Nga: Dr. Valbona Hysenaj Miftari, neuropsikiatre

Çdo mëngjes marr trenin e orës 7:15 nga Zürichu për të kryer misionin tim i cili çdo ditë zgjat deri rreth orës 18. Përderisa shumica e bashkëudhëtarëve të mi lexojnë gazetat ditore zvicerane, e disa bëjnë edhe një sy gjumë deri në destinacionin e tyre, mua më është bërë varësi leximi në Internet i shtypit nga atdheu. Pasi që informohem shkurt me ngjarjet kryesore, tani ca për t’u ëmbëlsuar pas lajmeve, para se të mbërrij në punë dëgjoj gjithmonë një këngë të bukur shqipe ose çkado që më kultivon krenarinë e të qenurit shqiptare. Përpos familjes sime, ndonjë poezi apo shkrim me vlerë, muzika jonë e mirëfilltë si dhe storiet e suksesit të bashkëatdhetarëve të mi më mbushin energji për të filluar ditën me optimizëm.. Kjo strategji më ka ndihmuar gjjthmonë deri më tani për t‘mos iu dorëzuar sfidave të panumërta që të sjell vendi i huaj.

Ndalem në Brugg, ec me hapa të shpejtë për t’a kaluar sa më shpejt stacionin e trenit ku frekuentojnë shumë pacientët e mi. Mbërrij për 5 min tek “Personalhaus”, ndërtesa ku punoj dhe kur dal nga lifti i ndërtesës dëgjoj akrepat e orës të shënojnë orën 8. Kjo orë më tregon se treni nuk e paska huqur minutin dhe se unë prapë paskam ecur me të njëjtën tempo nga stacioni deri këtu.
Kjo ndërtesë para disa vitesh shërbente kryesisht për zyra të personelit të lartë të qendrës universitare psikiatrike të kantonit Aargau, kurse vitet e fundit në të janë integruar disa ambulanca specialistike: si p.sh. ambulanca ku bëhet „tërheqja/ pastrimi“ i alkoolit nga organizmi (arritja e abstinencës), trajtimi i traumave në mënyrë psikoterapeutike, pastaj ambulanca me personelin që trajtojnë pacientët nëpër shtëpi “Hometreatment“ etj. Në këtë ndertesë tash e 20 vite më parë gjindet edhe ambulanca për trajtimin substituiv te pacienteve te varur nga heroina, për arsye të afërsisë së kësaj ndërtese me stacionin e trenit dhe që pacientët tanë t’mos kenë kontakt me repartet e tjera të klinikës. Pra kjo është ambulanca ku unë tashmë që një vit e gjysmë punoj dhe në të cilën aktualisht gjenden në trajtim 120 pacientë.

Në fillim kur pata filluar të punoj nė Zvicër dhe kur pata dëgjuar për terapinë substituive me heroinë e pata paragjykuar mjaft këtë trajtim por sot e konsideroj substitucionin si një trajtim shumë të rëndësishëm dhe të domosdoshëm tek klientët e varur nga heroina. Akoma ka të tillë që terapinë substituive e paragjykojnë sikur unë dikur, madje që edhe neve si institucion apo si personel na shohin si “dilerë në mantelin e bardhë”.
E në fakt substitucioni është rruga e vetme që një të varur nga heroina e mbanë në jetë. Ështe njëjtë sikurse kur personi me diabet të avancuar mbahet në jetë me insulinë apo personi me dështim të funksionit të veshkave mbahet në jetë me anë të dializës.

