Nënë, ç’është dashuria?

  • Nënë, ç’është dashuria?
  • Është diçka që nuk mund të shpjegohet me fjalë, bija ime. Nëse përdor fjalët, ka rrezik që ta shndërroj atë në një gjë që nuk është. Por… mund të të tregoj diçka që të bën ta përjetosh vetë. Si thua?
  • Po, të lutem.
  • Mirë pra, mbylli sytë dhe mendo çastin kur vrapon me të shpejtë për të më përqafuar. Ja, ajo fuqi që të sjell drejt meje, është pikërisht dashuria.
  • Vetëm kaq? Po atëherë, pse ka kaq shumë njerëz që vuajnë për dashurinë?
  • Sepse nuk e lënë veten të lirë dhe i bëjnë rezistencë asaj fuqie, bijë. Këtë e bëjnë për shumë kohë, derisa nuk ia dalin dot më.
  • Nuk e kuptoj se si mund t’i rezistojë njeriu një fuqie kaq të bukur, nënë. Unë ndihem shumë mirë kur jam në krahët e tu.
  • Fëmijët shkojnë përherë pas fuqisë që i tërheq; të rriturit nuk veprojnë njëlloj. Ata i ndërlikojnë shumë gjërat. Në vend që të ndjekin rrugën e dashurisë, ata përpiqen ta përcaktojnë si fillim atë.
    Duke bërë kështu, humbasin kohë, energji dhe forcë. Në fund humbasin edhe vetveten.
  • A ka ndonjë që arrin ta ndjekë atë rrugë kaq të bukur?
  • Oh, sigurisht, bijë! E ndjekin ata njerëz që kanë mësuar të dëgjojnë vetëm zemrën e tyre dhe nuk hutohen nga zhurmat e botës. Të tillët mund t’i dallosh nga vështrimet: ata kanë sy që qeshin.
  • Nënë, kur të përqafoj ty, unë qesh e tëra!
  • Mos e harro kurrë atë fuqi, bija ime… Është i vetmi ligj që duhet ndjekur.
  • Elena Bernabè
    Përktheu: Klodi Smajlaj