Kur ne e injorojmë rënkimin e shpirtit tonë

Pjesa III

Përpara se të kaloj tek metodat e shërimit të “fëmijës së brendshëm” dua ti sjell akoma edhe ca fakte mbi neurofiziologjinë e trurit të fëmijës, të përshkruara në mënyrë fare të thjeshtë.

Tek fëmija i vogël, shumica e proceseve psikologjike dhe kognitive si p.sh. të menduarit logjik, arsyeja dhe qasjet për zgjidhjen e problemeve nuk janë të zhvilluara akoma plotësisht. Fëmija i vogël i përcepton vetëm nevojat e tij.
Nëse nevojat e tij plotësohen, ai ndjen që bota është në rregull dhe nuk ka nevojë për shqetësim. Por nëse nevojat e tij nuk plotësohen, truri i tij, konkretisht trupi amigdaloid dhe strukturat tjera të trungut trunor të cilat janë përgjegjëse për jetën emocionale dhe mbijetesën, tregojnë shenjën e alarmit. Këto struktura funksionojnë në mënyrë automatike dhe në gjendje alarmi aktivizohen duke e aktivizuar edhe sistemin nervor simpatik dhe lirimin e adrenalinës. Kështu fēmija bërtet dhe shkelmon. Pra, ky sistem është përgjegjës për aktivizimin e përgjigjes së trupit ndaj rrezikut.
Është e kuptueshme që përvojat negative, potencialisht kërcënuese ruhen në ndërdijen tonë si më të rëndësishme dhe për këtë arsye ato dominojnë më shumë se ato pozitivet.

Edhe pas zhvillimit të mëtejmë të korteksit trunor i cili është përgjegjës për vetëdijen dhe kujtesën, aftësinë për të mësuar, për të folur, menduar, planifikuar, kontrolluar emocionet, pastaj për lëvizjet e vullnetshme, kontrollin dhe koordinimin e funksioneve vegjetative etj., prapë se prapë nëse njëriu vihet në një situatë kërcënuese, truri reagon me automatizmat e lartëpërmendur dhe shënon gjëndje alarmi.

Në përgjithësi, në rast shoku emocional, të gjitha pjesët e ndërgjegjshme të trurit fiken dhe trupi amigdaloid e merr kontrollin. Kjo është arsyeja që nëse përjetojmë kërcënim akut, ne nuk mund të mendojmë së pari se çfarë të bëjmë, por se si të veprojmë shpejt, apo se si të ikim.

Çfarë informacioni ruan truri?

Truri ruan gjithçka që përjeton. Trupi amigdaloid përmes emocioneve veçanërisht frikës dhe tronditjes ruan madje edhe gjithë informacionin shtesë në lidhje me përvojën e frikshme dhe e “njeh” atë si një kërcënim të mundshëm. Pra edhe të gjitha rrethanat që shoqërojnë shokun e përjetuar, të tilla si; erërat, zhurmat, muzika, ndjesitë trupore, njerëzit që kanë qenë ose objektet e ndryshme, do të ruhen të pa filtruara në tru dhe ato mund të vlerësohen si një rrezik i mundshëm kur ato ripërjetohen.
Ato madje shkaktojnë përsëri të njëjtën frikë, pas kontaktit, sepse gjithçka është e paketuar në një “kuti” dhe ruhet aty. Nëse përvoja ishte jashtëzakonisht tronditëse, fëmija tenton që këtë “kuti” ta ruajë në sirtarin më të largët, në mënyrë që ta shmangë nga kujtesa e tij dhe që të jetë në gjendje të vazhdojë jetën.

Është shumë e rëndësishme që fëmija pas një tronditjeje të ketë mbështjetje të mjaftueshme emocionale, sidomos kontakt trupor me prindin, të afërmin apo kujdestarin, sepse kështu do të zvogëlohet tajimi i hormoneve të stresit dhe do të arrihet një ekuilibër emocional. Poashtu duhet ti lejohet të qajë ose të zemërohet në mënyrë që të balancohen emocionet e tij. Nëse kjo nuk ndodh, përvoja traumatike do të ruhet me po atë intensitet që është përjetuar dhe do të perceptohet si rrezik permanent. Kështu që saherë që diçka ia kujton atë traumë, do ti shkaktojë përsëri të njëjtën frikë.

