Menaxhimi i dhimbjeve të gjoksit

Nga Dr. Gojart PLLANA Spz. i Kardiologjisë me Angiologji

Qendra Klinike Universitare e Kosovës / Klinika e Kardiologjisë

Çfarë duhet të bëni nëse keni dhimbje gjoksi? 

Shumica e dhimbjeve të gjoksit nuk janë të lidhura me zemrën. Ato mund të kenë natyra të ndryshme si: muskulare, ashtërore, kurrizore, mushkërore, gastrointestinale, emocionale etj.

Më poshtë do të shohim se kur këto dhimbje janë me serioze dhe kur duhet të shqetësohemi për to.

Fillimisht do te njihemi me dhimbjet e gjoksit qe ndoshta nuk janë shkaktuar nga ndonjë problem me zemër. Ju nuk duhet të shqetësoheni shume nëse:

Keni dhimbje në një pikë të vetme në gjoks, të cilën e cekni me anë të gishtit.

Dhimbja shtohet kur merr frymë thellë ose nëse nuk merrni frymë për disa sekonda zvogëlohet ndjeshëm dhimbja.

Dhimbja ndryshon gjate lëvizjes se një pjesë specifike (krahëve, qafës).

Antacidët (barerat per nivelizimin e thartines ne lukth) lehtësojnë dhimbjen.

Dhimbja zgjat vetëm disa sekonda.

Kur duhet vizituar kardiologun?

Nëse nuk jeni të sigurt nëse simptomat tuaja janë serioze ose jo duhet që sa më shpejtë që është e mundur të bëni një vizitë të kardiologu për të vlerësuar nëse dhimbja juaj është një emergjencë apo jo.

Nëse keni dhimbje në gjoks që nuk largohet, duhet vizituar mjekun për vlerësimin e asaj dhimbje. Edhe dhimbja e gjoksit që nuk shkaktohet nga sëmundjet e zemrës mund të jetë një shenjë paralajmëruese e problemeve të tjera si: aorta (enën me te madhe te gjakut që del nga zemra), mushkëri ose organe të tretjes.

Ju duhet që të lajmëroheni menjëherë te kardiologu nëse:

Keni dhimbje mesatare ose çfarëdo shqetësimi në gjoks, nëse ju jeni përgjegjës për jetën e të tjerëve (si p.sh. pilot, shofer autobusi ose kujdestar i vetëm për fëmijë të vegjël).

Keni dhimbje të kraharorit që nuk kalon me ilaçe, e cila ndodh pas një aktiviteti minimal fizik ose ndodh menjëherë gjatë pushimit kur keni bërë një aktivitet fizik.

Keni dhimbje kraharori ose diskonfort për herë të parë, me simptoma të ngjashme me ato të sëmundjes së arteries koronare.

Njoftojeni mjekun tuaj nëse:

Keni një histori të dhimbjeve të gjoksit të shkaktuar nga enët koronare zemrës (angina).

Keni një ose më shumë faktorë rreziku për sëmundje të zemrës (dabeti, duhani, HTA).

Keni një histori familjare te vdekjes së papritur nga sulmi në zemër.

Kur duhet të lajmëroni ndihmën e shpejtë?

Telefononi 194 nëse keni simptoma të sulmit në zemrës që zgjasin më shumë se 5 minuta. Gjithmonë kërkoni menjëherë kujdesin e urgjencës nëse mendoni se po ndodh një sulm në zemër. Mos prisni për të parë nëse ai kalon.

Ju nuk duhet të ngriheni apo te provoni të vozisni vete deri ne emergjence nëse mendoni se po përjetoni një sulm në zemër. Telefononi ndihmën e shpejte dhe nëse ajo nuk mund të vijë menjëherë, duhet dikush t’ju dërgoj në emergjence, jo të ngisni vetë makinën.