Varësia e heroinës është forma më e rëndë e varësisë në të cilën personat e varur nuk janë më në gjendje të jetojnë pa të, edhe nëse dëshirojnë. Varësia fizike zhvillohet shumë shpejt. Receptorët e opiateve në tru mësohen shpejt dhe mungesa e drogës shkakton simptoma të rënda të tërheqjes/ abstinencës të cilat e bëjnë pothuajse të pamundur jetën pa heroinë. Personat e tillë bëhen të varur dhe nuk mund t’ia dalin vetëm, pa ndihmën profesionale mjekësore. Heroina eliminohet shpejt nga organizmi, kështu që të varurit kanë nevojë për dozën e tyre dehëse çdo ditë e madje dy herë në ditë. Meqenëse heroina është e shtrenjtë në tregun e zi, të varurve u duhen para për t’a siguruar. Paratë shumicën e herave këta i sigurojnë përmes krimit dhe / ose prostitucionit. Shpesh të varurit nga heroina bëhen vetë shitës të drogës, me shpresën që të fitojnë shuma të mëdha, për t’i siguruar dozat e nevojshme por edhe që t’i paguajnë borxhet e tyre.

Heroina në vitet e 90-ta në Zvicër ka kushtuar shumë shtrenjtë, vetëm 1 g ka kushtuar 600 franka, ndërsa sot 20-40 franka. Por kualiteti në ditët e sotme është shumë i keq, i përzier me substanca të dëmshme, kështu që vetëm 8% heroinë përmban 1 g. Kjo është me rrezik të madh sidomos për ata që e injektojnë heroinën në mënyrë intravenoze.
Substitucioni ka qëllim largimin nga heroina e rrugës me pasoja shumë të rrezikshme, largimin nga sjelljet delikuente, përmirësimin e kualitetit të jetës, parandalimin e sëmundjeve infektive ose kurimin e tyre, integrimin e këtyre personave çoftë në tregun e punës apo në çdo sferë të jetës në përgjithësi.

Puna me të varurit nga heroina megjithatë është sfidë e madhe për mjekun, pikë së pari ngase klientët përdorin njëkohësisht edhe drogat tjera e shumë prej tyre janë të varur edhe nga benzodiazepinet (qetësuesit) të cilat në fakt janë të kontraindikuara tek personat që marrin opiate. Kështu që duhet pasur kujdes nga mbidozimet me rrezik primar – depresionin e frymëmarrjes, pastaj nga ndryshimet në EKG si pasojë e efekteve anësore të opiateve në kombinimi më psikofarmakë tjerë ose në kombinim me alkoolin të cilin poashtu shumica e konsumojnë. Duhet kontrolluar rregullisht vlerat e mëlqisë dhe veshkave etj. Pastaj puna është sfiduese edhe ngase vendosja e një besimi të mirëfilltë mjek- pacient në këtë domen sidomos me të varurit e rëndë nuk është e lehtë por ajo është e domosdoshme. Andaj për këtë lypset durim dhe empati e jo vetëm kompetencë profesionale.

Kontrollat rigoroze për detektimin e drogave nganjëherë mund të prishin klimën terapeutike. As qëndrimi autoriativ i mjekut, por as toleranca e tepruar nuk i shërben qështjes- vendosjes së një raporti të shëndoshë dhe i një transparence të mirëfilltë, andaj me këta klientë duhet gjetur „mesin e artë“ në mënyrë që puna e përbashkët të jetë e mundur.


Sapo hyj në korridorin e ambulancës ku gjendet dhoma e pritjes ndeshem zakonisht çdo ditë me 4-5 pacientë të cilët ndonëse kanë vend të mjaftueshëm në dhomën e pritjes për tu akomoduar deri sa t’iu vie rendi, si dhe poashtu që aty të shërbehen me kafe, lëngje e pemë ata qëndrojnë në këmbë duke lëvizur disa hapa para e disa hapa prapa duke pritur me padurim ta marrin dozën e nevojshme të opioidit i cili ua kontrollon ritmin e jetës.

