Me t’u martuar, ju nuk po merrni vetëm një grua, ju po merrni gjithë botën tuaj. Prej tani, e gjithë pjesën e mbetur të jetës, gruaja juaj do të jetë partneri juaj, shoqëruesi juaj dhe shoqja juaj më e mirë. Bashkë me të do të ndani momentet, ditët dhe vitet tuaja. Ajo do të ndajë gëzimet dhe dhimbjet tuaja, sukseset dhe dështimet tuaja, ëndrrat dhe frikën tuaj. Kur jeni i sëmurë, ajo do të kujdeset për ju; kur të keni nevojë për ndihmë, ajo do të bëjë gjithçka që mundet për ju. Kur t’ia zbuloni një sekret, ajo do ta mbajë atë; kur të keni nevojë për këshilla, ajo do t’ju ofrojë këshillat më të mira.

Ajo do të jetë gjithmonë me ju: gjëja e parë që do të shohin sytë tuaj kur të zgjoheni në mëngjes do të jenë sytë e saj; gjatë ditës, ajo do të jetë me ju, nëse për një moment nuk është me ju fizikisht, ajo do të jetë duke menduar për ju, duke u lutur për ju me gjithë zemrën, mendjen dhe shpirtin e saj; natën kur të shkoni për të fjetur, gjëja e fundit që sytë tuaj do të shohin do të jenë sytë e saj, madje edhe kur jeni në gjumë ajo do të jetë akoma në ëndrrat tuaja.  

Me pak fjalë, ajo do të jetë gjithë bota juaj dhe ju do të jeni gjithë bota e saj. Përshkrimi më i mirë që unë personalisht kam lexuar ndonjëherë lidhur me afërsinë e bashkëshortëve me njëri-tjetrin është ajeti kuranor i cili thotë: “Ato janë petk për ju dhe ju jeni petk për ato” (Surja El Bekare 2: 187).

Marrëdhënia midis bashkëshortëve është më e mrekullueshmja e mundur nga të gjitha marrëdhëniet njerëzore: niveli i dashurisë dhe pasionit, intimiteti dhe afërsia, mëshira dhe dhembshuria, paqja dhe qetësia që mbush zemrat e bashkëshortëve është thjesht e pashpjegueshme. Shpjegimi i vetëm racional për këto ndjenja, ndër më të mrekullueshmet njerëzore, është se është një veprim i Zotit të Plotfuqishëm, “Dhe Allahu ka krijuar për ju bashkëshorte nga vetja juaj …” (Surja Al Nahl 16:72).

Vetëm Zoti ynë i Plotfuqishëm me Fuqinë e Tij të Pafund, Mëshirën e pakufishme dhe Urtësinë e Madhe mund të krijojë dhe t’i rrënjosë këto ndjenja të mahnitshme dhe të bekuara në zemrat e bashkëshortëve. Në fakt, Zoti Fuqiplotë po ua kujton atyre të cilët i kërkojnë shenjat e Tij në univers se këto ndjenja të mbjellura në zemrat e bashkëshortëve janë një prej shenjave që duhet t’i udhëheqin njerëzit drejt ekzistencës së Tij siç thotë Zoti në Kuran, “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të gjeni prehje pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë” (Surja Rum, 21).

Por Zoti e di se zemra e njeriut nuk është një entitet statik, nganjëherë është e dobët dhe herë pas here dinamike. Ndjenjat mund dhe ndryshojnë me kohën. Dashuria mund të zbehet. Lidhja martesore mund të dobësohet nëse nuk kujdesemi për të siç duhet. Lumturia në martesë nuk mund të merret si e mirëqenë; lumturia e vazhdueshme kërkon dhënie të vazhdueshme nga të dy palët. Që pema e dashurisë martesore të mbetet e gjallë dhe të rritet, toka duhet të mbahet, mirëmbahet, ujitet dhe ushqehet. Mos harroni se ju do të shpërbleheni nga Zoti për çdo emocion që ju i shfaqni gruas suaj siç tha Profeti Muhamed: “Njeriu do të shpërblehet për çdo gjë që ai bën duke kërkuar me këtë kënaqësinë e Zotit, edhe kafshatën e ushqimit që ai i vendos në gojën e gruas së tij”.

Asnjëherë mos e nënvlerësoni rëndësinë e gjërave në dukje të vogla, si vendosja e kafshatës në gojën e gruas tuaj, hapja e derës së makinës për të, etj. Mos harroni se Profeti Muhamed dikur e shtrinte gjurin për t’i ndihmuar gruas së tij që të hipë mbi deve, në shenjë kujdesi për të. Mundohuni të gjeni gjithmonë kohë që të dy të luteni së bashku. Forcimi i lidhjes midis jush dhe Zotit të Madhërishëm është garancia më e mirë se lidhja juaj martesore gjithmonë do të mbetet e fortë.

Të kesh paqe me Zotin e Madhërishëm gjithmonë do të rezultojë në paqe në shtëpi. Gjithmonë përpiquni të bëni më të mirën që të keni sjellje të mirë me gruan tuaj me fjalë dhe vepra. Flisni me të, buzëqeshni me të, kërkoni këshillën e saj, kërkoni mendimin e saj, kaloni kohë cilësore me të dhe mbani mend që Profeti Muhamed tha: “Më i miri prej jush është ai i cili është më i miri për gruan e tij”.

Është normale që bashkëshortët zotohen të duan dhe nderojnë bashkëshortët e tyre derisa vdekja t’i ndaj ata. Ky premtim është i mirë, madje i shkëlqyeshëm, por nuk mjafton! Nuk mjafton vetëm ta doni gruan tuaj. Ju duhet të doni edhe atë që ajo e do. Familja e saj, të dashurit e saj duhet të bëhen gjithashtu të dashurit tuaj.  

Gjithashtu, nuk është e mjaftueshme që ju ta doni atë deri sa vdekja t’ju ndajë. Dashuria nuk duhet të mbarojë kurrë dhe ne besojmë se ka jetë pas vdekjes, ku të mirët dhe të drejtët në këtë botë do të bashkohen nga bashkëshortët dhe pasardhësit e tyre. Shembulli më i mirë në këtë drejtim është Profeti Muhamed, dashuria e të cilit për gruan e tij Hatixhen (me të cilën jetoi për 25 vite), përfshinte të gjithë ata që ajo i donte dhe vazhdoi edhe pas vdekjes së saj. Kishin kaluar shumë vite pas vdekjes së saj dhe ai kurrë nuk e harroi atë, dhe sa herë që një dele ishte prerë në shtëpinë e tij, ai do të dërgonte një pjesë të tij për familjen dhe miqtë e Hatixhes, dhe sa herë që ai mendonte se vizitori në derë mund të ishte motra e Hatixhes, Hala, ai do të lutej duke thënë: “O Allah, shpresoj që të jetë Hala”.

Përktheu dhe përshtati Jeton Zenuni

#Familjadheshendeti

Shpërndaje
  • 5.5K
  •  
  •  
    5.5K
    Shares