”Pse njerëzit hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale qoftë psikologjike apo psikiatrike mendoj që është e qartë për të gjithë, është frika nga pasojat e stigmatizimit, frika nga përjashtimi, refuzimi, paragjykimet e rrethit se gjoja shkuarja tek psikiatri apo në psikiatri tek të tjerët aludon me ”çmendurinë”. Kjo frikë jo vetëm që e ngarkon shumë individin por ka një ndikim tejet negativ në procesin e sëmundjes, sepse për shkak të mosmarrjes së ndihmës adekuate profesionale, sëmundjet mendore për fat të keq ngelin të pa kuruara dhe jo rrallë me pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë” – është shprehur Dr. Valbona Hysenaj Miftari, psikiatre nga Zvicra, në një intervistë ekskluzive për Grupin ”Familja dhe Shëndeti”, realizuar nga sociologu Labinot Kunushevci.

Dr. Valbona Hysenaj Miftari është kryemjeke pranë Departamentit të Varësisë në Klinikën Psikiatrike në Brugg të Zvicrës, qendër kjo akademike e Universitetit Shtetëror të Cyrihut. Valbona përndryshe është pjesë e kryesisë së Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër.

Në këtë intervistë janë trajtuar këto tema: rëndësia e psikiatrisë dhe thyerja e kompleksit të inferioritetit për marrjen e këshillave profesionale nga psikiatri e psikologu; menaxhimi dhe eleminimi i stresit dhe depresionit; raporti i karakterit të njeriut me shëndetin mendor të tij; ndikimi i trajtimeve psikoterapeutike tek abuzuesit dhe të varurit nga droga; dallimet dhe specifikat në trajtimin e problemeve shëndetësore; ndikimi dhe pasojat e rrjeteve sociale dhe teknologjisë në shëndetin psiqik të fëmijëve; vetëvrasja nga këndvështrimi i psikiatrisë.

Familja dhe Shëndeti: Cila është rëndësia e psikiatrisë dhe pse njerëzit hezitojnë të konsultohen për probleme mendore dhe emocionale me psikiatër, psikolog, etj? Si mund të thyhet kompleksi i inferioritetit?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Psikiatria është shumë e rëndësishme ngase trajton ”organin” më kompleks të trupit të njeriut, trajton ”shpirtëroren” e njeriut. Qëllimi i punës psikiatriko-psikoterapeutike është të ndihmuarit njerëzve me probleme apo sëmundje mendore, që atyre t’u bëhet e mundur që përsëri të bëhen timonierë të jetës së tyre. Një trajtim adekuat qoftë medikamentoz apo psikoterapeutik do u mundësojë atyre jo vetëm mjekimin e përkohshëm dhe vendosjen e një balance të neurotransmiterëve në tru, por edhe promovimin e të menduarit kreativ si dhe veprimin pragmatik karshi sfidave jetësore në të ardhmen duke parandaluar kështu një episodë tjetër depresioni, psikoze, çrregullimi anksiotik apo një krize suicidale.

E atëherë pse njerëzit hezitojnë të kërkojnë ndihmë profesionale qoftë psikologjike apo psikiatrike mendoj që është e qartë për të gjithë, është frika nga pasojat e stigmatizimit, frika nga përjashtimi, refuzimi, paragjykimet e rrethit se gjoja shkuarja tek psikiatri apo në psikiatri tek të tjerët aludon me ”çmendurinë”. Kjo frikë jo vetëm që e ngarkon shumë individin por ka një ndikim tejet negativ në procesin e sëmundjes, sepse për shkak të mosmarrjes së ndihmës adekuate profesionale, sëmundjet mendore për fat të keq ngelin të pa kuruara dhe jo rrallë me pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë. Për t’i thyer këto paragjykime, sidomos në shoqërinë tonë, mendoj që nevojitet kohë. Por me një sensibilizim dhe edukim të mirëfilltë shëndetësor shpresoj të bëhet diçka në parandalimin e pasojave që shkaktojnë çrregullimet mendore të pa mjekuara. Popullata duhej vetëdijësuar që në rast vuajtjeje shpirtërore apo mendore duhet drejtuar sa më parë dhe pa hezitim psikologut dhe psikiatrit njëjtë sikurse i drejtohet kardiologut apo endokrinologut tek çrregullimet hipertensive apo diabetike. Njerëzit tanë duhet ta kenë të qartë që askush nga ne nuk është i “vaksinuar” për të pasur imunitet të përjetshëm ndaj problemeve mendore. Secili duhet që njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se të kesh probleme të natyrës mendore nuk është turp.

