Sëmundjet e zemrës, cilët janë faktorët e rrezikut dhe masat parandaluese 

Nga Dr. Gojart PLLANA 

Spz. i Kardiologjisë me Angiologji

Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Klinika e Kardiologjisë

Sëmundje kardiovaskulare konsiderohen të gjitha sëmundjet që prekin zemrën dhe enët e gjakut, të cilat janë shkaku më i madh i vdekjeve në të gjithë boten. Një ndër diagnozat kryesore që zë vend sa i përket sëmundshmërisë, por edhe vdekshmërisë nga problemet kardiovaskulare është sëmundja aterosklerotike. Kjo sëmundje prek enët e gjakut që ushqejnë zemrën, të cilat quhen arterie koronare, si dhe enët e gjakut që ushqejnë trurin dhe enët e gjakut periferike që ndodhen kudo në trup.

Sëmundje të tjera që bëjnë pjesë në këtë grup janë:

Sëmundjet që prekin muskulin e zemrës dhe që çojnë në dobësim të forcës së tij, pra në insufiçencën kardiake apo thënë ndryshe pamjaftueshmëri e zemrës.

Sëmundjet valvulare janë patologjitë që prekin valvulat e zemrës. Këto sëmundje mund të jenë të lindura ose të fituara. Sëmundje të fituara kanë si shkak kryesor sëmundjen reumatizmale që mund të ketë kaluar një njeri në fëmijëri apo adoleshencë dhe që manifestohet në moshë të rritur me sëmundje valvulare të zemrës.

Sëmundjet e zemrës që manifestohen me aritmi. Aritmia, e njohur gjithashtu edhe si rrahje e parregullt e zemrës ose disritmia kardiake, është një gjendje ku rrahjet e zemrës janë të parregullta, shumë të ngadalta ose shumë të shpejta.

Insulti cerebral që mund të jetë me natyre iskemike, i cili ndodh kur një tromb bllokon enën e gjakut që ushqen një zonë të caktuar të trurit apo me natyrë hemoragjike kur kemi çarje të enës së gjakut. Zakonisht insulti me natyrë hemoragjike shkaktohet nga hipertensioni arterial.

Faktorët e rrezikut dhe parandalimi i tyre 

Sëmundjet kardiovaskulare mund të parandalohen duke pasur në menaxhim faktorët e rrezikut që i stimulojnë ato. Faktorët e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare kategorizohen në faktorë të pamodifikueshëm dhe në faktorë të modifikueshëm.

Te faktorët e pa modifikueshëm bëjnë pjesë: 

Mosha – Meshkujt mbi 45 vjeç dhe femrat mbi 55 vjeç kanë rrezik për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. 

Gjinia – Meshkujt janë më të rrezikuar se femrat për të zhvilluar sëmundje artereoskleroike, pra të enëve të gjakut. Te femrat ky rrezik shtohet me fillimin e menopauzës.

Trashëgimia – Personat që kanë në pemën familjare një mashkull që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 55 vjeç ose një femër që ka pësuar një atak kardiovaskular para moshës 65 vjeç, quhen që kanë trashëgimi për të zhvilluar sëmundje kardiovaskulare. 

Faktorët e modifikueshëm, të rreziku janë:

Diabeti – personat diabetikë janë dyfish më të rrezikuar për të zhvilluar sëmundje artereosklerotike të enëve të gjakut kundrejt jodiabetikëve.

Hipertensioni – Te një person me shifra të larta të tensionit arterial, enët e gjakut janë në një presion më të lartë i cili çon në prishje të shtresës së brendshme të enëve të gjakut që quhet endotel dhe prisha e tij çon në formimin e pllakës artereosklerotike, deri në mbyllje nga trombi.

Dislipidemitë – ç’rregullim i yndyrërave ne gjak. Vlerat e larta të yndyrave në gjak kontribuojnë ne formimin e places aterosklerotike duke shkaktuar ngushtimin e enëve të gjakut me ç’rast rrisin mundësinë e atakut në zemër.

Duhanpirja – Kjo është pjesë e stilit të jetesës dhe është një nga armiqtë kryesor të enëve të gjakut. Me ndërprerjen e duhanit, ka mundësi që të zhduken edhe efektet e tij të dëmshme. Nuk është kurrë vonë për të ndaluar duhanin. Është shumë e rëndësishme për të mos zhvilluar sëmundje kardiovaskulare, pasi vazhdimi i pirjes së duhanit pas diagnostikimit me sëmundje të zemrës mund të konsiderohet “vetvrasës”.

Mënyra e të ushqyerit- Shumë e rëndësishme është ushqyerja me një dietë të shëndetshme; konsumimi i vajit të ullirit, frutave dhe perimeve dhe konsumimi i kontrolluar i yndyra shtazore.

Aktiviteti fizik- Ne futemi tek popujt sedentar, që nuk kryejnë aktivitet. Pra hamë keq dhe nuk lëvizim. Duhet të bëhet aktivitet fizik i moderuar deri në të fuqishëm, të paktën 2 orë e 30 min/ javë. Nëse aktiviteti që zhvillohet është aerobik i fuqishëm, mjafton edhe 1 orë e gjysmë/ javë. Kush nuk ka kohë për aktivitet ushtrimor, mund edhe vetëm të ecë deri në 30 minuta/ditë. Aktiviteti fizik luan një rol shumë të rëndësishëm në rritjen e kolesterolit të mirë në organizëm.

Stresi – Nuk është një faktor i mirëfilltë rreziku por ai nxit shfaqjen e sëmundjes artereosklerotike. Stresi nxit shpërthimin e hormoneve- katekolaminave, të cilat janë vazo ngushtuese dhe bëjnë ngushtimin e enëve të gjakut të zemrës, të cilat nëse janë edhe të shtresëzuara nga pllakat arterosklerotike, mund të çojnë në mbylljen totale të enës së gjakut, duke shkaktuar infarktin.

Prandaj është shumë e rëndësishme kryerja e vizitave sistematike, që nënkupton vizita te rregullta periodike, të paktën një herë në vit për të realizuar ekzaminime kardiovaskulare si dhe analizat rutinore laboratorike. Këto kontrolle janë shumë të rëndësishme pasi ka situata të trashëguara dhe duke bërë këto kontrolle të vazhdueshme arrihet të diagnostikohet në kohë dhe të parandalohet përkeqësimi i këtyre faktorëve dhe shfaqja e sëmundjeve të zemrës./Familjadheshendeti.com