-Miremngjesi doktoreshë pershendesin njëzëri dhe shmangen për t‘ma liruar rrugën që të ecë në drejtim të zyrës sime. Njëri ngutet të pyesë në kam kohë sot për një bisedë. Termin nuk kemi bërë për sot. Tjetrit kur dëgjon që unë mbase gjeta kohë për „kolegun“ e tij edhe pa termin, i vie ne kokë edhe atij diçka për t‘më pyetur dhe tenton t’ma bëjë me dije se gjëndja është tejet akute. E unë tani duhet t’a gjej mënyrën dhe kohën që t’a dëgjoj edhe brengën e tij, anipse në ora 8:30 kam terminin e planifikuar. Nganjëherë megjithatë një bisedë 5 minutëshe qoftë edhe gjatë mbushjes së kafesë për ndonjërin nga ta është sikur një seancë njëorëshe psikoterapeutike. Ose një bisedë e shkurtër në korridor mjafton që ata të ndjehen të marrur seriozisht. Të tillëve u mjafton një vëmendje e shkurtër por e sinqertë, një komunikim pa paragjykime, gjë e cila u ka munguar gjatë gjithë jetës. Terminet e planifikuar ndodhë që t’i harrojnë, por kur iu duhesh diçka, çoftë për të biseduar ose për çeshtje medimamentoze nuk mungojnë, vijnë rregullisht dhe kërkojnë fleksibelitet. Mirënjohjen për këtë nuk është vështirë për t’a lexuar në sytë e tyre. Kjo mirënjohje e tyre të përmbushë si mjek. Në fund të ditës ndjehesh mirë që me intervencionin tënd dikujt ia ke bërë jetën më të përballueshme.

Ka edhe të tillë që i shmangen aq sa munden kontaktit me mjekun. Ata janë ata që kurrë nuk kanë arritur të lirohen nga ndjenja e fajit, dhe stigmatizimit, kështu që konfrontimin me mjekun e marrin si një ripërjetim me shumë dhimbje. Këta klientë e kanë vështirë sidomos të ndërtojnë marrëdhënie terapeutike me mjekët e rinj, sepse nuk duan të kthehen secilën herë në fillim duke rrëfyer të kaluarën e tyre të vështirë.

Kur fillova këtu punën, duke ecur për në zyrën time më ndodhte shpesh t’i dëgjoj disa të thonë kalimthi: Prapë ndërrim mjekësh, prapë nga fillimi. Njëherë dëgjova disa të thonë; e po më mirë…falemnderit Zotit, më në fund një kryemjeke femër. Pa ditur se çfarë donin të thonin me këtë, vazhdova hapin tim duke e marrë këtë si një koment pozitiv. Një ditë tjetër, e dëgjoj njërin të thotë; Në rregull që është femër e femrat janë më të ndjeshme, mirëpo as kjo nuk do t‘na kuptojë sa duhet përderisa vetë nuk di cka do të thotë të jesh i varur nga heroina. Kjo si duket nuk e ka tymosur asnjëherë as marihuanën vazhdoi ai. S’ka lidhje kjo me Lazaratin anipse është shqiptare. Dialogje të tilla përziheshin pastaj shpejt me tingujt e „Eagle“ për t‘vazhduar me Reggae muzikën e Bob Marley, pastaj muzikën e shumë këngëtarëve prominentë botërorë që vdiqën nga mbidozimi; Falco, Jon Lennon, Amy Winehouse, Kurt Cobain, Jim Morrison, Jimi Hendrix, Whitney Houston, Tupac, Elvis Presley, Freddie Mercury etj. Nga kthina ku ata marrin medikamentet ose injektojnë diafinën (heroinën farmaceutike) përbiron çdo bisedë e çdo tingull muzikor në zyrën time gjithmonë me derën hapur. Derën e mbaj hapur gjithmonë përpos gjatë seancave për të qenë në gjendje gatishmërie në rast të një urgjence eventuale.
Motrat dhe teknikët tek ne përpos mbikëqyrjes medicinale gjatë dhënies së medikamenteve dhe injektimit të diafinës, marrin edhe rolin e DJ për të zgjedhur këngët e preferuara të klientëve tanë.
Gjatë shërbimit tejet profesionale nga ekipi im aty të bie të dëgjosh gjjthcka nga klientët, që nga batutat deri te intrigat.
Aty zakonisht janë vetëm motrat dhe teknikët, mirëpo një vizitë e mjekut gjatë injektimit të diafinës i bënë të ndjehen mirë. Mjafton vetëm t‘i pyesësh „alles OK?“, „gjithcka në rregull?“ e të ndjehen të pranuar. Këtë mirënjohje e lexon brenda sekondash në fytyrat e tyre.