Familja dhe Shëndeti: Si mund të menaxhohet, kontrollohet dhe eleminohet stresi dhe depresioni, si probleme mjaft prezente në shoqërinë tonë?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Stresi si fenomen është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme gjithandej, si në vendet e zhvilluara industriale poashtu edhe tek vendet e varfëra. Ai është në fakt deri diku i dobishëm apo pozitiv, atëherë kur shërben për të arritur performancë më optimale në jetën profesionale apo familjare. Pra në këto raste stresi përceptohet vetëm si një sfidë ose edhe si një stimulim, përderisa tek të tjerët është tejet ngarkues dhe me pasoja të mëdha. Asnjëri nuk e përcepton njëjtë ngase këtu luajnë rol resurset si dhe proceset intrapsiqike individuale.

Se çka shkakton stresi dhe se cilët individë janë të predisponuar të atakohen nga stresi tanimë nuk po ndalem këtu sepse është vërtet një temë e gjerë por po mundohem të koncentrohem konkretisht tek pyetja.

Depresioni është vetëm njëra nga pasojat e shumta që shkakton stresi kronik. Çrregullimet e ankthit, sulmet e panikut si dhe sindromi i djegies së rezervave të energjisë trupore “burnout” janë poashtu pasojat më të shpeshta të stresit kronik.

Evitimi i i stresit është i vështirë apo pothuaj i pamundur mirëpo gjithsesi është e mundur vendosja e një menaxhimi dhe një kontrolli mbi stresin. Libri më i mirë që kam lexuar deri më tani është përvoja dhe mësimet që kam nxjerrë nga pacientët e mi që bota i quan të “çmendur”. Interakcioni me ta më ka mësuar të gërmoj thellë në vetvete për të kërkuar përgjigjen që i duhet në atë moment një shpirti të cfilitur. Bashkë me pacientët e mi kam gjetur çdo ditë përgjigjen e pyetjes suaj. E përgjigjja është që gjithçka fillon nga NE e në NE. Ne jemi ata që mund ta ndryshojmë mikrokosmosin e botës sonë. Ne nuk duhet të nisemi gjithmonë me mendimet negative në stilin se fati po punon kundër nesh, se asgjë nuk po na shkon mbarë, por sapo të zgjohemi duhet të mendojmë për gjërat e mira që kemi në jetë, në njerëzit apo ngjarjet që na bëjnë të qeshim, në njerëzit që na frymëzojnë, në të gjitha resurset dhe talentet tona, etj. Kështu duke e mbajtur në kontroll fokusin tonë, aktivizohen forcat, talentet dhe burimet e dijes të cilat i japin mendimeve tona një drejtim pozitiv gjë e cila bën që stresi, nervozizmi dhe shqetësimi më vështirë të depërtojnë në NE. Në këtë mënyrë, stresi psikologjik zvogëlohet dukshëm dhe ne fillojmë ditën me një mendje më të balancuar. Ai që nuk arrinë ta menaxhojë stresin në këtë mënyrë apo as me ndihmën e njerëzve të afërt duhet kërkuar patjetër ndihmë nga psikologu apo psikiatri. Gjithashtu sporti dhe aktiviteti fizik rritë rezistencën ndaj stresit sepse ai që ka performancë më të mirë fizike i reziston stresit shumë më mirë falë serotoninës (hormonit të lumturisë) e cila lirohet gjatë aktivitetit fizik. Menaxhimi i mirë me kohën, organizimi i punëve në jetën e përditshme, duke caktuar prioritetet në një listë, pra duke ndarë kohën për familjen, kohën për miqtë, për blerjen e ushqimit, kurset, etj. Duhet planifikuar patjetër edhe aktivitete relaksuese gjatë javës, qoftë edhe vetëm 2-3 orë sepse duhet rimbushur bateritë e organizmit. Poashtu rol esencial për një fizik të mirë luan pirja e mjaftueshme e ujit dhe gjumi i rehatshëm e i mjaftueshëm. Nëse arrijmë t’i bëjmë këto, patjetër që do ndryshojë kualiteti i jetës sonë. Vetëm kështu do të akumulojmë më shumë energji si dhe do të jemi më të fortë dhe më të përgatitur për t’i rezistuar stresit ngufatës të realitetit të sotëm modern.

