Kjo është Kosova jonë, jo që e zbuluam sot , por e tillë është tash e sa kohë.

Shkruan: Blerina Ademi Sahiti✍🏻
Kosova Jonë!

Edhe sot, si shumë ditë përplasja me makina solli viktima në njerëz.

Shuhet një familje e tërë sepse një i ri i lazdruar do t’i tregojë të tjerëve se sa i zoti është, duke bërë gara në rrugë me 200 km në orë. Makina që ai vozitë është shumë e shtrenjtë për një 20 vjeçar, kështu që me shumë gjasa e ka blerë babai injorant. Ky i fundit është bërë milioner edhe pse nuk di shkrim e lexim dhe për rrjedhojë i kalon të birit të njëjta “vlera”.

Polici i Kosovës , nuk guxon bile ta ndalë e t’ia tërhjekë vërejtjen të riut se jo më ta dënojë, sepse e di që paratë për blerjen e makinës së shtrenjtë nuk vijnë dot nga qielli a nga djersa pa pasur një lidhje politike.

Kjo është Kosova jonë , e tillë është tash e sa kohë dhe jo që u zbulua sot.

Në Kosovën tonë mund të vdesësh duke pirë kafe pa e penguar asnjë, sepse një i lazdruar mbanë armë e është i droguar , e prania jote e pengon.

Po, po!
Kjo është Kosova jonë!
Tek ne mund të vdesësh duke ecur në trotuar , si më së miri, se një i lazdruar që do të shes mend me një makinë të shtrenjtë e humb kontrollin mbi timon dhe të dërgon në banesën e fundit , e pastaj kërkon faljen e gjakut me hoxhë e me Kur’an !

E qe besa mbahet në paraburgim 48 orë dhe e sheh të lirë se “drejtësia jonë” s’di tjetër.
Ta merr patentën 3 muaj e t’i heq 3 pikë e kur shkon i lazdruari i a mush gjepat pare as këto të fundit nuk vlejnë.

Kosova jonë ndahet në ata që kanë dhe në ata që munden , sepse ata që nuk kanë e pësojnë gjithmonë.

Ata që kanë vozitin makina të shtrenjta, vozitin 200km/h, mbjellin e shesin pluhur të bardhë, vjedhin prona e qe besa edhe vrasin njerëz pa e vrarë mendjen hiç për ligj e shtet.
Se ata që kanë e dinë se nuk i gjen gjë!

Ata që s’kanë në Kosovë , po atyre iu kërset xhepi sa herë që duan ndonjë shërbim, paguajnë dënime , vozitin nën limitin e tabelës pak nga frika e shumë nga fakti se makina e tyre nuk është super e shpejtë dhe ata që nuk kanë shkojnë në burg edhe për lidhje të dritave.

Kujt nuk i pëlqen shpejtësia ?!
Edhe mua më pëlqen !
Më pëlqen , por s’ma mbanë as xhepi e as kurrizi. Se po më zuri radari , më fikën e bile nëse tabela tregon 80km/h , unë kilometrazhën e ul në 70 se vallahi dënimet për ata që s’kanë lidhje politike e që se kanë babën në ndonjë pozitë e qe besa që s’kanë me korruptu policin, mos vet po të fikin.

Kjo është Kosova jonë e kur do të ndryshoj se di as unë as shtresa që jeton në kushtet si unë , sepse njerëzit që s’kanë në Kosovën tonë dimrin e kalojnë me stufë druri e furrën të mbushur me patate të pjekura e gjygymë mbi shporet e mendjen e bluajnë si ta kalojnë muajin, e jo sikur ata që kanë dhe mendjen e bluajnë se cila është makina super luksoze që pritet të dalë në treg e kilometrazha që sot përdori 180 a 200 km ishte pak, ani pse dikujt ia mori jetën , s’ka dert !