Nga Shpresa Rupar, eksperte ne fushën e zhvillimit personal dhe profesional

Në artikullin e fundit fola rreth pagjumësisë dhe pasojat e saj tek të rriturit.
Sot po vazhdoj me të njëjtën temë, por, po e lidh me fëmijët.

Sa herë ndodhem në Shqipëri, kënaqem kur shoh parqet, lulishtet, sheshet para pallateve (aty ku ka sheshe), këndet e lojrave apo rrugët që gumëzhijnë nga zërat e fëmijëve, pasi në këtë botën tjetër ku jetoj, ashtu si e përmenda edhe në artikullin para këtij, ka një qetësi që ndoshta gjatë ditës është përtej kufijve të pranueshmes, pavarësisht domosdoshmërisë së saj gjatë natës.

Por problemi që ndesh në Shqipëri, problem të cilin nuk e has vetëm gjatë pushimeve verore, është se këto rrugë, lokale, kënde lojrash apo parqe gumëzhijnë nga zhurmat dhe zërat e fëmijëve të lodhur deri në orët e vona.

Pse ky problem më vret po aq sa qetësia e ditës në vendin ku jetoj, pse në fund të fundit unë personalisht e quaj problem?

Si nënë e një vajze, e shoh për ditë rëndësinë e ngopjes me gjumë apo edhe jetoj pasojat nga mungesa e tij. Nëse një i rritur ka nevojë për 6-8 orë gjumë, fëmijët në rritje kanë nevojë për shumë më tepër se kaq. Nëse në botë është ngritur problemi i pagjumësisë dhe pasojat destruktive tek të rriturit, atëhere çarë duhet të mendojmë për mungesën e gjumit tek fëmijët?

Sipas studimeve të specialistëve të kësaj fushe, fëmijët 5 – 7 vjeçarë duhet të flenë 10 – 12 orë gjatë 24 orëshit, përfshirë këtu edhe gjumin e pasdites. Këtu duhet të përmendim faktin, që fëmijët sot flenë mesatarisht një orë më pak se fëmijët para 13 vjetësh.

Por pse një orar i rregullt gjumi është tepër i rëndësishëm për fëmijën?

Fëmijët me orare jo të rregullta dhe me orare jo të plota gjumi, në krahasim me ata fëmijë që kanë rutina të rregullta, janë më problematikë. Disa janë hiperaktivë, disa janë fëmijë të mbyllur ose emocionalisht më të tërhequr.

Në një studim të kryer në Angli dolën në konkluzion që fëmijët me mungesë gjumi ishin më të dhunshëm, më të pakontrolluar, e humbisnin më shpejt qetësinë, pavarësisht se nga cilat familje vijnë; a janë familje me të ardhura financiare solide, a janë familje me shumë apo pak fëmijë, a ju lejohet X kohë para televizorit, a hanin mëngjes apo jo etj., etj.
Përsos orëve të gjumit, ata studiuan edhe një fenomen tjetër dhe arritën në rezultatin që ky fenom, e shpjegoj më poshtë, ndikon edhe më shumë tek sjellja e fëmijës.

Problemi ishte tek oraret e çrregullta të gjumit. Duke i vënë fëmijët në gjumë një herë në orën shtatë, një herë në tetë apo në dhjetë, atëhere tek ky fëmijë shfaqen dukshëm pasojat dhe këto pasoja shfaqen si “jet-lag”, ata që udhëtojnë shpesh me avion dhe në destinacione të largëta apo përtej oqeanit i kanë shumë të qarta pasojat e këtij fenomeni. Sipas Russell Rosenberg fëmijët në mosha të vogla duhet të jenë në krevat midis orës shtatë dhe tetë, prandaj është shumë e rëndësishme që gjithë elektronikat të fiken të paktën gjysëm ore para gjumit. Gjithashtu ekspertët sygjerojnë që në dhomën e gjumit së fëmijës të mos ketë fare televizor, kompjuter, telefon….
Studimet i vazhduan më tej. Fëmijët me orare të çrregullta i mësuan me një rutinë ditore dhe me një rutinë të rregullt gjumi dhe pas disa ditësh vunë re përmirësim në sjelljen e tyre.

