Nga: Mr.Ph Laureta Berisha Kosumi, farmaciste

Të “mos” flasim sot për papunësinë ngaqë kemi “festë”, as të mos flasim për të rinjtë tanë të cilët i mësyjnë rrugët jashtë vendit ngaqë vendi ynë nuk u ofroi minimumin që i duhet një njeriu, e ajo është një vend pune. Të “mos” flasim sot për tërë ata profesionistë tanë të çmuar që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit tonë me apo pa dashjen e tyre, ata të cilët janë krenaria jonë por që vendi ynë nuk u ofroi vendin meritor, ndoshta edhe “kishin” të drejtë ata që i larguan nga vendi, ngaqë nuk posedonin kapacitetet e duhura për t’i vleresuar, ngaqë për ta gjithçka shkoi lehtësisht për ta zënë atë karrige të famshme çoftë me apo pa meritë, çoftë me apo pa shkollë. 

Sot të “mos” flasim për shumë koka të mençura që rrijnë në shtëpitë e tyre të papunë pas përfundimit të studimeve, ngaqë ua kanë zënë vendin shumë “dajë e teze” të udhëheqësve tanë.
Asesi të “mos” flasim për tërë rininë tonë që thur ëndrra në vendin tonë, si ta ngrisin vendin tonë me kapacitetet e tyre, mirëpo fatkeqësisht ato ngelen vetëm ëndrra të parealizuara.

Mirëpo, sot t’u përkushtohemi të punësuarve, atyre të cilët përditë u shkelet kontrata (ata që kanë kontratë)…

Është ai punëtori i krahut, që punon pa kontratë pune, i cili rrezikon jetën në lartësi të mëdha pa mbrojtje, madje edhe shumë prej tyre kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ata të cilët durojnë ngaqë kanë për të mbajtur familjen…

Është ajo nëna punonjëse, e cila në vend që të gëzohet për fëmijën që pret, merzitet dhe stresohet ngaqë shumë shpejtë do të ngelë pa punë (te shumë punonjës privat), pastaj ne befasohemi se ka rënje të natalitetit…

Nëse punëdhënësi dhe punëmarrësi e kryejnë në reciprocitet të plotë punën dhe përgjegjësitë, do të qojnë përpara një biznes dhe do të jeni në harmoni të plotë, në të kundërtën suksesi është i mangët.

Punëdhënës, çdo punëtor ka vlerë, andaj mos mendoni të pasuroni veten pa e ngritur kurrë punëtorin e mirë, pa e vlerësuar si duhet profesionistin, pa e ndihmuar nënën e cila mendon a të lindë fëmijë tjetër ngaqë do i rrezikohet vendi i punës, pa stimuluar studentin i cili punon që të financojë studimet e tij. 

Urime 1 maji të gjithë punëtorëve, meqë jam shumë punëtore po i’u përshendes nga vendi im i punës, duke uruar që t’i respektojmë së paku ditët e festave zyrtare për të pushuar, sepse punëtori i mirë dhe ai i keq kanë kohë kur do u vlerësohet puna brenda vitit. /www.familjadheshendeti.com