Ndërsa atëherë kur përvojën e keqe fëmija tenton ta “shtypë” plotësisht, stimujt shoqërues megjithatë nuk do të mund ti shtypë tërësisht, kështu që ata stimuj do të shkaktojnë të njëjtën frikë. Kjo sepse, fëmija nuk mund ti identifikojë stimujt ose nuk mund ti dallojë ata nga përvoja dhe për këtë arsye nganjëherë ai nuk e di nga vjen ajo frikë.
Ne në moshën e rritur, pikërisht për këtë arsye ndjejmë një zbrastësi në kujtesë në lidhje me përvojat e këqija.

Nevojat kryesore të një fëmije:

Të gjithë fëmijët kanë këto nevoja themelore; ushqimin, afërsinë dhe dashurinë. Nëse këto nuk i kanë në mënyrë adekuate, fëmijët mund të zhvillojnë sjellje që i dëmtojnë ata në moshën e rritur.
Këto nevoja vendosin pra tërësisht themelet e personalitetit të fëmijëve dhe të marrëdhënieve me të tjerët në të ardhmen, themelet e suksesit profesional, lumturisë, mirëqenies sidomos shëndetit mendor në përgjithësi.

Zakonisht njerëzit as që janë të vetëdijshëm që kjo lidhje me të kaluarën është kaq e rëndësishme. Sepse edhe shpesh nuk janë të vetëdijshëm për atë që ka ndodhur në fëmijërinë e tyre. Në moshën e rritur për çdo vuajtje e dështim njerëzit parapëlqejnë gjithmonë të fajësojnë të tjerët, pa e marrë mundin të merren me veten e tyre, sidomos të punojnë me “fëmijën e tyre të brendshëm” i cili ka nevojë për ndihmë imediate.

Shërimi i “fëmijës së brendshëm” ka rëndësi të pazëvendësueshme, sepse thjeshtë do ti mundësojë secilit që ta marrë jetën në duart e tij.

☀️Me shërimin e “fëmijës së brendshëm” do të zhvilloni një marrëdhënie të dashur pikë së pari me veten tuaj.
☀️Do te pëmirësoni poashtu marrëdhëniet tuaja me të tjerët.
☀️Do të dini ti plotësoni nevojat tuaja në mënyrë të shëndetshme.
☀️Do të ndjeni ekuilibër dhe stabilitet të brendshëm, poashtu liri dhe sovranitet.
☀️Do të zhvilloni potencialin tuaj personal dhe do ta formësoni jetën tuaj në mënyrë aktive dhe të pavarur.

Nëse nuk ia dilni menjëherë, nuk duhet dorëzuar assesi, asgjë nuk ndryshohet shpejt. Ju duhet të vazhdoni ti përsërisni këto modele në nivele të ndryshme gjatë gjithë jetës suaj.

♟Kur dhe në cilat raste duhet ndërhyrë nëse duam ndryshim?

Po i cekë vetëm disa, të cilat ndoshta do të tingëllojnë të njohura për ju:

?Ju dëshironi të ndryshoni diçka nga jeta juaj, por ndiheni të pafuqishëm.
?Ju zgjedhni gjithmonë shoqërinë apo partnerët e gabuar dhe nuk e kuptoni pse?
?Ju toleroni njerëzit e tjerë nga frika se mos mbeteni vetëm.
?Ju përpiqeni për harmoni, shmangni konfliktet dhe lini pas dore vetveten.
?Jeni shumë kërkues në mënyrë që nevojat tuaja të plotësohen patjetër.
?Për shkak të pritjeve të larta, keni tendenca perfeksionizmi.
?Ju kërkoni pushtet dhe kontroll nga frika se mos ju lëndojnë.
?Ju keni kaluar në varësi të substancave të ndryshme për të shpërqendruar veten.

