Përgatiti: Dr. Jeton Zenuni

Ndiheni komod saherë që qëndroni ulur para kompjuterit apo para televizorit tuaj? E po, ju sugjerojmë që të mos qëndroni në atë pozitë për shumë kohë, pasi që ky qëndrim ulur për një kohë të gjatë mund të paraqesë rrezik për shëndetin tuaj.

Sot, më shumë se kurrë më parë, na është bërë i qartë fakti se sa është i rëndësishëm aktiviteti fizik për shëndetin e njeriut. Domethënë, mjekët janë vërtetë të shqetësuar nga fakti se, brenda vitit më shumë njerëz vdesin nga mënyra sedentare e jetesës (qëndrimi ulur) se sa nga kanceri i mushkërive.

Pirja e duhanit dhe alkooli deri vonë janë konsideruar si top zakonet më të këqija që kanë sjellë deri te vdekja e parakohshme, ndërkohë që në ditët e sotme shprehitë e këqija të ushqyerjes dhe mënyra sedentare e jetesës paraqesin një rrezik përafërsisht të njejtë me zakonet e lartpërmendura.

Shumë prej nesh qëndrojmë ulur për nëntë ose më shumë orë në ditë, si në punë, makinë, kafiteri, përpara TV, e kështu me radhë. Shifrat më të fundit nga Universiteti i Belfastit dhe Ulsterit, të publikuara në Journal of Epidemiology & Community Health, treguan se një e treta e njerëzve qëndrojnë më shumë ulur gjatë vikendit, se sa gjatë ditëve të javës
në zyrë, në tavolinën e tyre të punës.

Përveçse ka ndikim të dëmshëm në shpinë, qëndrimi i gjatë ulur mund të jetë poashtu shkaktar i sëmundjeve të ndryshme, madje edhe i vdekjes së parakohshme. Të dhënat treguan se qëndrimi i gjatë ulur ishte shkaktar i 70,000 vdekjeve në vitin 2016 në Britani të Madhe, duke i kushtuar kështu vendit një kosto financiare vjetore prej 700 milionë funtave.

Ekspertët paralajmërojnë se qëndrimi i gjatë ulur i kontribuon obezitetit, i cili “tërheq” me vete një sërë sëmundjesh tjera, por gjithashtu ndikon në hormonet, metabolizmin dhe funksionet e trurit. Mund të jetë edhe shkak i një sërë proceseve inflamatore në trup. Ai gjithashtu paraqet një kërcënim për shëndetin kardiovaskular, nxit zhvillimin e diabetit të tipit 2, lloje të caktuara të kancerit dhe vdekje të parakohshme. Gjithashtu ndikon edhe në kujtesë dhe mund të rrisë rrezikun e shfaqjes së demencës.

A kemi nevojë të përmendim më shumë arsye për ta bindur veten që duke filluar nga sot të fillojmë të mirremi më shumë me aktivitete fizike dhe ta bëjmë atë rutinë të jetës sonë të përditshme? /www.familjadheshëndeti.com