Shkruan: Ph.Mr.Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Cilët janë shkaktarët e gazrave (ngërçeve) tek foshnjat?

Pse ngërqet janë një gjendje e paevitueshme te foshnjat? 

Në cilat ushqime duhet pasur kujdes nënat gjidhënëse?

Po foshnjat që ushqehen me qumësht formulë a kanë ngërqe? 

Pse vie deri te ngërqet (gazrat)?

Shumica e foshnjave në muajt e parë të jetës së tyre kanë një sasi të konsiderueshme të gazit në traktin e tyre tretës, për shkak të papjekurisë së sistemit të tyre tretës. Kjo nuk do të thotë se foshnja ka ndonjë problem shëndetësor të caktuar. Shumica e foshnjave menaxhojnë më lehtë këtë gjendje me rritjen, pjekurinë dhe aktivitetin më të madh të tyre.

Shumica e foshnjave në muajt e parë të jetës së tyre kanë gazra, disa më shumë ose më pak se foshnjat tjera. Gazrat janë më të shpeshta gjatë natës, kjo ndodhë për shkak të sistemit të tyre tretës akoma të pajekur dhe nuk ka të bëjë gjithmonë me atë që nëna ha apo pi.


Sa ndikon dieta e nënës gjidhënëse në gazrat e foshnjës?

Ndër shqetësimet më të shpeshta të prindërve në javët e para të ardhjes në jetë të foshnjes, janë ngërqet apo gazrat të cilat përcillen me parehati të madhe të foshnjës, saqë të dy prindërit ndodhen të pafuqishëm dhe të pashpresë për ta ndihmuar përballë një gjendje të tillë.

Padyshim se qumështi i gjirit ngelet ushqimi më i mirë dhe më i pazëvendësueshëm për foshnjat (më përjashtim për nënat që e kanë të pamundur t’i ushqejnë me gji foshnjat e tyre). Duke u cilësuar si “ari i lëngët”, qumështi i gjirit përmban të gjithë nutrientët e nevojshëm si vlerat kalorike të yndyrnave, proteinave, si dhe siguron imunitetin e nevojshëm për ta mbrojtur foshnjën nga sëmundjet e ndryshme. 

Mirëpo, shumë nëna janë në dilemë se mos qumështi i gjirit është “i dobët” dhe në këtë formë foshnja ka shumë ngërqe, ose ngërqet i ka në mase të madhe ngaqë nuk u mjafton qumështi i gjirit, madje duke marrë hapa shumë të nxituar dhe fatkeqësisht e kalojnë foshnjën në qumësht formulë për këto arsye.

Unë e kuptoj shqetësimin e nënave, mirëpo do i lusja për durim në fillimet e këtij procesi të jashtëzakonshëm si për nënën dhe foshnjën, ndërsa ngutia në kalimin me qumësht formulë do t’ju kushtojë në çdo formë.
Qumështi i gjirit është bërë nga ato lëndë ushqyese që kalojnë në gjakun e nënës, jo nga ato që janë në stomakun e saj ose në rrugën e tretjes!

Shumë nëna janë të shqetësuara për mënyrën se si dieta e tyre ushqimore, kontribuon në shkaktimin e gazrave të foshnjës së tyre.
Ekziston një hulumtim i kufizuar shkencor që provon se ushqimet e caktuara në një dietë të nënës gjidhënëse, shkaktojnë probleme të zorrëve në foshnjat e tyre. Disa foshnja mund të reagojnë ndaj ushqimeve të veçanta në dietën e nënës, por kjo nuk do të thotë që ka një listë të veçantë ushqimesh që një nënë gjidhënëse duhet tu shmanget patjetër.

Shumica e foshnjave tolerojnë ushqimin e konsumuar nga nënat e tyre, nëse vëreni se pas ndonjë ushqimi që ju hani, foshnja juaj shqetësohet dhe ka ngërqe, provoni të shmangni ushqimin për një kohë dhe shikoni se çfarë do të ndodhë. Shumë nëna kanë raportuar ushqime të tilla si kale, spinaqi, fasulja, qepët, hudhrat, speca ose ushqime me erëza, shkaktojnë gazra te foshnjat e tyre.

Të gjitha ushqimet që përmbajnë proteina të qumështit të lopës, janë të paraprira për të shkaktuar gazra te foshnjat që ushqehen me qumësht gjiri. Edhe pse disa foshnja mund të përjetojnë një tolerancë të përkohshme ndaj qumështit nga dieta ushqimore e nënës, megjithatë shumica e fëmijëve do të fillojnë të tolerojnë proteinat e qumështit të lopës pas vitit të parë të jetës.
Nëse fëmija juaj ka alergji të vërtetë ndaj proteinave të qumështit, mund të vëreni simptoma si: lëkurë të thatë (irrituar), skuqje, dhimbje barku, gazra të vazhdueshme.
Nëse fëmija juaj diagnostikohet me alergji në proteina të qumështit dhe është në procesin e gjidhënies, atëherë nëna duhet këshilluar nga një mjek dijetolog që të ndjekë një dietë të kufizuar ushqimore gjatë gjidhënies. 
Lista e ushqimeve që “mund të shkaktojnë gazra” praktikisht është e pafundme dhe nënat përpiqet ti shmangin të gjitha këto ushqime (pa nevojë), duke pasur një dietë shumë të kufizuar gjatë procesit të gjidhënies. Nënat që i ushqejnë fëmijët e tyre me qumësht formulë, fajin e hedhin në atë se qumështi mund të ishte i ftohur shumë, lloji përkatës i formulës jo adekuate, qumështi shumë i ngrohtë etj.