?HAPI I PARË është të ndaleni e ta analizoni jetën tuaj të përditshme dhe të kuptoni se ku është më e vështirë:

?Në marrëdhëniet tuaja (me familjen, kolegët etj)
?Në fushën e shëndetit dhe mirëqenies?

?Analizoni edhe njëherë pikat e lartëpërmendura dhe e kërkoni veten aty apo thjesht pyeteni veten;
?A është jeta juaj ashtu siq dëshironi të jetë?

Të kuptohemi, e kam fjalën gjithnjë për zhvillimin e brendshëm nga i cili fillon dhe mbaron gjithcka. Nga këtu mund të fillojë ndryshimi individual dhe nëse secili e përqafon këtë metodologji shëruese, do të fillojë edhe ndryshimi kolektiv për të cilin kemi nevojë si për bukë e ujë.

Të punosh me “fëmijën e brendshëm” do të thotë të zbulosh se çfarë i nevojitet atij dhe t’i japësh atij sot atë që i ka munguar shumë për një kohë të gjatë.

?HAPI I DYTË dhe thelbësor është kontakti me fëmijën tuaj të brendshëm. Kur i rrituri juaj i brendshëm mëson të kujdeset mirë për fëmijën e dëmtuar brenda jush, plagët e vjetra mund të shërohen. Ju nuk mund ta vendosni fëmijën tuaj të brendshëm në prehrin e të tjerëve, t’ia gjeni nje kujdestar apo ta dërgoni në ndonjë qerdhe, por duhet të kujdeseni vetë dhe të merrni përgjegjësi vetë për të.

?Kontakti me “fëmijën e brendshëm“
RINGJALLJA E FËMIJËRISË

Për një kontakt të parë me fëmijën tuaj të brendshëm, është e dobishme nëse mbani mend gjërat e bukura të fëmijërisë suaj.
?Çfarë të pëlqente të bëje si fëmijë?
?Çfarë mund të bëje për orë të tëra pa u mërzitur?
Nëse nuk iu kujtohet asgjë në mënyrë spontane, lini pyetjet të zhyten vetë në trurin tuaj dhe prisni të shihni se çfarë përgjigjesh do të vijnë në orët ose ditët e ardhshme.
Nëse bëni një pyetje specifike, me kalimin e kohës ndërdija juaj do t’ju japë përgjigje.
Për të gjetur përgjigjen, pyetni edhe prindërit tuaj, vëllezërit, motrat apo të afërmit tjerë, shikoni fotot e vjetra apo ndaluni e meditoni. Me pak durim, do të vie kështu përgjigjia tek ju. Ndoshta ishte vizatimi, vallëzimi, këndimi, kërcimi me litar, loja me llastik apo symbylltazi, me top apo me guralecë, ngjitja në pemë, loja me kafshë etj.
Mendoni se si mund tu jepni këtyre aktiviteteve edhe njëherë hapësirë në jetën tuaj. Padyshim që ju mund të bëni të paktën diçka të vogël çdo ditë që i sjell gëzim “fëmijës suaj të brendshëm?
Ndoshta keni akoma diçka nga e kaluara juaj, që ishte shumë e rëndësishme për ju atëherë, çoftë ajo edhe një lodër.
Nëse jo, mund të blini diçka të ngjashme, që ta kënaqni çdo ditë nga pak fëmijën në ju. Në këtë pikë secili e gjen vetveten e vet në mënyrën e vet.

?Kontakti me “fëmijën e brendshëm” përmes meditimit, vizualizimit dhe udhëtimit në ëndërr.