Telefononi 194 ose shërbime të tjera emergjente në qoftë se keni dhimbje në gjoks që janë shtrënguese dhe shtypëse të shoqëruara me ndonjë nga simptomat e mëposhtme:

Djersitje

Vështirësi në frymëmarrje (frymëmarrje të shkurta);

Mundim dhe/ose të vjella;

Dhimbje që përhapet nga gjoksi në qafë, nofulla, njërin apo të dy krahët;

Marramendje;

Puls të shpejtë ose të parregullt;

Shenjat e shokut (të tilla si dobësi e rëndë, paaftësia për të qëndruar në këmbë apo për të ecur).

Simptomat që duhet marrë parasysh

Simptomat e sëmundjeve të arterieve koronare dhe sulmit në zemër janë individuale dhe dallojnë në njerëz të ndryshëm. Disa njerëz mund të kenë dhimbje gjoksi, të tjerë mund të kenë simptoma të lehta që mund të përfshijnë frymëzënie, ndjenje të djegies në gjoks, vjellje ose lodhje. Një sulm në zemër mund të ndjehet dhe si dispepsi që nuk largohet nga antacidet.

Shumica e sulmeve ne zemër përfshijnë shtrëngim në qendër të gjoksit që zgjat më shumë se disa minuta e cila largohet dhe kthehet prape.

Disa nga mënyrat se si paciente përshkruajnë këtë shqetësim janë:

Shtypje me intensitet të lartë në gjoks;

Shtrëngim të fortë gjoksi;

Dhimbje shpuese;

Mundim, djerse të ftohta;

Ndjesi djegieje

Simtomat tjera të një sulmi në zemër përfshijnë

Ndjenjë të ngulfatjes ose ngushtim fyti, një gungë në fyt, ose një nevojë për të mbajtur gëlltitjen;

Të përziera;

Vështirësi frymëmarrjeje;

Çrregullim ritmi;

Nervozitët, siklet në krah ose në dorë.

Lajmërohuni të kardiologu nëse:

Keni dhimbje gjoksi gjate dy muajve të fundit por që tani dhimbja është intensifikuar/përkeqësuar.

Keni dhimbje gjoksi që ndodh 3 ose më shumë herë në ditë.

Nëse dhimbja e gjoksit papritmas bëhet më e shpeshtë ose me e rëndë, zgjat më shumë, ose ka ardhur nga një aktivitet fizik i lehtë në krahasim me më parë.

Lajmërohuni të kardiologu juaj nëse keni pasur sëmundje të enëve të gjakut të zemrës të diagnostikuara dhe keni dhimbje në gjoks që nuk largohet edhe përkundër terapisë që perdorni për trajtimin e anginës në shtëpi.

Përfundim 

I shëndoshi ka 1000 dëshira, ndërsa i sëmuri vetëm një: që të shërohet sa më shpejtë, prandaj është shumë e rëndësishme që të ruajmë shëndetin tonë duke eliminuar faktorët e rrezikut (duhanin, alkoolin, yndyrat, sheqernat) dhe të merremi sa më shumë me aktivitet fizik.

Duke ditur se dhimbjet e gjoksit në përgjithësi (pa marre parasysh a janë me natyrë kardiake apo jo) janë nder dhimbjet më të shpeshta, diagnostikimi sa më i shpejtë i tyre është shumë i nevojshëm. Është shume e lehtë për një profesionist/Kardiolog që t’i definoj ato nëse kanë të bëjnë me zemrën apo jo, prandaj ju rekomandoj që nëse keni dhimbje gjoksi të lajmëroheni të kardiologu për të vlerësuar natyrën e tyre. Dashtë Zoti ato mos të kenë karakter kardiak, por mendoj se ia vlen të definohet natyra e dhimbjeve të gjoksit në mënyrë që nëse ato janë me natyrë kardiake të diagnostikohen me kohë edhe të kenë trajtim me efikas, ndërsa nëse ato nuk kanë të bëjnë me zemrën të jemi të liruar nga presioni dhe dyshimi se mos rastësisht këto dhimbje janë nga aparati kryesor i trupit të njeriut që quhet ZEMËR./FamiljadheShëndeti

Shpërndaje
  •  
  •  
  •