MBYLLINI

Nga Ardian Vehbiu

Një denoncim i hidhur i gazetës “Daily Mail” e riktheu në vëmendje gjendjen e mjeruar të së ashtuquajturave “kopshte zoologjike” në Shqipëri – ku kafshët lihen thjesht të mbijetojnë në gjendje të vuajtjes totale.

Këto vende nuk kanë kurrfarë vlere as edukative as dëfrimi, veç shërbejnë si qendra ekspozimi të lëngimit; ose më mirë, reflekse të mizorisë dhe të budallallëkut tonë.

Luani gjysmë i ngordhur në një kafaz nuk është më luan, por kufoma e gjallë e kafshës që ishte dikur. Luani real jeton dhe lëviz i lirë, vetëm ose me familjen e tij, është këlysh vëlla dhe baba, bën seks, lufton me rivalët, gjuan antilopat dhe gazelat në savana. Çfarë i mbetet, kur e privon nga esenca e vet prej luani?

Prandaj ndoshta është momenti për t’u kërkuar autoriteteve: MBYLLINI KËTO VITRINA TË MJERIMIT. Hiqini kafshët e egra nga kafazet: luanët, arinjtë, leopardët, jaguarët, ujqërit, rrëqebujt, dhelprat nuk ekzistojnë që ne, prindër të së dielës, t’ua tregojmë fëmijëve. Çojini në sanktuare për të vdekur me një farë dinjiteti, nëse kjo mund të bëhet; dhe ndalojeni me ligj importin dhe kapjen e tyre për qëllime argëtimi. Përndryshe edhe eutanazia, në këto rrethana, do të ishte për t’u parapëlqyer ndaj torturës që u bëhet këtyre krijesave përditë.

Të vetmet hapësira të pranueshme, për synime edukimi, do të ishin ato që njihen edhe si “pet zoos” – ku kafshë të zbutura e të mësuara me njerëzit, si dele, dhi, llama, lopë, gomerë, poni, derrkucë, lepuj, pula, pallonj e fazanë mund të vijnë në kontakt me të vegjëlit. Sa për gjallesat e tjera, ato e kanë vendin kudo gjetiu në botë, por larg nesh; dhe, së paku, larg atyre që nuk i kuptojnë dhe nuk dinë të kujdesen për to.

Edhe vetë Kopshti zoologjik, si institucion, i përket një epoke tashmë të kapërcyer – dhe nuk mund të përligjet dot më. Studiuesit që duan dhe duhet të punojnë me kafshë të egra, mund ta bëjnë këtë në habitatet e tyre ose në qendra të specializuara; fëmijët mund t’i shohin kafshët e tyre të preferuara në film dhe në televizion. Anembanë botës, cirqet që punojnë me kafshë të egra dhe që hipin arinjtë në biçikleta dhe veshin tigrat me fustan sa vijnë e pakësohen.

I vetmi rol që mund t’u ketë mbetur këtyre institucioneve është të ndihmojnë për të ruajtur dhe riprodhuar speciet në rrezik zhdukjeje – por ne nuk e bëjmë dot këtë në Shqipëri dhe as na mbetet ne për ta bërë. Përndryshe, sensibilizimi i publikut për çështje të mjedisit dhe të impaktit njerëzor ndaj natyrës nuk ka nevojë për kafazet me arinj dhe luanë.

Le të mbyllen, pra, këto BURGJE TË JETËS; ndoshta duke bërë një gjest të njerëzishëm ndaj atyre me të cilët e ndajmë planetin, do të mësojmë edhe si të jemi më të njerëzishëm me njëri-tjetrin.

© Peizazhe të fjalës™. Ky shkrim mund të qarkullohet lirisht, duke shënjuar burimin. /Fsmiljadheshendeti.com