Pasojat e marrjes së antibiotikëve pa recetë 

Mr.ph Laureta Berisha

Farmaciste

Pjesa parë

Marrja e antibiotikëve me recetë ka qenë në masë të madhe shqetësuese nga përshkrimi i madh i tyre, që bëhet nga ana e mjekut, por marrja e tyre pa recetë është një gjendje alarmante që pak kush i kundërvihet. Pothuajse të gjithë e shohin barnatoren si vendin ku mund të përzgjedhin çka do që u ka ëndja nga barnat.

Mund të them që populli ynë nuk ka edukatë shëndetësore të theksuar, por nuk ngelet faji vetëm tek ta, të gjithë nga pak jemi fajtorë në atë që kemi në dorë të ndryshojmë dhe nuk e bëjmë. Populli ynë mund të mos jetë aq i informuar për pasojat e marrjes së barit në këtë mënyrë sa jo profesionale aq edhe të rrezikshme, por jemi ne profesionistët që duhet t i informojmë pa përtesë dhe me përgjegjësinë më të madhe që na takon.

Është mese befasuese dhe shqetësuese, kur kjo bëhet nga ana e prindërve për fëmijët e tyre, duke mos marrë parasysh qoftë edhe mundësinë e shfaqjes së alergjive të ndryshme, duke mos marrë parasysh dozimin aspak adekuat, kohëzgjatjen e marrjes së antibiotikut, mënyrën e ruajtjes dhe përgatitjes, të gjitha këto as që u bëjnë përshtypje përballë dëshirës për ta “shëruar” fëmijën, madje vije deri tek ofendimet dhe kërcënimet në rast të mosdhënies së antibiotikut të kërkuar.

Më poshtë do të cekim pasojat e marrjes së antibiotikëve pa recetë, disa nga ndërveprimet me barna tjera, si dhe shumë njohuri tjera që duhet të dini para vendimit për marrjen e tyre në këtë mënyrë.

Çdo baktere që mbijeton nga trajtimi me antibiotikë mund të shumëfishohet dhe të kalojë në veti rezistente.

Marrja e antibiotikëve pa recetë, rritë mundësinë e rezistencës në trajtimin e infeksioneve që mund të jenë edhe jetike në të ardhmen. Është mese normale të keni baktere në trupin tuaj, ku shumica e tyre janë të padëmshme, madje luajnë edhe rol kyç në ruajtjen e organizmit duke iu mbajtur të shëndetshëm. Kur merrni antibiotikë, ai vret shumicën e baktereve, duke përfshirë edhe ato të dobishmet (florën normale bakteriale të organizmit), në shumicën e rasteve një numër i madh i baktereve mbijetojnë duke u bërë rezistente dhe duke zhvilluar një infeksion të ri.
Infeksionet rezistente janë edhe shumë të kushtueshme, me kujdes të shtuar mjekësor dhe në shumicën e rasteve duhet trajtuar në kushte spitalore.

Çdo vit kemi numër te madh të diarreve kronike, duke quar në dehidrm total të organizmit, të cilat jo rrallë kanë rezultuar me fatalitete tek moshat e ndjeshme.

Disa antibiotikë mund te shkaktojnë edhe dëme të përhershme nervore.

A keni nevojë për antibiotikë?

Antibiotikët trajtojnë infeksionet bakteriale e assesi ato virale. Shumica e njerëzve i përdorin gabimisht antibiotikët për infeksione shumë të zakonshme, çka aspak nuk janë të nevojshëm si tek dhimbje fyti te fëmijët, kollë dhe rrjedhje hundësh.

Ftohjet, gripi dhe shumica e infeksioneve te frymëmarrjes, shkaktohen nga viruset, ndërsa antibiotikët nuk vrasin viruset.

Nëse merrni një antibiotik kur keni një infeksion viral, antibiotiku sulmon bakteret ne trupin tuaj, te cilat ose janë baktere të dobishme ose të atilla që nuk shkaktojnë sëmundje. Kjo mënyrë e gabuar e trajtimit, mund te nxisë rezistencën e antibiotikut ndaj baktereve të padëmshme, duke ndikuar potencialisht në zëvendësimin e tyre me bakterie te dëmshme.

Vazhdon…/FamiljadheShëndeti

 

Shpërndaje
  • 52
  •  
  •  
    52
    Shares