Për vajzën time?

Bija ime, të kam pritur kohë të gjatë e të kërkoja si bletë në çdo nektar të çdo luleje.
Do të të rris si vëllaun tënd, me bereqetet e Zotit dhe me ngrohtësinë më të madhe.
Por për dallim, do të të rris trime, bija ime.
Do të të mësoj si të qëndrosh gur e fortë përkrah stuhive dhe valëve të forta që do të të vërshojnë.
Jeta është e bukur bijë, kur e kalon me njerëz të mirë.
Do të ta mësoj sinqeritetin, të falësh buzëqeshje çdo njeriu që nuk ta vran atë.
Do të ta mësoj respektin për vete, se vetëm kështu do të mësosh si të respektosh tjetrin.
Bija ime, do të ta mësoj dashurinë në Zot, që t’i mbështetesh dhe përulesh vetëm Atij.
Do të të bëj të pavarur si një flutur, dhe aq e bukur do të jesh, aq e mençur, sa nuk do të mund askush në botë të të thyej krahët.
Do të jesh e lirë, të fluturosh në çdo cep e fushë, që të krijosh vetë bukurinë karakterit tënd.
Nuk dua që të më rritesh brenda grilave të kësaj bote, me shkakun që po të ruaj dhe po të mbroj moralin.
Do të të rris në atë mënyrë se ku do që do të shkosh duhet të hysh dhe të dalësh faqebardhë, si një pulëbardhë e lirë, se morali mbrohet në çdo vend nëse do, dhe jo vetëm në shtëpi.
Bija ime, njëjtë si vëllaut tënd, dhuratë të parë do të të bëj një libër, që të kuptosh se një zemër e mirë, një fjalë dhe sjellje e mirë krijohet duke lexuar.

Dhe më e rëndësishmja, lulja ime, do ta duash veten aq fort, po aq fort, sa do të jesh e zonja të mbrosh vetveten pa ndihmën e askujt.
Dhe në u ndjehsh e dobët, mua do më kesh si luaneshë pranë, gjithmonë gati për të mbrojtur dinjitetin tënd, krenarinë dhe gjithçka tënden.
Sepse ti, nuk guxon të thyhesh.
Endrina Shutrak Lokaj