Sëmundja e sheqerit – diabeti te femrat

Nga Dr. Besa Vranovci – Mjeke e përgjithshme

Çka është diabeti?

Diabeti – sëmundja e sheqerit, është një sëmundje kronike që karakterizohet nga rritja e nivelit të glukozës apo sheqerit në gjak, për arsye se organizmi nuk mund të prodhojë insulin ose prodhimi është i pamjaftueshëm, apo pamundësisë së veprimit të insulinës në qelizat e organizmit. Sheqeri që është burim energjie, për tu përdorur ka nevojë për insulinë, nëse insulina nuk prodhohet ose nuk funksionon mirë, sheqeri nuk thithet dhe rritet niveli i tij në gjak. Insulina është një hormon që bën futjen e glukozës – sheqerit në qelizë.

Diabeti shpesh quhet vrasës i heshtur sepse simptomat e diabetit vështirë vërehen dhe shumë lehtë merren për diçka tjetër. Diabeti zakonisht diagnostikohet me anë të hulumtimeve dhe analizave që nuk lidhen me vetë diabetin.

Sa forma të diabetit kemi?

Format e diabetit janë:Diabeti tip1 I cili haset në 10 deri në 15 për qind të sëmurëve me diabet dhe shkaktohet nga mungesa totale e prodhimit të insulinës dhe këta të sëmurë varen nga insulina, kjo formë e diabetit me shpesh takohet tek fëmijët dhe të rinjtë.

Diabeti tip2 i cili është shumë më i shpeshtë dhe haset në 90 për qind të rasteve me diabet dhe shkaktohet nga prodhimi i pamjaftueshëm i insulinës. Shfaqet zakonisht pas moshës 40 vjeç, mirëpo kohëve të fundit po haset shumë shpesh edhe tek fëmijët dhe të rinjtë me mbipeshë.

Diabeti i shtatzënisë, i cili shfaqet gjatë shtatzënisë 2 deri në 5 për qind dhe mund të përparoj ose te zhduket pas lindjes.

Diabeti i shtatzënisë është plotësisht i shërueshëm por duhet një mbikëqyrje e rreptë mjekësore. Pra, gratë shtatzëna duhet gjithmonë të kontrollojnë glikeminë, e sidomos nëse në familje kanë të sëmurë diabetik.

Kush mund të preket nga diabeti?

– Personat që kanë familjarë me diabet –trashëgimia

– Moshat mbi 45 vjeç

– Obeziteti dhe mbipesha

– Sasia e lartë e kolesterolit në gjak

– Mungesa e aktivitetit fizik

– Ushqyerja jo e shëndetshme

– Tensioni i lartë i gjakut

– Konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë te sheqerit

– Gratë me diabet gjatë shtatzënisë apo ato që kanë lindur fëmijë me peshë të madhe etj.

Cilat janë shenjat e diabetit?

– Etje e shtuar, pra pirja e ujit në sasi të madhe

– Urinim i shpeshtë dhe në sasi të madhe si ditën ashtu edhe natën

– Tharje e gojës

– Shtim i oreksit mirëpo kemi humbje në peshë

– Lodhje më tepër se zakonisht

– Dhimbje stomaku

– Shikim i mjegullt

– Mungesë në përqendrim

– Mpirje e duarve apo e këmbëve

– Plagë të ndryshme që mezi mbyllen

– Infeksione të ndryshme

– Mirëpo nuk duhet harruar asnjëherë se në shumicën e rasteve, diabeti tip2 mund të mos shfaqë fare shenja për vite me radhë dhe vetëm kur të përparojë sëmundja shumë shfaqen shenja klinike të cilat janë tipike për sëmundjen e sheqerit dhe atëherë është lehtë për ta bërë diagnozën.

Ku mund te jep ndërlikime diabeti?

Diabeti mund të jep ndërlikime në sy, këmbë, zemër, veshka dhe në tru, kështu që sa më i vjetër diabeti dhe sa më i lartë të jetë niveli i sheqerit në gjak, aq me të shpeshta dhe të rënda janë ndërlikimet.

Këshilla se si mund të parandalohet diabeti!

Për t’u shfaqur diabeti duhet të kombinohen dy faktorë: trashëgimia dhe faktorët që e rrisin rrezikun për tu bërë diabetikë dhe këta faktorë janë: mbipesha, obeziteti, duhan pirja, jeta sedentare, ushqyerja me shumë kalori, pra moshën dhe trashëgimin nuk mund ti ndryshojmë, por këta faktorë mund t’i ndryshojmë.

Pra, diabeti është i parandalueshëm dhe për parandalimin e tij duhet ti ndjekim disa këshilla;

– Bëni kontroll të rregullta të sheqerit në gjak një herë në vit nëse bëni pjesë në grupin e rrezikuar ndërsa një herë në tre vjet të tjerët ;

– Kontrolloni rregullisht tensionin e gjakut

– Mbani peshën nën kontrolle

– Bëni aktivitet fizik 30min të paktën 5 ditë të javës

– Pakësoni yndyrat në ushqim e sidomos ato shtazore

– Pakësoni kripën

– Përdorni ushqime të pasura me fibra sidomos fruta dhe zarzavate

– Mos përdorni duhan, alkool.

Çfarë duhet të konsumoni?

  1. Kanellë – Më pak se gjysmë luge çaji në ditë rritë metabolizmin e sheqerit në qelizat e shëndetshme.
    2. Qershitë – Qershitë përmbajnë kimikate të quajtura “antokine” që rrisin prodhimin e insulinës.
    3. Guava – frut tropikal ekstraktet e mollës së guavës ulin nivelin e sheqerit në gjak.
  2. Kakao – ulë rezistencën e insulinës.
  3. Çaji i manaferrës
  4. Merrni sasinë e nevojshme të vitaminës C
  5. Merrni ushqime të pasura me krom si: mishi, drithërat, fasulet e thata, thjerrëzat, lajthia, peshku dhe ushqimet tjera nga deti.

A mund të shërohet diabeti?

Diabeti pasi që është sëmundje kronike, duhet vazhdimisht të mbahet nën kontroll dhe nëse arrihet të kontrollohet mirë, të prekurit nga kjo sëmundje, mund të bëjnë jetë normale./Familjadheshendeti.com