Pasi ta keni vendosur veten në një gjendje të qetë, medituese, këto meditime do t’ju çojnë në një vend ose dhomë të brendshme ku i “rrituri juaj i brendshëm” takon “fëmijën tuaj të brendshëm”. Zakonisht shfaqet një imazh shumë specifik i “fëmijës suaj të brendshëm”, thjesht intuitivisht nga ndërdija juaj.
Në këto meditime ju perceptoni një imazh të „fëmijës suaj të brendshëm“ dhe mësoni se në çfarë gjendje shpirtërore është.
Nëse e keni neglizhuar dhe injoruar deri më tani, ka shumë të ngjarë të jetë i trishtuar, i zemëruar, i dëshpëruar, i frikësuar etj.
Absolutisht nuk është për t’u habitur nëse fëmija juaj i brendshëm fillimisht reagon në mënyrë sfiduese ndaj të “rriturit tuaj të brendshëm” dhe nuk dëshiron të ketë asgjë me të, ngase ju e keni injoruar atë për vite me rradhë. Kështu që jini të durueshëm dhe jepni kohën që i nevojitet “fëmijës tuaj të brendshëm” për t’ju besuar përsëri.

Në thelb në këto meditime, ju do të takoni “disa fëmijë të brendshëm” që korrespondojnë me faza të ndryshme të zhvillimit. Ju gjithmonë mund të takoni veten tuaj në meditime të tilla në një moshë tjetër, në varësi të temës me të cilën merreni aktualisht. Ju mund të gjeni mënyra meditime të shumta në YouTube për faza të ndryshme të zhvillimit të “fëmijës suaj të brendshëm”, p.sh. për foshnjën, vogëlushin, fëmijën parashkollor, shkollarin ose adoleshentin në ju.

Mund të provoni gjëra të ndryshme dhe të shihni se çfarë ju bën të reagoni më shumë. Në këtë mënyrë do të zbuloni në cilën fazë të zhvillimit jeni lënduar më shumë, gjegjësisht në cilën fazë është i nevojshëm më shumë shërimi.

?Kaloni kohë me “fëmijën tuaj të brendshëm”

Fëmija juaj i brendshëm ka nevojë për kohën tuaj. Jo shumë, por ai duhet ta dijë që ju jeni këtu dhe se nuk do ta lini përsëri vetëm.
?Kaloni pak kohë me fëmijën tuaj të brendshëm çdo ditë, në çfarëdo forme.
?Flisni mirë me të dhe thoni fjali si:
?Unë jam me ty dhe nuk do të të lë më kurrë vetëm.
?Ti je i mirë ashtu siç je.
?Të kuptoj që ndjehesh i frikësuar, i zemëruar, I zhgënjyer etj.
?Unë të dua.
I bëni pyetje.
?Çka të duhet tani?
?Çka të bën kaq të zemëruar apo të dëshpëruar?
?A je i zemëruar me mua ose dikë tjetër?

Dialogu me “fëmijën tuaj të brendshëm”
është një qasje e rëndësishme në ndërdijen tuaj. Ju kështu mund të mësoni shumë për veten, të kaluarën tuaj dhe situatën tuaj aktuale. “Fëmija juaj i brendshëm” ka shumë për t’ju thënë.Ju gjithashtu mund të mësoni për dëshirat e përditshme të “fëmijës suaj të brendshëm” dhe t’i jepni atyre më shumë hapësirë, psh.
?Çfarë do të dëshiroje të hash sonte?
?Me kë dëshiron të kalosh kohën?
?Cilin film do të dëshiroje ta shihje?
?Çfarë dëshiron të bësh këtë fundjavë?
etj, etj.
Një dialog i tillë me “fëmijën tuaj të brendshëm” është i mundur vetëm nëse i jeni afruar tashmë atij dhe nëse ai tanimë ka besim në ju.
Nëse flisni me “fëmijën tuaj të brendshëm” rregullisht 5- 10 minuta çdo ditë, ai do t’a rimarrë besimin tek ju.

?Ushqeni fëmijën tuaj të brendshëm duke shkruar.