Familja dhe Shëndeti: Ekzistojnë disa prirje të karakterit dhe personalitetit të njeriut, si snobizmi, egocentrizmi, narcizmi, etj. Sa ndikon shëndeti mendor në këto?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Në fakt, njerëzit me tipare të tilla nuk vuajnë vetë, janë të afërmit e tyre apo ata që kanë kontakt direkt me ta që jo rrallë detyrohen të kërkojnë ndihmë profesionale. Të jetosh apo të punosh p.sh. me një narcist nuk është e lehtë dhe shpeshherë kjo shpie në dekompensim psiqik i cili manifestohet në fillim me lodhje emocionale, humbje vetëbesimi e vetëvlerësimi, gjendje e cila mund të shpie në një depresion të thellë.

Familja dhe Shëndeti: Pasi që aktualisht punoni me pacientët e varur nga substancat narkotike, na thuani se sa mund të ndihmojë trajtimi psikoterapeutik në shërimin e kësaj kategorie?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Psikoterapia duhej të ishte një komponentë qendrore e çdo terapie, edhe pas një përjetimi të infarktit të miokardit, edhe pas një aborti, pas një trajtimi onkologjik apo pas humbjes së njerëzve të dashur. Thjesht pas çdo vuajtje që ka lënë vrragë në zemër. Poashtu edhe tek pacientët e varur nga substancat psikotrope ngase varësia është gjithmonë varësi psikologjike. Me anë të psikoterapisë shumë pacientë kanë sukses për të mbushur boshllëkun e lënë nga abstinenca, për t’i përballuar problemet dhe situatat e vështira duke rimarrë kontrollin mbi vetveten. Një gjë është e qartë varësia nuk zhduket kurrë nga kujtesa edhe atëherë kur kapërcehet me sukses. Dmth një person që e ka lënë duhanin rrezikon të konsumojë përsëri vetëm nëse ndjen erën e cigares nga tymi i tjetrit ose një person që ka konsumuar alkool rrezikon t’i kthehet konsumit vetëm nëse e sheh birrën e ftohtë në stinën e verës. E mos të flasim për drogat e rënda. Për këtë arsye psikoterapia është e rëndësishme sepse përfshinë kryesisht masat parandaluese kundër relapseve. Masat e tilla parandaluese përfshijnë: ushtrime relaksimi (relaksim i muskujve sipas Jacobson), trajnimi autogjen apo trajnimi i komunikimit. Mirë është gjithashtu ushtrimi i një hobi që sjellë vetëbesim dhe relaksim. Kuptohet përveç kësaj duhet të shmanget kontakti me substanca që shkaktojnë varësi, p.sh. në familjen e alkoolistit, nuk duhet të gjendet alkooli.

Në instuticionin ku unë punoj trajtohen pacientët e varur nga heroina dhe trajtimi përfshinë substituimin me heroinë dhe opiate tjera në mënyrë që klientët t’i shmangen konsumimit ilegal dhe të pakontrolluar të heroinës, konsum ky i përcjellur me kriminalitet por edhe me përhapjen e sëmundjeve infektive, sidomos sidës dhe hepatitit C. Këtu tek klientët krahas substituimit bëhet edhe monitorimi dhe trajtimi i këtyre sëmundjeve në bashkëpunim me klinikën infektive të Spitalit Kantonal të Aaraut. Kjo metodë trajtimi (substitucion i kontrolluar) në Zvicër e cila aplikohet vetëm në shumë pak shtete tjera të Evropës ka zvogëluar dukshëm mortalitetin e këtyre klientëve por edhe kriminalitetin. Një pjesë e madhe e këtyre pacientëve punojnë dhe qëllim përfundimtar kanë detoksikimin përfundimtar nga heroina dhe zëvendësuesit e saj (metadoni, morfina e retardizuar, subutex, etj). Pacientët përpos marrjes së substitutit i cili jipet nën kontroll të rreptë, janë të obliguar që rregullisht të vijnë në biseda psikoterapeutike të cilat kanë për qëllim forcimin e vetëbesimit dhe përballimin e situatave kritike pa pasur nevojë të përdorin heroinë apo droga tjera. Pacientët janë shumë falenderues dhe e çmojnë shumë ndihmën tonë.

