Shkruan dr Ismail Lutolli

Të gjithë ishim dëshmitarë të një aksidenti fatal, me ç’rast ndërsa po ecte në trotuar u shtyp gati për vdekje Taunita, një grua që po ëndërronte të bëhej nënë dhe e cila në barkun e saj po bartte foshnjën 7 muajshe Ebrara-n.

Gjithçka u përmbys për pak sekonda, dhe të gjitha ëndrrat u rrënuan përfundimisht. U derdh shumë gjak, lot, dhe u përjetua një tmerr i vërtetë në ato momente. Taunita përfundoi në gjendje kritike, ndërkohë që po përpëlitej në shtratin e vdekjes. Ebrara, foshnja 7 muajshe u nxorr e vdekur nga barku i nënës së saj. Ajo u varros, për të pushuar e qetë, dhe shpirti i saj iu dorëzua Zotit të saj. Kam menduar gjatë këto ditë rreth ndodhisë e cila preku thellë në shpirtin tonë.  Unë ndieja dhimbjen më të madhe për vajzën 7 muajshe Ebrara-n, e cila vdiq si pasojë e përplasjes me kamionetën dhe murin përballë.

Gjatë një bisede në lidhje me rastin, bashkëshortja ime Samirja, përndryshe specialiste e Gjinekologjise, ma hapi një horizont të ri të cilin s’e kisha menduar fare. Ajo më tha: “E kuptoj dhimbjen që ndien, por a ke menduar se pikërisht ajo vajzë 7 muajshe është shkaktare që sot Taunita jeton? Ajo e mbrojti nënën e saj aty ku po trokiste vdekja”!! O Zot, këtë s’e kisha menduar asnjëherë. Më kishte ikur ky detaj, dhe më pastaj nuk rreshta së analizuari këtë ngjarje në detajet më të imta të saj. Kishte të drejtë, vajza 7 muajshe e cila qëndronte në barkun e saj, me gjasë ishte shkaku kryesor që sot Taunita ndodhet ende në mesin tonë. E tëra duket si një skenar i dhimbshëm, por pakkush e mendon se në tërë këtë ndodhi ka nje mrekulli të madhe, në tërë këtë ndodhi ka një moment që të rrënqeth shpirtin e zemrën.

Lind një pyetje shumë domëthënëse: kush e ndihmoi Tauniten të shpëtojë nga vdekja e sigurtë? Kush ishte në mbrojtje të saj në ato momente kur nuk kishte asnjë mbrojtje tjetër? A e keni menduar dhe besuar se pikërisht kjo vajzë në barkun e nënës së saj mund të ketë qenë shkaku kryesor që Zoti kishte caktuar që sot Taunita është ende në jetë? A e keni menduar që Zoti e kishte caktuar që pikërisht kjo vajzë të ishte mburoja e nënës së saj në ato momente?

Përplasja e kamionetës ndodhi pikërisht në pjesën e poshtme të barkut të nënës, aty ku Ebrara notonte në mbretërinë e saj. Ajo përplasje shumë e fuqishme, dhe shtypja e saj per murin kishte vetëm nje mburojë, e ajo ishte bebi Ebrar, e cila me gjasë u bë shkak të mos vinte deri te dëmtimi i organeve të brendshme dhe gjakderdhja nga enët e mëdha të gjakut. Nuk erdhi deri te hemoragjia nga pankreasi, mëlçia e shpretka, e as nga enët e tjera të mëdha të gjakut. Në këto raste, gjakderdhja mund të ishte shumë e rëndë dhe vdekjeprurëse. Nuk ndodhi asnjëra nga këto por ndodhi vetëm vdekja e Ebrarës, ajo e cila qëndroi si mburojë e tërë këtyre organeve vitale. Pikërisht Ebrara e vogël u bë mburojë, u bë mur për nënën e saj.

Taunita sot është në gjendje të rëndë, por një ditë kur të shërohet do e kuptojë se çfarë mrekullie i kishte ndodhur në fakt. Ajo do e kuptojë se përpos besimit për takimin në përjetësi me vajzën e saj, ajo kishte edhe një moment kritik që e ndan me vajzën e saj. Taunita do e kuptojë se ajo sot mund të ketë mbetur gjallë ndoshta pikërisht për shkak të vajzës së saj, e cila ishte mburojë nga një goditje fatale. Shumë lot u derdhën, e shumë zemra u shtangën kur kuptuan për humbjen e vajzës, por sot po ju them se shumë lot do duhej të derdheshin e shumë zemra do duhej të rrihnin fort e me mallëngjim kur të kuptojnë këtë që ndodhi, kur të kuptojnë që kjo vajzë në fakt e mbrojti nënën e saj.

Historia njeh shumë raste të sakrificës së nënës për të bijën, por ja që ka edhe të kundërta dhe ato ndodhin ende pa ardhë në jetë. Kur Zoti don, gjërat e mrekullitë ndodhin. Ebrara u prehsh në paqe nën mëshirën e Zotit, dhe u bëfsh thesar i mamit tuaj në të dy botërat!/Familjadheshëndeti