Duke shkruar mu kujtua ndërkohë edhe nje ngjarje nga fillimi i punës të cilën patjetër po e ndaj me ju. Mjaftoi që 2-3 klientët e parë t’më pyesnin se nga e kam prejardhjen, dhe lajmi të përhapet si era tek te gjithë të tjerët. Madje e thonin edhe ata ashtu siq u kisha thënë e siq e them çdo herë; “shqiptare e Kosovës”.
Nejse një ditë njëri po e fillon biseden me humor; doktorreshë pasi që je shqiptare, ti je njeriu i duhur në vendin e duhur. Unë po e shikoj me habi, ç‘lidhje ka kjo me nacionalitetin. Ai duke e vërejtur stepjen time nuk më la hapësirë ta pyesja pse dhe tha; Po sepse, ju shqiptarët e kontrolloni tregun e heroinës në Zvicër. Unë edhepse kisha lexuar shpesh në faqet e para të gazetave bulevardeske për kapjen e dilerëve shqiptarë nuk pranoja të jetë e vërtetë. Më pëlqente më shumë të luaja kokëforten pellazge se sa naiven që nuk e di këtë.
Për t‘më bindur më shumë më tregonte nofkat e dilerëve të mafisë shqiptare që I njihte ose tentonte të shqiptonte disa fjalë në shqip që gjëja i kishte mësuar nga ata.
Mbaj mend që e pata përjetuar këtë si një dush të ftohtë dhe menjëherë pas bisedës iu pata gjuajtur Google për ta kërkuar këtë pohim. Vërtet nga kërkesa ime e parë qe mbushur faqja me faktet e tilla. Madje pata hasur edhe në një studim të Universitetit të Lozanes të vitit 2017 nga i cili kishte rezultuar që tregu i heroinës në Zürich, Bern dhe Gjenevë kontrollohet nga mafia shqiptare. S’më mbeti tjetër vetëm se të vazhdoj me strategjinë time të mbijetesës, çkyqjen nga lajmet e këqija dhe tê ushqyerit e shpirtit me gjëra pozitive. Po t’mundja do ta shkatërroja çdo rrjet krimi ku përmendet emri shqiptar.

Bisedat me të varurit nga heroina janë gjjthmonë histori tragjike. Shumica e konsumentëve kanë filluar me konsum të heroinës nga mosdija për pasojat që shkakton kjo drogë, ka prej tyre që nuk e kanë ditur që po konsumojnë heroinë ngase dilerët e tyre u kanë shitur heroinë për kanabis.

Për përjetimet e tyre të tmerrit, për skenat trishtuese të viteve të 90-ta në dy të ashtuquajturat “Skenat e drogës Lette dhe Platzspitz“ në Zürich mund të shkruaja një libër. Teksa dëgjon rrëfimet e tyre nga periudha më e trishtë në Zvicër ku mbi 1000 persona vdiqën brenda dy vitesh nga mbidoza vetëm nga këto dy skena, të shkon mendja mënjëherë tek rreziku që po i kanoset rinisë sonë në trojet tona poqëse nuk ndërmerret diçka më shumë në parandalimin e kësaj dukurije shkatrrimtare.
Nëse do të mungojnë politikat e mirëfillta mbi drogën, ekziston rreziku i daljes së situatës nga kontrolli sikurse e kishte pësuar Zvicra në fillimin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Kjo gjë e kishte detyruar qeverinë e atëhershme të mirrej seriozisht me problemin e të varurve nga heroina dhe kishte implementuar programin e substituimit me heroinë dhe opiate tjera. Ky program bëri që të zvogëlohet numri I vdekjeve, që të ndalet përhapja e sidës dhe hepatitit C si dhe të bëhet riintegrimi I kësaj kategorie në shoqëri.