Familja dhe Shëndeti: Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë një në katër persona vuan nga një problem i shëndetit mendor. Nga përvoja juaj në Zvicër, ku i shihni dallimet dhe ngjashmëritë kryesore të personave me probleme shëndetësore, atyre që jetojnë në Perëndim dhe atyre që jetojnë në Kosovë? Jo vetëm në llojin apo efektin e tyre, por edhe në mënyrën e trajtimit, parandalimit, etj?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Çrregullimet mendore prekin qindra milionë njerëz në çdo cep të botës pa dallim gjuhe, vendi a kulture. Mendoj që dallimi kryesor qendron në atë se tek ne pjesa më e madhe e njerëzve këto çrregullime i mbajnë fshehur për shkak të frikës nga paragjykimet.

Duke pasë parasysh gjendjen nëpër të cilën ka kaluar populli jonë është e kuptueshme që problemet e natyrës mendore janë mjaft evidente e sidomos kur mungon trajtimi, problemet thellohen edhe më shumë duke u zgjeruar vuajtja edhe tek anëtarët e familjes dhe më gjerë. Unë e konsideroj më së tragjik vetëmjekimin me barëra qetësuese, pa kriter e recetë, fenomen i cili është i shpeshtë tek ne. Pasojat e këtij mjekimi janë serioze dhe ky problem kërkon qasje imediate të institucioneve përkatëse. Nëse vazhdon ky trend pasojat do të jenë të paparishikueshme. 

Familja dhe Shëndeti: Një nga faktorët kryesor në shëndetin dhe perspektivën e të rinjve, sidomos fëmijëve, është edhe interneti dhe mjetet teknologjike. Konsumimi i përmbajtjeve të pakontrolluara, lojërave kompjuterike të dhunshme, filmat, serialet, muzika, etj., të gjitha këto po ndikojnë në shëndetin psiqik të tyre. A mund ta shpjegoni si po ndikojnë dhe si mund të mbrohen nga pasojat?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Koha e sotme ku teknologjia ka përparuar me vrull ka bërë që fëmijët të rriten në një mjedis ndryshe nga më parë. Kjo lidhje e fuqishme e fëmijës dhe teknologjisë nuk është asgjë tjetër pos një formë varësie, e cila bartë në vete pasojat e rënda të saj. Lidhur me këtë janë bërë studime të ndryshme ku studimet kanë treguar që pasojat janë gati analoge sa i përket peshës me pasojat që shkaktojnë substancat psikotrope. Pasojat më të rrezikshme për fëmijët janë luhatja emocionale, toleranca e ultë e frustrimit, shfaqja e agresivitetit, mbyllja në vetvete, vështirësitë në komunikim dhe në socializim, pastaj obeziteti, çrregullimet e të pamurit, dëmtimi i shtyllës kurrizore për shkak të qëndrimit të gjatë ulur, etj.

Për parandalimin e këtyre rreziqeve dhe pasojave janë përgjegjës prindërit. Parandalimi konsiston jo në privimin e plotë nga mjetet tekonologjike, mirëpo ekzistojnë rregulla për secilën grupmoshë se sa kohë e ka të lejuar qëndrimin në tel, ipad apo kompjuter dhe kështu prindërit duhet t’i mësojnë fëmijët që t’u përmbahen këtyre rregullave. Përndryshe nëse nuk ndërmirren hapa të tillë industria e video-lojrave vetëm se do të shënojë fitime marramendëse, ndërsa ne do të rrisim fëmijë asocialë e me dëmtime serioze mendore qysh në moshën e hershme.

