Nga i marrim mendimet dhe dëshirat tona?

Nga Valter Nasufi – Sociolog

Truri i njeriun është një laborator i stërmadh që analizon dhe deshifron mijëra informacione brenda një sekonde, duke bërë që njeriu të zotërojë kështu një aftësi të paimagjinueshme të mendimit dhe gjërave të cilat mund t’i perceptoj në natyrën përrreth. Nga ana tjetër, është koha me gjithë faktorët e tjetër të jashtëm që vazhdimisht ndikojnë në bombardimin me mesazhe të shumëllojshme që vijnë nga të gjitha anët.

Gjithashtu, ne skalitjen e mendimeve me anë të zdrukthit shoqëror. Formësojmë pandërprerë mendjen njerëzore, por jo edhe përfundimisht statujën e mendimeve individuale, ngase ka shtigje ku vetëm kreativiteti shpërthen vrullshëm, nëse gatuhet si duhet.

E nisa kështu që të kuptojmë se, truri, mendja, apo thellë në vetveten tonë, njeriu është i aftë të zhvillohet shpesh pa e kuptuar. Ne, njerëzit, absorbojmë informacione gjatë gjithë kohës, që kur hapim sytë për herë të parë deri sa të plakemi. Shqisat, përvoja, mendja, ndjenjat, intuita dhe emocionet të gjitha këto sëbashku përbëjnë në tërësi dijen e përgjithshme të akumuluar përgjatë jetës. Duke mos harruar këtu motorin gjenerues, imagjinatën, e cila nxitet nga ato që i ceka më sipër.

Por, nga ana tjetër, vrullin e gjeniut njeri e ngulfatin pengesat e njëpasnjëshme që dalin si pirgje të mëdha përballë syve tanë që nga vegjëlia e deri në vdekje të cilat vazhdimisht godasin mendjen tonë. Duke bombarduar kështu intelektin e gjeniut që kemi brenda nesh. Në këtë pikë, gjykoj se proceset që kryhen brenda edhe jashtë qenies njeri, sa janë dobiprurëse për të aq janë edhe penguese në zhvillimin e tij mendor dhe intelektual.

Familjarët janë të parët që nga fëmijëria e hershme kanalizojnë kuptimet tona për botën dhe dëshirat për gjërat, apo siç quhet ndryshe në sociologji “socializimi” dhe faktorët social. Faktorët social që ndikojnë më së shumti në jetën e njërit janë familja, shoqëria, shkolla, media, etj. Të gjitha këto ndikojnë në formimin e njeriut, si të karakterit ashtu dhe të drejtimit të dëshirave dhe nevojave. Si në mënyrën e qasjes dhe se si i shikojmë gjërat lidhet ngushtë me kontekstin e rrethanave.

Kur individi arrin pjekurin, ai fillon dhe pasivizohet në komoditetin e arritjeve personale. Duke u mbyllur më punën ngërthyese monotone, e cila pandërprerë e bllokon trurin dhe mendjen. Duke e mbajtur të ngulfatur kreativitetin, zërin e mendjes çliruese dhe të kritikës.

Si rrjedhojë, do të vijmë në një përfundim që shumica e njerëzve mund të kishin të gjitha aftësinë për t’u bërë shkencëtarë, mjek, inxhinierë, profesorë, specialistë e kështu me radhë.

Çfarë dua të them me këtë:Në formimin primordial tonë dhe shijeve të cilat i kemi janë ndikimet që na vijnë jashtë nesh në forme të pavetëdijshme, apo siç do të thoshte Pierre Bourdieu është “Habitusi” që mund ta përkthejmë ndryshe si (struktura mendore) përmes të cilave njerëzit merren me botën shoqërore i cili na sugjeron shijet tona.

Sakaq, me habitusin kuptojmë edhe që njerëzit janë të pajisur me një sërë skemash të brendësuara me anë të të cilave ata perceptojnë, kuptojnë, çmojnë dhe vlerësojnë botën shoqërore.” Në mënyrë dialektike, habituset janë “produkt i brendshëm i strukturave” të botës shoqërore (Bourdieu. 1989)

Një tjetër aspekt se si e sheh Bourdieu, ai mes të tjerash mendonte se: “…mënyrën se si njerëzit, në bazë të pozitës së tyre në hapësirën shoqërore, perceptojnë dhe ndërtojnë botën e tyre shoqërore.” (Ritzer.2003)

Nga ana tjetër, shtojmë këtu dhe drejtimi i cili projektohet nga prindërit duke dashur që fëmija të behet ai që ata kanë ëndërruar të jetë dhe përpiqen të formojnë strukturën mendore të fëmijës. Por jo vetëm kaq, ngase edhe mësuesi luan një tjetër rol në formësimin e ideve, si për shembull në djekjen e dëshirave dhe në kanalizimin e tyre. Po ashtu, aftësitë tona në çdo aspekt që ta marrin janë të shumëllojshme, por varet se cilën mënyrë prej tyre zgjedhim të aktivizojmë.

Apo thënë ndryshe, cilën prej tyre e angazhojmë gjatë fëmijërisë sonë, ose cilat prej tyre i ushtrojmë më tepër gjatë shkollës dhe studimeve të më vonshme. Ajo dëshirë me kalimin e kohës do të triumfoj nga të tjerat. Del se, ndijimet dhe preferencat për profesionet dhe se çfarë dëshirojmë të bëhemi nesër janë rezultati i së kaluarës sonë. Pra, e kaluara skalit të ardhmen.

Në formimin e atij apo asaj që jemi, ndikojnë rolet përkatëse apo modelet që paraprakisht na pëlqejnë. Pra, tërhiqemi prej tyre, për t’u bërë edhe ne ashtu. Një lloj imitimi përshtatës duke u bërë si ata apo ato që ishin para nesh.

Këtu është shumë e rëndësishme pëlqimi a asaj se çka duhet të bëhemi. Por, gjithashtu të mos anashkalojmë rrethanat të cilat janë vendimtare në dhënien e mundësive duke realizuar planet që kemi ndërtuar në mendjet tona për veten. Të gjitha rrugët që mund të merren, të shpien nëpër profesione apo në atë që do të njohin të tjerët nesër. Ne e marrim vetëm një rrugë njëdrejtimëshe, dhe këtë rrugë e ndjekim deri në fund.

Megjithatë, për të shkuar deri tek pikësynimi ynë, mund të hasim shtigje të vështira derisa të mbërrijmë atë që kërkojmë në formimin e vetes.

Rruga është e gjatë dhe me plot pengesa, por dëshira është e fort dhe tejmase e sforcuar për realizimin e objektivave në synimet e përgjithshme, se si e shohim të ardhmen tonë të afërt. Megjithatë, shpesh nuk dalin ato që planifikojmë, por prapëseprapë marrim frytet e angazhimit në atë që kemi përfytyruar.

Dëshira është ajo që na bënë atë që jemi, pastaj menjëherë pas kësaj vjen vullneti për arritjen e kësaj dëshire. Megjithëse vullneti nuk është gjithmonë i qëndrueshëm, ai nganjëherë zvogëlohet e nganjëherë rritet, kjo varet sipas situatës dhe gjendjes në tëcilën ndodhemi./Përballje/Familjadheshendeti.com