Mjekimi i dhëmbëve te nënat gjidhënëse

Nga Dr. Spec. Arianita Shala – Zeka

Specialiste e Sëmundjeve të Dhëmbit me Endodoncion 

Kam hasur edhe në raste tjera, kur nënave gjidhënëse të cilat trajtoheshin më antibiotikë apo anestezion lokal tu rekomandohet pezullimi i përkohshëm i gjidhënies, por kjo ka rezultuar e pa mbështetur në fakte shkencore, andaj nuk është e nevojshme të bëhët një gjë e tillë përveç nëse kanë probleme tjera shëndetësore qoftë nëna, qoftë foshnja dhe për të cilat specialistët e gjinekologjisë dhe pediatrisë e konstatojnë më të dobishme për shëndetin ndaljen e gjidhënies.

Por sa i përket proceduarave dentare kjo nuk duhet të bëhet assesi, përkundrazi stomatologët duhet me këmbëngulje ta fuqizojnë gjidhënien para qumështit të formulës duke e ditur rëndësinë që gjidhënia ka përveç tjerash në shëndetin oral.

Anestezioni lokal që përdoret për mpirje të pjesës në gojë ku punohet, siç është lidokaina, ose ndonjë nga derivatet e saj që përdoren zakonisht si anestetikë lokal për procedurat dentare, nuk ndikojnë aspak në qumështin e nënës. Madje edhe Bupivakaini që ka efekt më të gjatë nuk arrijnë të jep ndonjë efekt në qumështin e gjirit. Dr. Thomas Hale, autor i librit “Ilaçet dhe qumështi i nënës”, konkludon se të gjitha materialet dentare që përdoren gjatë procedurave të trajtimit stomatologjik janë të sigurta dhe nuk kanë asnjë efekt negativ në gjirin e nenës, gjatë apo edhe pas trajtimit.

Edhe në rastet kur nënës i jepen ilaçe qetësuese (si diazepami), përsëri nuk ka ndonjë studim që tregon që ajo e afekton cilësinë e qumështit të gjirit, pra për sa kohë nëna është e kthjellur dhe në gjendje për ta ushqyer foshnjën ajo duhet ta bëjë atë pa humbur kohë. Me një fjalë shumica dërrmuese e barnave që përdoren për qetësimin janë të padëmshme për ushqyerjen me gji.

Edhe rrezet X, ultratingujt, gjilpërat për shërimin e dhëmbëve, etj. nuk ndikojnë në qumështin e nënës. Çdo lloj fotografimi me rreze x- që ju rekomandohet ta bëni, mund ta bëni lirisht pa u frikësuar që do të ketë ndonjë efekt në qumështin e gjirit.

Edhe lëngjet që përdoren për pastrimin e gojës (shpëlarjen) nuk përbëjnë një problem për foshnjën apo qumështin, ngase në praktikë absorbimi i tyre është zero.

Edhe nëse nëna gjidhënëse dëshiron ta bëjë zbardhimin laserik të dhëmbëve, zakonisht për zbardhimin e dhëmbëve përdoret një preparat që në përbërje ka peroksid i cili absorbohet në inde, por pastaj shkatërrohen menjëherë, kështu që asnjëherë nuk e arrijnë qumështin e nënës.

Këtë shembull e dhashë me qëllim që të shpjegoj edhe njëherë se çfarëdo trajtimi dental, qoftë pastrim i dhëmbëve me kavitron /ultratingull (largimi i gurëve), pastrimi profesional me brushë dhe pastë (largimi i depozitimeve të buta), mbushja e dhëmbit me kompozit, depulpimi i pulpës, largimi i pulpës/nervit dhe mbushja e kanali, shërimi i dhëmbit gangrenoz apo procesit periapikal (me ilaç jodaform+CaOH2), drenazha e dhëmbit, nxjerrja, rindërtimi, dekortikimi, etj., nuk japin asnjë efekt negativ në cilësinë e qumështit rrjedhimisht shëndetin e foshnjës.

Kuptohet nëse nëna gjidhënëse nuk ndjehet e gatshme gjatë kësaj faze për trajnime dentare mund të mos e bëjë dhe ta shtyjë për një kohë tjetër, por cilësia e qumështit apo ndikimi i saj në shëndetin e foshnjës nuk duhet të jetë arsyeja, sepse efekti negativ është ZERO. /Familjadheshendeti.com