Nga Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Ethet që zhvillohen te sëmundjet e zakonshme virale të tilla si: ftohjet, kollitja, dhimbja e fytit dhe sëmundjet gastrointestinale ( të traktit tretës), zakonisht zgjasin disa ditë duke shkaktuar rënie disponimi dhe parehati tek fëmijët, ankth për prindërit dhe kujdestarët, si dhe frikë se mund të vie deri te konvulsionet febrile, andaj duhet filluar me dhënien e barnave antipiretike si acetaminofen (paracetamol) dhe ibuprofen.

Këto barna reduktojnë ethet dhe temperaturën, mirëpo nuk ndikojnë në procesin e sëmundjes. Pra, lehtësimi simptomatik i etheve dhe temperaturës nuk duhet të largojë vëmendjen për të gjetur shkaktarin e tyre.

Opsionet e linjës së trajtimit të parë dhe të dytë, përfshijnë Paracetamol dhe Ibuprofen.


Acetaminofen (Paracetamol)

Paracetamoli është analgjetik/ antipiretiku më i përdorur tek fëmijët. Tolerohet shu mirë nga të gjitha grupmoshat e fëmijëve. Përdoret në menaxhimin e dhimbjes së butë deri tek përshkallëzimi i dhimbjes.
Paracetamol ka efekt analgjetik/ antipiretik por nuk ka efekte antiinflamatore të rëndësishëm.

Dozimi i Acetaminofen

Dozimi i acetaminofen bëhet për kg/ të peshës trupore e asesi me moshë të fëmijës.

Dozimi i përgjithshëm

1 muaj – 18 vjet
10 deri 15 mg / kg për dozë (maksimumi 1 g në ditë) çdo katër orë.

Paracetamol gjindet si sirup dhe supozitorë për fëmijët.

Si sirup 100mg/ 5ml, 120 mg/5ml dhe 250mg/ 5ml, pashtu si supozitorë 80mg, 125mg, 150mg, 250 mg.


Orientim dozimi te administrimi rektal (supozitorë) patjetër të mirret parasysh pesha e fëmijës, mënyra orientuese:

– Më pak se 7 kg – 80 mg paracetamol
– 7 kg – 125 mg ( 3 supozitorë brenda ditës )
– 8 kg deri 12 kg – 125mg ( 4 supozitorë brenda ditës)
– 13 kg deri 15 kg – 250 mg (3 supozitorë brenda ditës )
– 16 kg deri 25 kg – 250 mg ( 4 supozitorë brenda ditës).

Këto doza mund të përsëriten deri në maksimum 4 herë në 24 orë.
Doza nuk duhet të përsëritet më shpesh se çdo 4 orë.
Nuk duhet tejkaluar doza e rekomanduar ditore.

Nuk duhet të përdoret më shumë se 3 ditë radhazi, me përjashtim të këshillës apo recetës së mjekut.
Duhet të administrohen vetëm supozitorë të plotë (mos e thyeni supozitorin para administrimit).

Paracetamoli tolerohet mirë tek fëmijët për lehtësim të dhimbjes, etheve dhe temperaturës. Psh pas vaksinimit mund të paraqiten efekte anësore të vogla të cilat janë të zakonshme dhe konsiderohen si shenjë se sistemi imunitar i fëmijës po reagon pozitivisht ndaj vaksinës. Efekte anësore të vogla përfshijnë ënjtje në vendin e injektimit, temperatura e ngritur, skuqje e lëkurës. Në këtë rast një dozë e paracetamolit mund të përdoret mënjeherë pas vaksinimit me qëllim që të reduktohet incidenca dhe ashpërsia e efekteve anësore të vogla nga mosha dy muajshe.


Dozimi i duhur i barit

Dhënia e dozës korrekte është shumë e rëndësishme sepse shumica e barnave duhet të merren në sasi të caktuar dhe në kohë të caktuar për të qenë efektive. Asnjëherë mos përdorni një lugë kuzhine për të matur barin, sepse këto nuk ofrojnë matje standarde. Në vend të kësaj, merrni një pajisje matëse të dizajnuar për të dhënë doza të sakta të barnave (shiringa, dozator).
Cilado qoftë metoda që përdorni, është e rëndësishme që fëmija juaj të marrë çdoherë gjithë sasinë e barit. Nëse humbet një dozë, mos jepni kurrë dy doza përnjeherë.A është në rregull t’i ipet një 4 vjeçari një dozë e barit e rekomanduar për një 6 vjeçar, në dozë më të vogël?
Dozimi zakonisht bazohet në peshë, jo në moshë, megjithëse në shumë fletëudhëzime shkruhet në bazë të moshës dhe peshës, duke gjetur një mesatare. Pra, nëse fëmija juaj ka peshë shumë më të lartë ose më të ulët sesa mesatarja, doza e rekomanduar mund të mos jetë adekuate për të ( nëse pesha e 4 vjeçarit është e barabartë me të 6 vjeçarit atëherë mund të ipet dozë e njejtë). 

