Rëndësia e lojës në promovimin e zhvillimit të shëndetshëm të fëmijëve

Nga Dr. Jeton Zenuni – Transfuzion i gjakut

Loja mund të përkufizohet si “aktivitet spontan ose i organizuar që ofron kënaqësi, argëtim dhe zbavitje”. Kur fëmijët luajnë, ata angazhohen me mjedisin e tyre në një kontekst të sigurt, në të cilin mund të kombinojnë dhe praktikojnë idetë dhe sjelljet e tyre. Fëmijët rrisin aftësitë e tyre në zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit fleksibël, mësojnë se si të përpunojnë dhe shfaqin emocionet, si të menaxhojnë frikën dhe bashkëveprojnë me të tjerët. Loja e lirë dhe e pastrukturuar i lejon fëmijët të praktikojnë marrjen e vendimeve pa instruksione të atypëratyshme dhe pa pasur synimin që të arrijnë ndonjë qëllim përfundimtar. Ata mund të iniciojnë aktivitetet e tyre të zgjedhura në mënyrë të lirë dhe të eksperimentojnë me rregulla të hapura. Dallimi midis lojës dhe aktiviteteve të tjera qëndron në faktin se loja është një aktivitet i lirë, spontan, e cila është qëllim në vetvete. Kënaqësia që vie si rezultat i lojës, është në fakt edhe e vetmja arsye përse fëmija luan.

Kur flasim për lojën e fëmijëve, kemi të bëjmë me një aktivitet që është njëkohësisht edhe lojë edhe punë, sepse ajo prek të gjitha aspektet e zhvillimit të fëmijës – sensomotorike, kognitive (vëzhgimin, mësimin, kujtesën, mendimin, inteligjencën), emocionale, morale, sociale, dhe zhvillimin e të folurit.

Loja e fëmijës ka një rëndësi të shumëfishtë në zhvillimin e tij të plotë. Ajo kontribuon në zhvillimin e të gjitha funksioneve psikofizike të fëmijës, të aftësive dhe njohurive të tij. Loja krijon kushte për formimin e një personaliteti emocionalisht të qëndrueshëm, të socializuar dhe kreativ. Në aspektin shoqëror dhe emocional, loja është një lloj përgatitjeje për jetën e fëmijës në shoqëri dhe me të tjerët. Fëmija në të njëjtën kohë i zhvillon ndjenjat e tij duke përjetuar vazhdimisht një marrëdhënie të re me aktivitetet dhe lojërat e ndryshme me shokët e grupit në të cilin luan, me botën e jashtme dhe me vetveten.

Motivet që janë të përshkuara me ndjenja kanë forcë të veçantë, ata gradualisht marrin rolin kryesor në motivimin e fëmijës dhe bëhen nxitës të shumë aktiviteteve. Përmes lojës, fëmija mëson bashkëveprimin, komunikimin dhe bashkëpunimin me të tjerët, mëson të marrë por edhe të jep dhe të ndajë gjërat me të tjerët. Gjithashtu, nëpërmjet lojës, fëmija mëson rregullat themelore morale, në përputhje me moshën dhe nivelin e zhvillimit të mendimeve të tij. Shumë herët, përmes lojës dhe shoqërimit me të tjerët, fëmija fillon të mësojë çfarë është e mirë, çfarë është e keqe, çfarë është e drejtë, çfarë është e padrejtë, çfarë është e ndershme dhe çfarë jo.

Përmes lojës, qysh në periudhën e foshnjërisë, fëmija njihet me cilësinë dhe karakteristikat e gjërave dhe objekteve të cilat i prek, i shikon, godet me to, i fut në gojë, etj. Në procesin e lojës, përmes lodrave, fëmija njihet me forma, ngjyra, materiale të ndryshme. Nëpërmjet lojës, vetë-perceptimit dhe vetë-eksperimentimit, fëmijët fitojnë shumë aftësi dhe njohuri dhe kështu zhvillojnë aftësitë e tyre njohëse (perceptimin, mësimin, kujtesën, mendimin, inteligjencën). Të mësuarit përmes lojës ka specifikat e veta dhe avantazhe të jashtëzakonshme, pasi marrja e njohurive vjen si produkt i të mësuarit spontan. Fëmiu e miraton atë për të cilën ka nevojë tani, jo atë me të cilën do të ketë nevojë të përballet në një të ardhme të pacaktuar. Mënyra se si fëmija mendon në lojë është një nga drejtuesit themelorë të zhvillimit të tij intelektual.

Koha e reduktuar e lojës për fëmijët e kohës moderne dhe pasojat

Ndryshimet sociale dhe teknologjitë e reja kanë ndikuar dukshëm në mënyrën se si luajnë fëmijët dhe sasinë e kohës së lirë që u ofrohet atyre.

Si rezultat i kohës së reduktuar të lojës, fëmijët shpenzojnë më pak kohë duke qenë aktiv, duke bashkëvepruar me fëmijët e tjerë dhe duke ndërtuar aftësitë e nevojshme jetësore, siç janë aftësitë funksionale ekzekutive, që ata do t’i përdorin si të rritur. Gjatë vizitave të mirëfillta, profesionistët e kujdesit shëndetësor duhet të pyesin në lidhje me kohën e lojës dhe përdorimin e paisjeve teknologjike nga ana e fëmijëve, dhe të japin sugjerime për të promovuar një kohë cilësore të lojës. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që profesionistët shëndetësorë parashtrojnë dy pyetje prindërve gjatë çdo vizite:

  1. Numri i orëve që fëmija shpenzon para ekranit, dhe
  2. Nëse ka pajisje digjitale në dhomën e gjumit të fëmijës

Sjelljet gjatë lojës së fëmijëve mund të ndryshojnë sipas normave kulturore dhe preferencave familjare. Ndërsa disa kultura spikasin individualizmin dhe lojën e pavarur, të tjerët angazhohen në më shumë lojë dhe aktivitete të drejtuara nga prindërit. Kjo mund të ndikojë në faktin se si fëmijët luajnë me lodra dhe bashkëveprojnë me bashkëmoshatarët dhe anëtarët e familjes. Për të ndihmuar në dhënien e këshillave familjeve me vlera të ndryshme, stile të ndryshme të lojës dhe komunikimit, profesionistët e shëndetësisë mund të ofrojnë këto rekomandime nga Akademia Amerikane e Pediatrisë:

1.Të lejojnë 1 orë në ditë të lojës së pa strukturuar, të lirë.

2. Të kufizojnë kohën para ekranit për fëmijë në më pak se 1-2 orë në ditë

3. Asnjë përdorim i pajisjeve teknologjike për fëmijët nën 2 vjeç.

4. Caktimi i “zonave të ndaluara për ekran” duke i mbajtur televizorët, kompjuterët dhe

video lojërat jashtë dhomave të gjumit të fëmijëve.

  1. Kufizimi i përdorimit “në sfont të mediave” gjatë kohës së lojës dhe aktiviteteve familjare, sepse ajo mund të tërheq vëmendjen e fëmijëve dhe të rriturve.
  2. Të përpilohet një plan për përdorimin e këtyre pajisjeve, p.sh. ku dhe kur të përdoren këto pajisje dhe kohëzgjatja e përdorimit të tyre nga fëmijët.

Të gjitha pikat e mësipërme tregojnë se loja ka një rol të pashmangshëm në mësimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për të rriturit që të kuptojnë rëndësinë e lojës së fëmijës, dhe domosdoshmërinë për të inkurajuar dhe nxitur fëmijët në të./FamiljadheShëndeti