, se sa për themelimin dhe funksionimin e një kujdesi shëndetësor të mirëfilltë.

Pastaj Ministria e Shëndetësisë per disa mandate të tjera u qeveris nga partnerët jo dominantë të koalicioneve qeveritare që vinin nga shumica, ku edhe pse kishte lëvizje minimale drejt përmirësimit, prapë gjendja mbeti e nderë dhe alarmante dhe kriza thellohej edhe me tutje.

Sikur kjo te mos mjaftonte, Ministria e Shëndetësisë filloi te bëhej çerdhe e militantëve partiakë te cilët kryenin favore për shefat e partive dhe si shpërblim ata rehatoheshin me pozita ne Ministri të Shëndetësisë edhe pse ishin larg profesionalizmit dhe ekspertizës së nevojshme në menaxhimin e një resorti aq të rëndësishëm, kompleks dhe vital për komunitetin. Kjo domosdoshmërisht krijoi një krizë ne qeverisje brenda Ministrisë. Vendimet, ligjet, rregulloret dhe projektet që duhej të miratoheshin nga Ministria duhej te kalonin nëpër hallkat e vendimmarrjes, ku gjendeshin militantët e papërvojë, të cilët kriter kryesor për realizimin e projekteve sigurisht kanë interesat personale dhe të partive të tyre, e jo intersat e përgjithshme. Kjo pa dyshim se u reflektua ne te gjitha drejtimet, që nga bërja e “politikave shëndetësore” deri te hallkat e fundit te ekzekutimit të shërbimeve shëndetësore.

Gjërat duket se kanë filluar të levizin, edhe pse shumë pak dhe jomjaftueshëm, gjatë mandatit të fundit ku Ministria e Shëndetësisë qeveriset nga partia më e madhe ne vend, edhepse kjo performancë vazhdimisht është nën hije nga të bëmat e qeverisjeve të kaluara. Ikja masive e personelit shëndetësor nga Kosova duket se ka zgjuar shumë pak vemendjen e institucioneve, të cilat ende janë të fokusuara ndaj proceseve te tjera si dialogu, vizat etj.

Duke mos dashur të jem pesimist, por as idealist, mendoj se kriza në shëndetësinë kosovare ka gjasa te vazhdojë edhe me tutje si pasojë e mostrajtimit te shkaqeve që e sollen shendetesine kosovare ne kete gjendje, si pasojë e mosvendosjes së shendetesise si prioritet nacional, mosfinancimit te duhur ne sektorin shendetesor si dhe mosgatishmërisë së vendimmarresve dhe punetorëve shëndetësorë t’i nenshtrohen ndryshimeve të duhura nepermjet te cilave do te arrihej nje cilësi e pranueshme e kujdesit shendetesor. /Familjadheshendeti.com