Konkluzioni: fëmijët me rutinë të rregullt janë më të qetë.

Një i rritur me mungesë gjumi ndihet i lodhur, është me humor të keq (apo siç themi në shqip “sot është çuar mbrapsht”), por prapëseprapë sjelljet e tij nuk janë ekstreme, ndërsa fëmija nuk e njeh fjalën jam i lodhur, por thjesht është hiperaktiv. Mungesa e gjumit shfaqet shpejt në performancën e fëmijës në shkollë, shfaqet me nervozitetin që ai ndjen, në zakonet e të ushqyerit si dhe me sjellje e reagime shpesh të pakontrolluara. Ashtu si tek të rriturit edhe tek fëmijët nga mungesa e gjumit apo gjumi i çrregullt, shfaqen sëmundje të tilla si: nervoziteti, depresioni, vështirësi për tu përqëndruar, probleme me kujtesën, hipertensioni, obeziteti, dhimbje koke. Për të gjitha këto arsye shpesh duhet një orar i detyruar gjumi pasi në këtë mënyrë ata funksionojnë më mirë gjatë ditës. Rëndësia e rutinës ditore, sidomos gjumi me orar ka shumë efekte pozitive tek fëmija: është më i përqëndruar, bën më pak gabime,  ka një performancë më të lartë fizike apo mendore, është më i qetë në veprime apo mendine, në përgjithësi ka rezultate më të larta.

Me këto orare dhe ditë të ngarkuara që kemi edhe ne vetë si prindër, më e mira është që secili prind të zgjedhi vet një orar të përshtatshëm dhe kuptohet që nuk mund ta zbatojmë 365 ditë në vit, por ja vlen ta provojmë. Për të mirën e fëmijës dhe të shëndetit të tij duhet të insistojmë, mundësisht edhe gjatë fundjavëve apo pushimeve verore. Së fundi ne si prind le ta kuptojmë se sa i rëndësishëm është gjumi për fëmijët, sa e rëndësishme është rutina e përditshme dhe nuk duhet të harrojmë asnjëherë dëmet apo të mirat shëndetësore që ka gjëja më e shtrenjtë në botë nga këto rutina. Gjithashtu le të tregojmë veten pasi ne jemi pasqyra në jetën e tyre.

Ashtu si fëmijët edhe adoleshentët kanë nevojë për më shumë gjumë se të rriturit, pasi janë ende në rritje. Nga ana tjetër shkollat shpesh e më shpesh ju kërkojnë fëmijëve të jenë më herët në klasa. Për këtë arsye Akademia Amerikane e Pediatrisë mbështet idenë që shkollat e mesme dhe kolegjet ta fillojnë mësimin apo seminaret rreth orës 08:30 ose më vonë, por jo më herët. Është shumë e rëndësishme që prindërit dhe bordet e shkollave të punojnë së bashku për implementimin e orareve të mëvonshme, duke ju dhënë në këtë mënyrë adoleshentëve mundësinë e plotësimit të cikleve të gjumit.

Gjithashtu po kjo Akademi sygjeron mosngarkimin e fëmijës me shumë detyrime. Sot përveç detyrave të shtëpisë shumë fëmijë kanë aktivitete në orët e vona (sporte, takime të ndryshme, mësime shtesë, kurse dhe projekte të ndryshme e të tjera detyrime që e vështirësojnë rutinën e fjetjes.) Gjithashtu si prindër tregoni kujdes të ndiqni rutinën e gjumit dhe problemet që mund të shfaqi fëmija, si gërhima, probleme dhe vështirësi për të fjetur, zgjimet gjatë natës, apnea e gjumit, vështirësi në frymëmarrje. Problemi më kryesor i mosngopjes me gjumë, problem i cili shfaqet gjatë ditës, është mospërqëndrimi në shkollë.

Çfarë do lloj problemi që mund të shfaqë fëmija në lidhje me fjetjen, flisni me pediatrin pasi shumica e problemeve mund të trajtohen lehtë.

“Më fal, nëse fle derisa sa të zgjohem.”

Charles Olson