Një nga mënyrat për të identifikuar saktësisht se çfarë po shkakton rritjen e gazit të fëmijës suaj, është të përdorni një dietë eliminimi. Ju mund të filloni duke eliminuar ushqimet e njohura për të shkaktuar gazra gjatë ushqyerjes me gji, duke përfshirë qumështin e lopës dhe ushqimet me erëza. Nëse gazi i fëmijës suaj duket se pakësohet, diçka në dietën tuaj mund të jetë shkaku.
Asesi nuk duhet të injoroni rëndësinë e ushqyerjes së mirë gjatë përiudhës së gjidhënies, përveq nëse mjeku juaj thotë ndryshe, ju do të duhet të merrni më shumë se 500 kalori çdo ditë, si dhe të pini sasi të mjaftueshme të ujit.

Mos harroni se ushqimet që ju merrni janë vetëm një nga shkaqet që lidhen me gazrat tek foshnja juaj.
Gjithashtu, të gjitha foshnjat do të përjetojnë gazra për shkak të trakteve të tyre të vogla të tretjes dhe tendencës për të gëlltitur ajrin. 

Gjithashtu, lloji i ushqimit që shkaktoi gazra mund të qëndrojë në sistemin tuaj për 24-72 orë, që do të thotë se fëmija juaj mund të ketë disa simptoma për disa ditë pasi të keni ngrënë një ushqim që mund shkaktojë gaz.

Si mund t’a ndihmoni fëmijën gjatë kësaj përiudhe aspak të lehtë?

Mundohuni që fëmija juaj të mos ushqehet shumë shpejtë.
Mundohuni të mësoni se cilat nga ushqimet që jeni duke marrë janë duke u toleruar mirë ose janë duke shkaktuar gazra te foshnja juaj dhe mos harroni se çdo foshnje është unike në një mënyrë apo tjetër.
Nuk ka listë të ushqimeve që duhet të shmangur gjatë gjidhënies. Prandaj, nuk ka arsye për t’u shmangur një ushqim nga nëna, përveç nëse vërehet një reagim i dukshëm tek foshnja juaj pasi që keni ngrënë një ushqim të caktuar.
Provoni masazh të foshnjës (sidomos në bark) dhe këmbët e foshnjës.


Ushqyerja e foshnjave me qumësht formulë

Foshnjat zakonisht gëlltitin më shumë ajër kur pijnë nga një shishe. Këshilloheni që gjatë përzgjedhjes së shisheve, të merrni ato që kanë thithat me rrjedhje më të ngadaltë, kështu që foshnja të mos mbushet me rrjedhën e qumështit. Për të zvogëluar gllabërimin e ajrit, mbani fëmijën në rreth 45 shkallë (në vend që ta shtrini). Ka edhe varietete të shisheve që synojnë të ulin gëlltitjen e ajrit. Mos lejoni që fëmija të thithë në një shishe të zbrazët. 


Si ta trajtojmë një foshnje me këtë gjendje në muajt e parë të jetës?

Pas javës së dytë të jetë së foshnjave, vijnë prindër në barnatore dhe na drejtohen që t’ju japim produktin më të mirë i cili do t’ua ndalojë të qarat dhe do i qetësojë sidomos gjatë natës. Mirëpo, a ekziston një produkt i cili ua ndalë në vend gazrat? Natyrisht që jo!
Për shumicën e foshnjave, trajtimi më i mirë që mund t’u ofrojmë, është tu japim kohë dhe të kemi durim deri në tejkalim të kësaj situate. Derisa të ndodhë pjekja (formimi) i traktit të tyre tretës, foshnja ka gjasa të ketë më shumë gazra, pa marrë parasysh se çfarë i ofrojmë apo çfarë mund të bëjmë ne si prindër. 
Çdo gjë që fëmija është duke ngrënë / pirë, përveç qumështit të nënës (si dhe qumështit formulë), duke përfshirë vitaminat, formulën, çajin, barnat etj, ka një potencial shumë më të madh për të rritur sasinë e gazrave në vend se t’i ulë ato.

Cilat produkte mund t’i marrim për t’ua lehtësuar gjendjen?

Simetikoni (Metsil, Espumisan) 
Ky mjekim konsiderohet mjaft i sigurtë, pasi nuk absorbohet nga trupi. Simetikoni thyen fluskat e gazit të bllokuara në stomak dhe zorrë. Në provat klinike, pikat e simetikonit janë treguar të jenë efektive në zvogëlimin e sasisë totale të gazit të kaluar.

Gripe uji 
Gripe uji është një shtesë e lëngshme e bikarbonatit të natriumit dhe bimëve të tilla si: kopër, xhenxhefil, kamomil, kardamom, jamballë, kanellë, karafil, balsam limoni ose mente, në varësi të formulës. Përdoret për të qetësuar dhimbjet nga gazrat dhe problemet tjera të stomakut te foshnjat.

Çaj nga kopra ( plantex çaj)
Është bërë nga frutat e koprës. 
Çaji plantex ndahet dhe përpunohet shpejtë dhe kështu absorbohet më shpejtë nga organizmi. Substancat aktive që gjenden në të ndalojnë shfaqjen e gazrave dhe kontribuojnë në shkarkimin shpejtë të ngërçeve të stomakut.

Probiotikët
Një lloj i veçantë i probiotikëve të quajtur Lactobacillus reuteri është gjetur të jetë efektiv në trajtimin e dhimbjeve të barkut. Ndihmon në zvogëlimin e inflamacionit të zorrëve. Në të njëjtën kohë, Lactobacillus reuteri mund të reduktojë nivelet e dëmshme të bakteries E. coli. Shumë nga produktet që lehtësojnë ngërqet te foshnjat të cilat gjinden në vendin tonë, janë të formuluara me probiotikë në kombinim me kopër, kamomil, balsam lemon apo bimë tjera lehtësuese të ngërqeve.