Për më shumë informata https://www.familjadheshendeti.com/perdorimi-i-barnave-ne-menyre-te-sigurte-nga-prinderit-per-femijet-e-tyre/


Ibuprofeni

Ibuprofen është një alternativë e përshtatshme për trajtim simptomatik. Ashtu si paracetamoli, ibuprofen është jashtëzakonisht i lirë nga efektet anësore kur merret në doza terapeutike. Nga këto efektet anësore, si më të shpeshta të raportuara janë çrregullimet e vogla gastrointestinale. Ka veti të ngjashme antipiretike / analgjetike si paracetamoli, por ka edhe veti antiinflamatore dhe mund të favorizohet në raport me paracetamolin në kushte të caktuara inflamatore siç janë migrena, infeksioni i veshit të mesëm dhe disa dhimbje muskulo-skeletike dhe tendosje që përfshijnë inflamacion akut në indet e buta.

Dozimi i Ibuprofenit tek fëmijët

Doza e ibuprofenit tek fëmijët është 10mg/ kg të peshës trupore. Doza mund të administrohet çdo 6 deri në 8 orë. Doza maksimale ditore është 40mg/ 1kg të peshës trupore.

Ibuprofen për fëmijë gjindet si sirup 100mg/5ml, 200mg/ 5ml dhe në formë të supozitorëve 75mg ose 150 mg.


Reagimi më i mirës me një bar apo terapi alternuese?

Në përgjithësi dhimbja, ethet dhe temperatura tek fëmijët përgjigjet mjaft mirë pas dozimit të parë ose të dytë me paracetamol ose ibuprofen dhe mund të menaxhohen lehtësisht nga prindërit.

Nëse fëmija luan, ushqehet më mirë dhe shihet qartë rënie e temperaturës, kjo tregon se organizmi i fëmijës është përgjigjur mjaft mirë ndaj dozimit fillestar me paracetamol.

Megjithatë, kur ndodh një reagim nën mesatar, ose në situata më të moderuara deri në të rënda tek ngritja e temperaturës, dozimi fillestar me paracetamol mund të ndiqet me përdorimin shtesë të ibuprofenit.

Doza alternuese çdo 6 deri në 8 orë mund të përdoret në mënyrë që një bar ose tjetri të administrohet çdo3 ose 4 orë ( p.sh i është dhënë paracetamol fëmijës dhe pas 4 ore nëse nuk ka rënie të temperaturës ipet ibuprofen).

Dozimi i paracetamolit bëhet çdo gjashtë orë dhe ibuprofenit çdo 8orë. Nuk ka fakte të mjaftueshme për të mbështetur këtë praktikë, prandaj terapia alternative duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrjen profesionale pas shqyrtimit të rreziqeve dhe përfitimeve të mundshme të ekspozimit ndaj të dyja barnave.

Temperatura normale e trupit është rreth 37°C, por kjo mund të ndryshojë nga 36°C- 38°C. Një temperaturë prej 38°C do të konsiderohet lehtësisht e rritur.

Në përgjithësi është e këshillueshme dhe e dëshirueshme që prindërit duhet të fillojnë dhënien e një doze analgjetiku kur dyshohet ose zbulohet një sëmundje febrile (rritje e temperaturës).

Një rënie e temperaturës për 1°C ose më shumë pas dhënies së dozës fillestare të antipiretikut, është tregues i një përgjigjeje të mirë ndaj terapisë dhe duhet të inkurajojë vazhdimin e dozimit.

Kur nuk ka përgjigje të duhur në barna të dhëna, ose përgjigja është e dobët, prindërit duhet drejtuar mënjeherë te mjeku.


Diklofenak

Diklofenak një bar antiinflamator josteroid i disponueshëm në forma orale (tableta, kapsula, drazhe) dhe si supozitor.

Ipet me përshkrim të mjekut dhe më së shumti reagon në gjendjet inflamatore si artriti dhe tek dhimbjet afatgjata kur merret rregullisht disa ditë, ndërsa tek ne përshkruhet me të madhe dhe kërkohet nga prindërit për të ulur temperaturën tek fëmijët.

Supozitorët jepen dy herë në ditë, një në mëngjes dhe një në kohën e gjumit. Idealisht këto kohë duhet të jenë 10-12 orë larg njëra tjetrës.

Format farmaceutike të diklofenak për fëmijë:
Supozitorë 12.5mg, 25mg dhe 50 mg


Menaxhimi i suksesshëm

Shumicën e rasteve ethet, dhimbjet mesatare dhe të moderuara tek fëmijët mund të menaxhohen me sukses me përdorimin e një agjenti të vetëm.

Në të vërtetë, fëmijët që reagojnë pozitivisht ndaj dozës fillestare të paracetamolit ose ibuprofenit, NUK do të kenë nevojë për ndërhyrje të mëtejshme mjekësore, përveç vazhdimit të terapisë deri sa të zgjidhet sëmundja.

Në rast të mosreagimit të dozave fillestare, duhet të kërkojnë këshilla të mëtejshme mjekësore.