Pure me tërshërë, mjedra dhe banane

Kjo pure është e pasur me fibra nga tërshëra dhe është e përshtatshme për vaktin e mëngjesit ose të darkës, për vogëlushit tuaj. Përmban vitaminën C, K, E, B6, zink, bakër, kalium, hekur, magnez, dhe proteina. Mjedrat përmbajnë dhe antioksiduesit alfa dhe beta-karotën.

Kjo pure i ka të gjitha, nga vlerat ushqyese, thjeshtësinë për tu përgatitur dhe për më tepër fëmijët mund ta konsumojnë lehtësisht.

Përbërësit:

¼ filxhani me tërshërë të thatë;

Një grusht mjedra;

½ banane;

½ filxhani me ujë, qumësht gjiri ose formule (unë zakonisht tërshërën e ziej me ujë).

Kombinimi trio i produkteve fillohet nga 8+.

Përgatitja:

  1. E vendosni tërshërën dhe qumështin (ujin) në një tenxhere dhe zieni në zjarr të ngadaltë për 10 minuta duke i përzier shpesh.
  2. E hiqni nga zierja dhe e leni pak sa të ftohet.
  3. Shtoni bananen dhe mjedrat.
  4. Në fund i kaloni të gjithë përbërësit në një blender me fuqi të lartë për 1 minutë.
  5. Tashmë pureja është gati për tu konsumuar.

Detajet:

Koha e përgatitjes së puresë është 3 minuta.

Koha e gatimit është 10 minuta.

Përbërësit e lejuar për bebe 6+ dhe 7+  mirëpo kombinimi trio i produkteve fillohet nga 8+.

I bëftë mirë bebit.

Përgatiti: Blerta Kryeziu Thaqi / Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  •  
  •  
  •