Çika e babit

Shkruan: Blerina Ademi Sahiti
Çika e babit,
Ti e vogla ime, fjalët që po t’i them mbaji vathë në vesh sepse e ardhmja vjen shpejt

Çika e babit,
As për hir të dashurisë dhunën mos e duro!

Herën e parë që të nënçmon
Herën e parë që të detyron të bësh diçka pa dëshirën tënde
Herën e parë që të fyen
Largohu nga ai!
Sepse, kur e bën njëherë do ta bëjë përherë.

Çika e babit
Mos rezisto as për mua e mamin dhe as për hir të dashurisë sepse jeta nuk është një ditë.
Dikur kjo hera e parë do të bëhet e dyta, e treta dhe do të bëhet përditshmëria jote.

Kur ai qesh me idetë tua.
Kur të kontrollon.
Kur të sundon.
Kur godet tavolinën në debatin e parë që keni.
Kur të thotë “kështu jam, nëse do më mirë, ja ku e ke derën”
Kur mbetesh vetëm ti ne faj në gjithçka.

Mos rezisto çika e babit.
Largohu nga ai, herën e parë.
Lëre bota le të flasë.
Jeta jote s’janë fjalët e botës.

Mos duro!
Herën e parë që trupi yt do ta ketë tatuazh dhunën në trup.
Largohu nga ai.
Mos ia fal arsyetimet, sepse dhuna dhe dashuria bashkë nuk shkojnë.

Çika e babit
Mbaji vathë në vesh.
Mos e lejo egon tënde të të sundojë.
Dera ime gjithmonë do të jetë e hapur për ty sepse ti edhe përtej vdekjes do të jesh çika jem.
Shtëpia jote gjithmonë do të jetë vendi ku u linde.