Një sistem substituimi sikurse në Zvicër për personat e varur nga heroina ( jo vetëm me metadon siq është tani në Kosovë) i kontrolluar në mënyrë të rreptë nga shteti, fushatat vetëdijësuese më të shpeshta, punësimi I psikologëve dhe punëtorëve socialë në shkolla, hapja e qëndrove rehabilituese në çdo komunë të Kosovës e sidomos trajnimi i stafit për këtë problematikë etj do të ndikonin në vendosjen deri diku të kontrollës mbi narkomaninë- sfidën mbarëbotërore. Pa këto intervencione Kosova rrezikon të ballafaqohet në vitet në vijim me probleme shumë të mëdha me përdoruesit e heroinës. Nuk duhet harruar që përdoruesit e marihuanës janë kamdidatë potencialë që në një periudhë jo shumë të largët të kalojnë në droga të rënda. Vendet e varfëra edhe ashtu janë të rrezikuara nga drogat më të rrezikshme që qarkullojnë në treg. Gjjthçka eksperimentohet në vendet ku nuk funksionon si duhet shteti dhe ligji.

Fjalinë që e kam dëgjuar më së shumti gjatë punës sime është; “Unë do të kisha vdekur shumë kohë më parë pa këtë program”.

Ata të cilët e provojnë me metadon dhe nuk arrijnë stabilitetin e dëshiruar, çoftë për shkak të efekteve anësore ( përgjumje, mungesë energjie, djersitje e tepruar) ose mospermbushja e nevojave të tyre, konsumojnë edhe kokainë dhe amfetamina. Kjo është arsyeja që duhet punuar edhe me preparate tjera ose tek të varurit e rëndë duhet bërë substituimi me heroinë farmaceutike derisa personi të stabilizohet në tërësi dhe t’mos këtë nevojë të konsumojë më në kushte të rrugës.
Çdo mospërshtatje e substitucionit i bën ata të paaftë fizikisht dhe psikologjikisht.

Pra puna me këta klientë të mundëson ta njohësh një anë tjetër të jetës me shumë vrragë të pashlyera. Një jetë që dikur duke u munduar të dukesh „cool“ të humb në rrathët më të thellë të ferrit. Një jetë ku për shkak të mendjelehtësisë së çastit e paguan “kamatën” më të shtrenjtë. Një jetë e komanduar nga “ilaçi” vdekjeprurës që të shpie menjëherë në pendim, por nuk të lë të largohesh sepse sapo të eliminohet nga trupi, dhimbja te shpie prapë tek ai.
Në secilën rrudhë të fytyrës së mplakur para kohe, në secilën vijë të tatuazheve të tyre do t‘lexosh vuajtjen që ka hequr shpirti i tyre.
Ata vuajnë shumë nga çrregullimet e gjumit, ankthit, apetitit, libidos, episodet depresive, psikotike e deri tek mendimet vetëvrasëse. Me një fjalë droga është një e keqe që vret pa mëshirë, kënd me ngadalë e kënd me shpejt.
Ata që tashmë kanë rënë pre e saj dhe që nuk duan të vdesin të rinj duhet kërkuar ndihmë profesionale sa më shpejt. Sa më herët të fillohet me trajtim, prognoza është më shpresëdhënëse.

Ndërsa ata që sapo kanë filluar karrierën e drogës, STOP konsumimit të mëtutjeshëm.
Vetëm për një “dehje” të shkurtër apo siq e quani ju “flash” apo “kick” mos u arratisni nga jeta që e keni dhuratë të papërseritshme. Ju mendoni që me konsum e harroni stresin dhe pikëllimin por JO, me konsumimin e drogës do t’a keni stresin dhe pikëllimin shoqëruesin kryesor të jetës./www.familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 24
  •  
  •  
    24
    Shares