EDHE NJË HERË

Nga Fatmir Baci

Shokë të fëmijërisë…
Kur do të mblidhemi
Edhe një herë,
Si dikur…

Si atëherë,
Kur shkallët për në yje
Ishin aq të thjeshta,
Kur gjithçka përreth,
E shumta ishte lodër.

Dhe po të doni ju,
Fundja…
Të themi të vërtetën,
Nëse ajo që patëm atëherë
Nuk paska qenë e tillë.

Vajza më e bukur e klasës,
Le të jetë prapë ajo që ishte.
A në daçi ju,
E zgjedhim një tjetër.

Të dashurat t’i ndajmë mes nesh,
Si shokë,
Me “kokë a pil” si atëherë.

Nëpër ëndrrat e atëhershme
Të bredhim zbathur,
Dhe të paktën të besojmë,
Se ashtu jetuam.

Shokë të fëmijërisë,
Kur do të mblidhemi
Edhe një herë të vetme.
Sikur…
Vetëm sa të shikojmë
Nëse vërtet jemi rritur,
Kur…? /Familjadheshendeti.com