Shkrimi është gjithashtu një mënyrë e fuqishme për t’u afruar më shumë me fëmijën brenda jush.
?Shkruajini një letër “fëmijës tuaj të brendshëm” dhe tregojini se sa i mrekullueshëm dhe sa unik që është.
?Bëjani me dije se sa të lumtur jeni që e keni gjetur përsëri dhe që jeni në kontakt me të tani.
?Tregojini që tani e tutje ju do të kujdeseni për të me tërë qënien tuaj.
?Tregojini gjithçka që ju vetë do të donit të dëgjonit si fëmijë, gjërat që ju duheshin, por nuk i morët.

“Shërimi do të thotë të përjetosh të kundërtën e dëmtimit origjinal”.

Ju mund t’i shkruani poashtu pyetje “fëmijës tuaj të brendshëm” dhe të shihni se cilat përgjigje iu rrjedhin juve në letër. P.sh. shkruani pyetjet tuaja me dorën tuaj dominuese të shkrimit, dorën me të cilën shkruani gjithmonë, ndërsa përgjigjet e “fëmijës suaj të brendshëm” me dorën jo dominuese të shkrimit. Kjo është pak rraskapitëse në fillim, por shumë efektive sepse kështu do të keni qasje më të mirë në ndërdijen tuaj. Plus, automatikisht krijohet ndjenja sikur një fëmijë po shkruan.
Ju gjithashtu mund të përdorni dy stilolapsa me ngjyra të ndryshme për të ndarë fjalët e të “rriturit tuaj të brendshëm” dhe ato të “fëmijës së brendshëm”.

?Tregojini fëmijës tuaj të brendshëm jetën tuaj të përditshme /botën tuaj sot.

?Përjetoni jetën tuaj të përditshme përmes syve të “fëmijës tuaj të brendshëm”.
?Imagjinoni që me vetëdije po e merrni me vete „fëmijën tuaj të brendshëm“ për herë të parë dhe i “rrituri juaj i brendshëm” po i tregon atij gjithçka që ju bëni dhe përjetoni sot.
?Vëreni, se si reagon “fëmija juaj i brendshëm”
ndaj jetës tuaj të përditshme?
?Çfarë do ai?
?Çfarë nuk i pëlqen aspak?
?Kushtojini vëmendje impulseve që ju jep fëmija juaj i brendshëm.
?Kur është e mundur, ndiqni impulset që ua zgjon ai. Për shembull, nëse fëmija juaj i brendshëm dëshiron të vrapojë diku tjetër, dëshiron të këndojë një këngë, apo të bëjë diçka tjetër, bëjeni atë.
?Impulset e tilla asnjëherë nuk do iu shpien në vendime të gabuara, përkundrazi.
?Ju intuitivisht e dini saktësisht se çfarë do ai.
?Përqafojeni, ngushëllojeni, tregojini saktësisht fjalët që duhet të dëgjojë.
?Në këtë moment mund të ndodhë që ndjesia e pakëndshme të zhduket papritmas.
?Ju do të ndiheni të lehtësuar jashtëzakonisht shumë.
?Nëse vërtet doni të ndryshoni jetën tuaj thelbësisht, lironi “fëmijën tuaj të brendshëm” nga podrumi i ndërdijes, vendosni kontaktin me të, trajtojeni me dashuri dhe mos e injoroni kurrë më.

?Nëse keni pasur përvoja thellësisht traumatike dhe nuk ndiheni mjaft të fortë për këtë, ju lutem mos e bëni kurrë këtë proces të vetmuar, por kërkoni ndihmë profesionale psikoterapeutike.

Dëgjoni zërin tuaj të brendshëm, ai do t’ju tregojë nëse mund ta bëni vetëm ose nëse keni nevojë për ndihmë.

Por, të flisni me të butësisht dhe ta siguroni që e doni pa kushte, nuk iu nevojitet asnjë ndihmë profesionale. Thjesht nxirrni më të mirën nga thellësia e zemrës suaj, për zemrën e “fëmijës suaj të brendshëm”.

FUND

Valbona Hysenaj Miftari
Kryemjeke pranë departamentit të sëmundjeve të varësisë në PDAG, Brugg/ CH