Për mjekët!

Nga Dr. Gentian Çala – Psikiatër

Për t’i shkruar këto rrjeshta më nxiti një postim i bërë dje ku disa mjekë kinezë kishin operuar për 32 orë me rradhë një pacient që kishte një aneurizëm dhe një tumor në kokë. Në foto ato shfaqen të shtrirë në dysheme të lodhur, por besoj edhe të gëzuar që ia dolën.

Raporti i mjekëve me popullin, jo thjesht me pacientët, ka ndryshuar në dekadat e fundit. Mjekët bëjnë një rrugë të gjatë, plot sakrifica për të qenë në gjendje që tu shërbejnë njerëzve. Mjekët janë shndërruar shpesh herë në objekte sulmesh nga qytetarë (pacientë ose familjarë), të zhgënjyer, të mllefosur, të irrituar herë me arsye dhe herë pa kurrëfarë arsye.

Ndonjëherë të krijohet përshtypja se komercializimi i mjekësisë i zhveshi mjekët nga humanizmi, kurse qytetarët i bëri më mosbesues ndaj tyre. Më kanë rënë rasti të dëgjoj njerëz nëpër korridore që shajnë ose që thonë “hë mo se kështu e duan këta”, duke justifikuar agresivitetin e tyre. Nuk e besoj që ka qenë me vend kjo sjellje në shumicën e rasteve.
Mjekët në shumicën e rasteve janë korrekt, me etikë, të përkushtuar dhe të papërtuar, por ka edhe raste kur abuzohet me nevojën për shërbim të tyre, sidmos këtu te ne që nuk respektohen rregullat, triazhimi, standartet e kujdesit, sistemi i referencës, etj. Unë nuk them që në këtë komunitet nuk ka prej atyre që janë jokorrekt, të udhëhequr nga nevoja për përfitime, të papërgjegjshëm apo që nuk kanë takt dhe shkathtësi komunikative, por ata janë pakicë brenda këtij komuniteti.
Unë do të doja që njerëzit ti shikojnë më me realizëm mjekët, përtej bluzës së tyre edhe si njerëz.

Duke i parë kështu mund ti mirëkuptojmë dhe respektojmë, mund ti lehtësojmë stresin dhe ti fuqizojmë.

Mjekët shpesh herë ndihen të pafuqishëm ndaj humbjes së të afërmve të tyre apo edhe të pacientëve. Ata përballen me nivele të larta stresi dhe me kohë të pakët rikuperimi. Ata flenë dhe shplodhen më pak, janë në punë me dhe pa orar, luftojnë me frikërat ekzistenciale. Ata duan të fitojnë gjithmonë mbi sëmundjen, por shpesh herë nuk ia dalin. Suksesin ia duan të gjithë, në dështim nuk ia zgjat dorën askush.

Ata në sytë e të tjerëve duken gjakftohtë dhe të plotfuqishëm, por në fakt janë të brishtë (vuajnë më shumë se popullata e përgjithshme nga problemet mendore, tentojnë më shpesh vetëvrasjen, abuzojnë me substancat shumë herë më tepër se popullata e përgjithshme). Ata kanë nevojë për inkurajim dhe për mbështetje, në vend të sharjeve, ofendimeve, hakërrimeve, refuzimit.

Sot, mjekët pakësohen, ikin për kushte më të mira pune gjetkë, zgjedhin një profesion që nuk punojnë direkt me pacientë, pensionohen, shkollohen të rinj gjithmonë e më pak dhe sa herë që ata mungojnë njerëzit e kuptojnë sa të rëndësishëm ishin. Mjekësia nuk është profesion i kërkuar sot në vendet e zhvilluara si dikur.

Ata që mbesin kanë gjithmonë e më shumë ngarkesë, më shumë mundësi për gabime, stres dhe lodhje.
Shumë shpesh media (por jo vetëm ajo) nxjerr apo peshkon shembujt negativë, por ka pak hapësirë për mrekullitë që mjekët bëjnë, për humanizmin apo vetëmohimin, për shembujt pozitivë. Perceptimi nga mediat bëhet bashkë me paragjykimet dhe përvojat e këqia, duke i kontribuar një imazhi të shtrembëruar për mjekët dhe jo realist. Ne kemi afinitet për të keqen si miza ndaj mjaltit. Ajo ngjit shpejt dhe zë vend. Askush nuk mendon pasojat.

Mjekëve iu duhet shpesh të punojnë me burime të pakta, të cilat e vështirësojnë misionin e tyre, ata kanë gjithmonë më pak pajisje, mjete, barna në dispozicion, por ia dalin me ato që munden. Ata nuk ngrihen të fajësojnë të tjerët.

Unë mendoj se mjekët mund të bëhen më të mirë, më humanë, nëse të gjithë ndryshojnë qasjen ndaj tyre. Ata meritojnë respekt, ashtu si duhen ndëshkuar kur neglizhojnë apo kur abuzojnë me profesionin e tyre.

Mjekët janë si të gjitha gjërat e kësaj bote, nga më i keqi prit të jetë më shumë se hiçi dhe nga më i miri mos prit kurrë të jetë i përsosur.

Duke shkruar këto fjalë doja që mjekët ti shihnit nga këndi i tyre, jo nga tuaji dhe do të kuptonit se edhe ata janë “pacientë” që kanë nevojë për mirënjohje, mirkëkuptim dhe mbështetje. I gjykoni ashtu si janë, jo ashtu si ju duken ju.

Respekt për të gjithë ata që bëjnë këtë profesion!/Familjadheshendeti.com