Familja dhe Shëndeti: Në javën e fundit në Kosovë kanë ndodhur dy vetëvrasje, njëri i moshës 18 vjeçare dhe tjetri i moshës 20 vjeçare. Ndërsa që nga paslufta numri i vetëvrasjeve në Kosovë kalon mbi 1000. Si e shpjegoni këtë trend dhe sa mendoni se ndikon shëndeti mendor në kryerjen e një akti të tillë?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Edhe pse jetoj dhe veproj që 12 vite jashtë Kosovës, si çdo bashkëatdhetar tjetër e përcjelli çdo ditë rrjedhën e jetës në atdhe, e ndjej çdo dhimbje të atdheut deri në palcë. Dukuria e rritjes së vetëvrasjeve në Kosovë natyrisht na dërgon 20 vite më pas, tek pasojat e luftës së fundit, sepse ne e dijmë që një kategori e caktuar e ish-luftëtarëve të UÇK-së kanë bërë vetëvrasje, ose një kategori tjetër për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike si kryefamiljarë, pastaj femrat e dhunuara gjatë luftës në mungesë të trajtimit psikologjiko-psikiatrik. Studimet dhe hulumtimet e shumta nëpër botë kanë vërtetuar që personat me çrregullime posttraumatike të patrajtuara janë shumë të rrezikuar nga vetëvrasja. Tek ne edhe mungesa e perspektivës, niveli i lartë i papunësisë, zhgënjimi i qytetarëve me pushtetin aktual shkakton revoltë e cila tek personat me personalitet më të brishtë mund të marrë kahje serioze.

Mendoj që i takon shtetit dhe institucioneve të hulumtojë shkaqet e këtij fenomeni tragjik, e jo vetëm shkaqet, por edhe të hartojë programe vetëdijësuese dhe parandaluese të cilat padyshim se do të reduktonin numrin e vetëvrasjeve. Mungesa e sociologëve dhe psikologëve në shkolla, dhe mungesa e përkrahjes institucionale në përgjithësi, bën që të rinjtë të mos dijnë t’i menaxhojnë situatat e vështira dhe të zgjedhin rrugën më të shkurtër dhe më të kobshme. Ose shembull tjetër; ato femra të cilat pas divorcit nuk kanë mbështetje as nga shteti e as nga rrethi dhe të cilat paragjykohen nga shoqëria, do të ballafaqohen me depresion e mendime suicidale. Shpeshherë vetëvrasjet e femrave kanë shkak diskriminimin shoqëror e institucional që u bëhet atyre.

Për fund, mesazhi im do të ishte që prindërit dhe mësuesit të flasin hapur me fëmijët e tyre, të ndajnë një kohë të caktuar që të flasin me ta vetëm për ndjenjat e tyre. Kjo vlen edhe për të rriturit. Nëse vëreni dikënd që tërhiqet në vetvete, duhet inkurajuar të flasë hapur ose të kërkojë ndihmë profesionale.

Familja dhe Shëndeti: Kur jemi te Grupi “Familja dhe Shëndeti”, si e vlerësoni rolin dhe kontributin e tij në promovimin e vlerave shëndetësore dhe familjare?

Dr. Valbona Hysenaj-Miftari: Për projektet e tilla si kjo “Familja dhe Shëndeti“ nuk nevojiten shumë fjalë. Veprat flasin vetë. Ky grup profesional e para së gjithash aq human përmes ofrimit të shumë këshillave, përgjigjeve, sugjerimeve, artikujve shkencorë e socialë është duke bërë shumë. Stafi kompetent i “Familja dhe Shëndeti” jo vetëm që ka krijuar besim dhe kredibilitet falë profesionalizmit, korrektësisë, ruajtjes së konfidencialitetit, etj., por para së gjithash falë afërsisë me njeriun, ka ringjallur shpresat e venitura të popullit tonë i cili është i zhgënjyer deri në pafundësi me sistemin shëndetësor të pasluftës. Andaj ky grup është drita në fund të tunelit, është në mënyrë definitive shpresa për një shëndetësi të bazuar në parimet humane. Mjekët, farmacistët, psikologët, sociologët, etj., të këtij grupi duke ndarë kohën e tyre kanë arritur të ndikojnë në vetëdijësimin dhe sensibilizimin e opinionit publik për rëndësinë e shëndetit dhe rikthimin e vlerave të mirëfillta shoqërore e familjare. Por këta profesionistë vullnetarë kanë rizgjuar edhe ndjenjën e solidaritetit e cila na ka shquar gjithnjë si komb, kështu që puna e këtij grupi ka bërë që çdo ditë grupit t’i bashkohen jo vetëm anëtarët por shumë profesionistë të dalluar që janë të gatshmëm të bëjnë të pamundurën për të ofruar më të mirën për njerëzit tanë. Andaj ky fakt është për t’u përgëzuar shumë. Uroj që të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në të mirën kolektive të bëhen pjesë e kësaj armate.

Ju uroj punë të mbarë e suksese pa fund.