Raportim gojëmbyllur!

Jehona Zhitia, Gazetare

Zhurma e rubinetit shënon fillimin e një dite të re. Pasi kryen procedurat e mëngjesit, para se të pijë kafenë, i hedh një vështrim faqes së Institutit të Shëndetësisë. Është e vetëdijshme se në atë orë s’mund të ketë diçka të re nga QKUK e cila i është bërë shtëpia e dytë. Para se të nisë telefonatat zyrtare, kujdeset të improvizojë një mëngjes për fëmijët të cilët ka tri javë që nuk i ka përqafuar, në respektim të masave parandaluese. Pasi koordinon veprimet me eprorët në punë, kombinon shpejt veshjen: s’ka shumë zgjedhje pasi ajri i prillit s’arrin të thajë aq sa i duhet të lajë lavatriçes.

Vë pak grim, duke harruar se i duhet të vendosë atë pëlhurën e bardhë në fytyrë. Shpreson që bashkëshorti sot s’do t’ia bëjë atë pyetjen e përditshme: A do të jesh nga Klinika Infektive edhe sonte? Dezinfekton duart para se të marrë ashensorin, veprim që e bën edhe kur del prej tij. Pret në stacion autobusin e linjës që e dërgon te kompania ku punon. Tashmë është mësuar me vonesën e transportit. Shkaktar çrregullimi i orarit të qarkullimit.

Në Urbanin e ndryshkur sheh pak udhëtarë, ca me maska që ua fshehin moshën, ca ‘guximtarë’ që s’ndihen të kërcënuar nga pandemia. Zëra asnjë. Në radio, veshët e tjetërsuar nga shiritat e maskës, i zënë shprehje e fjalë të përditshme: Covid-19, Instituti i Sh…, Ministria e Shëndetësisë, Klinika Infektive, vdekje rekord në Itali, të prekur, raste kontakti, karantinë, e shumë fjalë të tjera që rrallë mund t’i kenë dëgjuar qytetarët me halle të mëdha, në këtë vend të vogël. Përshtypje i lë lajmi se reporterët nuk kanë përfituar ndonjë mbështetje nga shteti, qoftë edhe simbolike, për rrezikun që u kanoset duke qëndruar në vijën e parë të frontit. Zemërimin e zbut me ngushëllimin se misioni i gazetarit është të bëjë lajm e jo të bëhet i tillë.

Zbret në stacionin fantazmë pa i zënë sytë njeri. Përshëndetja me kolegë tash ka ndërruar formë. Ai instinkti që ta shpejtosh ecjen në metrat e fundit para se ta takosh dikë, është shndërruar në një hezitim imponues. Tema e ditës dihet. Korona, korona, korona… Asgjë tjetër. Koordinimin për punë e vazhdon edhe në redaksi. Sot ka planifikuar ta intervistojë ministrin. Kuptohet ajo paraprakisht do të japë lajmin që të gjithë e presin: rezultatet e mostrave ditore. Paraprakisht lutet. Gjatë punës 20-vjeçare, i është dashur shumë herë të bënte një gjë të tillë, sidomos kur përcillte ekipe mjekësh që operonin fëmijë. Por këtë herë lutja është ndryshe. Pret ndonjë njoftim shpresëdhënës. Pastaj pritjet sikur i zveniten: edhe nëse s’ka të shëruar, të paktën numri i të infektuarve të jetë i vogël, mos ta kalojë 5-përqindëshin e mostrave. Përgatitet të japë lajmin për qindra mijëra shikues, nëna e baballarë, që nuk ia kanë haberin teknologjisë e që nuk kanë dilemën më të vogël se me çfarë nisin lajmet, pavarësisht se vendi vlon edhe nga zhvillimet politike. Ajo pak fytyrë e zbuluar nuk e fsheh dot lodhjen ditore. Por kjo nuk reflekton në raportim, përkundrazi e bën më të fortë kur e di se njerëz të gozhduar para TV-së presin informacione të cilat fatkeqësisht edhe këtë herë janë frikësuese. Në mjediset e objektit prapa saj, qindra mantelbardhë luftojnë për t’i mbajtur në jetë ata më të rrezikuarit nga sëmundja. Aty ku qindra drita neoni ndriçojnë fytyra të zbehta pacientësh të cilët patën fatin e keq që ky fillim pranvere t’i gjente në spitale. S’kalojnë pak minuta e kupton se teksa ajo raportonte, në mbarë botën kësaj beteje nuk i mbijetuan 500 a 600 veta. Zhgënjehet. Jo nga lodhja, por nga droja se një ditë dëshpërimisht duhet të raportojë për më të keqen. Leximin e mesazheve të qytetarëve që pyesin nëse ka frikë nga ndonjë infektim i mundshëm, e lë për pjesën e paktë të mbrëmjes që i ka mbetur.

Ajo është pjesë e heronjve tanë që luftojnë 24 orë atje brenda mureve të bardha, të cilët kanë barrë të rëndë mbi supe. Kufjet në vesh të saj janë sinonim i një stetoskopi, mikrofoni – sinonim i një termometri tregues. Dhe ajo lutet, për secilin, për pacientët, për qytetarët, për policët e ushtarët në krye të detyrës. Lutet për të gjithë. Më shumë për kolegët e saj gazetarë.

PS. (Këtë pasqyrim qëllimisht e kam shkruar në vetën e tretë, si personifikim e solidarizim me kolegët gazetarë që po raportojnë në kushte jo të zakonshme)

Shpërndaje
  • 411
  •  
  •  
    411
    Shares