KOSI

Nga Blerta Kryeziu Thaqi – Kimiste

Kosi është një ushqim që pëlqehet shumë nga fëmijët kur ai është i ëmbël, ai është kremoz dhe përmban shumë elementë të shëndetshëm dhe të rëndësishme për rritjen e fëmijës.

Cila është mosha e përshtatshme për testimin e kosit nga fëmijët?

Ka mendime të ndryshme rreth kësaj qështje, disa thonë nga muaji i 7 e disa nga muaji i 8 por ne me rekomandimin e pediatrit të grupit testimin e kemi bë në fund të muajit të nëntë.
Arsyeja e testimit të kosit në muajin e nëntë është sepse kosi duke qënë se i është nënshtruar një proçesi fermentimi rezulton të ketë tepër acid për stomakun e fëmijës duke e bërë gjithashtu edhe tretjen më të vështirë. Një arsye tjetër është sepse kosi përmban kalcium edhe pse është element kimik tepër i rëndësishëm për zhvillimin e kockave të fëmijës, por në këtë mosh fëmija merr mjaftueshëm kalcium nga qumështi i gjirit (ose formulë) dhe në këtë mosh më shumë ka nevojë për ushqime anti anemike, pemë dhe perime të pasura me hekur, meqenëse edhe gjatë muajit të shtatë qumështi mbetet një ndër ushqimet kryesore të fëmijës, dy racionet tjera të lejuara për këtë mosh më mirë do të ishte të janë pemë dhe perime të pasura me hekur.

Sa i rëndësishëm është kosi për fëmijët nga muaji i nëntë?

Në muajin e nëntë fëmija ushqehet me 3 shujta të plota ushqimore. Nëse dy shujta janë të plota të pasura me fibra, minerale dhe vitamina atëherë shujta e tretë duhet të jetë e pasur edhe me produkte të qumështit si: kos, djathë pa kripë, gjizë.
Edhe qumështi është i pasur me kalcium, por marrja e këtij elementi nga një shumëllojshmëri ushqimesh i bën shumë mirë fëmijës sua pas muajit të nëntë. Në një filxhan kos, gjenden rreth 400 miligramë kalcium, kështu që mund ta kuptoni vetë rëndësinë e kosit për mbrojtjen e kockave të fëmijës, dhëmbët e femijës, për muskujt dhe zemrën, qarkullimin e gjakut si edhe funksionimin e mirë të sistemit nervor.

Cilat elemente kimike i përmbanë kosi?

Ai përmban shumë proteina. Ai përmban të gjitha aminoacidet e rëndësishme për fëmijën, që organizmi nuk është në gjendje t’i prodhojë vetë. Rëndësia e tyre është jetike për qelizat, indet dhe muskujt.
Kosi përmban edhe vitamina, ndër të cilat është vitamina A (e rëndësishme për lëkurën, shikimin dhe rritjen), vitaminat e grupit B (të rëndësishme për sistemin nervor, ndarjen qelizore, rritjen si edhe prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut), si edhe vitaminën PP e cila përforcon aparatin tretës dhe sistemin nervor.
Ai ka veti të mbrojë zorrët e fëmijës, kjo pasi ai pasuron florën bakteriale të fëmijës për shkakë të aciditetit, duke bërë që të zhduken mikroorganizmat e dëmshëm. Është tepër i mirë për t’u përdorur në rast diarreje apo konstipacioni, apo pas një terapie me antibiotik që fëmija ka marrë.

Çfarë kosi duhet të hanë fëmijët?

Kosi për fëmijët nën moshën 1 vjeçare duhet të jetë patjetër kos i përgatitur në shtëpi, i zënë nga qumështi i freskët.
Nuk preferohet kosi i blerë në treg.
Gjatë studimeve të mija në lëndën e biokimisë kam bërë edhe analizat e kosit sikurse të shumë produkteve tjera ushqimore. Një gjë është e sigurt, kosi i ambalazhuar me afat një mujor ka substanca konzervuese që shërbejnë që kosi të mos thartohet. Nëse kosi do ishte pa këto substanca konzervuese kosi pas tri ditësh do të thartohet.
Assesi nuk do e preferoja kosin e ambalazhuar për fëmijët nën 1 vjeç pikërishtë për këtë arsye, madje edhe më të mëdhenjë shumë më e shëndetshme do të ishte të përgatitej vet.
Kosi duhet të jetë me yndyrë të plotë sepse vetëm në këtë mënyrë ofron yndyrnat e nevojshme për zhvillimin korrekt të membranave qelizore të vogëlushit.

Nëse fëmija është alergjik ndaj qumështit nuk duhet të konsumojë as kos.

Kos me fruta

Pas testimit kosin mund t’ja jepni fëmijës suaj vetëm ose të shoqëruar me fruta të stinës, por do ishte e preferueshme që frutat të jenë me shije të ëmbël si mollë, dardhë, banane, pjeshkë, mango etj. Në këtë mënyrë ju do formoni një jogurt frutash me pemë të freskëta dhe pa konzervas, shumë të shëndetshëm për fëmijën tuaj.
Mos e bëni kosin si shujtë kryesore të fëmijës tuaj, por i shoqëruar me fruta ofrojani si messhujtë.
Mos e ëmbëlsoni kosin me fruta të përgatitur në këtë mënyrë me mjaltë për fëmijët nën 1 vjeç sepse mjalti mund të shkaktojë botulizmin nën moshën 1 vjeçare.

Kontrolloni etiketat e jogurtave me fruta që gjenden në treg, të gjitha llojet janë të pasura me ëmbëlsues apo edhe sheqer. Sheqeri që përdoret tek jogurtat e fëmijëve është sheqer diabetik, prandaj zgjidheni këtë metodë të shëndetshme për fëmijët tuaj duke e përgatitur vetë.

I bëftë mirë bebit./Familjadheshendeti.com