Nga: Dr. Valbona Hysenaj Miftari, Kryemjeke në departamentin e varësisë në klinikën psikiatrike në Brugg të Zvicrës

Ndjenja e inferioritetit në aspektin psikologjik mund të shpjegohet si ndjenja e t’mos qenit i mirë sa duhet, mosaftësia për t‘u kënaqur me gjërat që ke, ndjenja e përhershme që nuk u pëlqen të tjerëve etj.
Pothuajse nuk ka person i cili nuk ka përjetuar ndonjëherë në jetë ndonjërën nga këto ndjenja. Përderisa këto ndjenja nuk e dominojnë jetën tonë nuk mund të flasim për kompleksin e inferioritetit. Mirëpo atëherë kur këto ndjenja marrin në duar timonin e jetës sonë, atëherë është koha për ta “shpëtuar” ndjenjën e vetëvlerësimit tanimë shumë të zvogëluar.
Kompleksi i inferioritetit shfaqet në mënyrë të barabartë tek të dy gjinitë. Edhe fëmijët mund të preken gjithashtu. Ai mund t’iu referohet fushave të ndryshme të jetës. Disa njerëz janë të shqetësuar me pamjen e tyre fizike, kështu që ata ndjehen jokomod gjatë gjithë kohës. Të tjerët mendojnë se profesioni i tyre, pozita, të ardhurat e tyre, krejt çfarë ka të bëjë me punën nuk është për tu admiruar. Së fundmi, kompleksi i inferioritetit mund t’i referohet gjithë personalitetit pra ështe çështje e karakterit. Kjo ndodh atëherë kur personat e tillë kanë tendencë që gjithmonë t‘a krahasojnë veten në mënyrë negative me të tjerët. Tendenca e arritjes së perfeksionizmit, gjë e cila e cila nuk mund të arrihet “asnjëherë” mund të jetë shkaku bazik i kompleksit të inferioritetit.

SHKAQET: 
Ndjenja e inferioriteti është para së gjithash rrjedhojë e një edukimi të rreptë prindëror, i shoqëruar me kritika të vazhdueshme, pritje të mëdha e shpesh jorealiste nga prindërit. Prindërit natyrisht ua mendojnë me të mirën fëmijëve mirëpo për shkak të këtyre pritjeve janë të prirur për gabime të cilat mund të jenë me pasoja fatale për psikën e brishtë të fëmijëve. Duke u kritikuar fëmija që nuk ka arritur rezultatin e pritshmërisë së prindit, përfundimisht zhvillon idenë se ai nuk vlen asgjë. Herën tjetër nëse merr një notë më të mirë përjeton një reaksion më ndryshe të prindërve dhe kështu mëson që vetëm në këto raste ka kënaqur DERI DIKU egon e tyre por JO AQ SA DUHET dhe kështu zhvillohet ndjenja që asnjëherë “nuk është mjaft” dhe kështu paraftyron një paqyrë ideale për veten që është e paarritshme dhe kështu duke kërkuar këtë perfeksionizëm të cilin nuk mund ta arrijë përjeton ndjenja frustracioni e sidomos ndjenja e vetëvlerësimit i ulet dukshëm.

Psikika në fëmijëri duhet të forcohet pozitivisht nga prindërit. Çdo fëmijë duhet të pranohet ashtu siç është. Kjo është parakushti më i mirë për zhvillimin e të menduarit pozitiv për vetveten dhe për një imazh realist tek fëmija.

Zakonisht të rriturit që vuajnë vetë nga komplekset e inferioritetit e që ato kanë origjinë nga fëmijëria e tyre, shpesh kanë një imazh tërësisht joreal negativ dhe kështu në mënyrë të pavetëdijshme tentojnë që nëpërmes të fëmijëve ta plotësojnë ose „riparojnë“ vetveten. Kështu ata ushtrojnë një presion psikologjik tek fëmijët çoftë edhe në mënyrë të pavetëdijshme duke pritur nga ata të bëhen me çdo kusht shembuj suksesi.

Në fakt ata duhet që së pari të kuptojnë që problemi qëndron tek ata e posaqërisht duhet ta kuptojnë që tek fëmijët nuk duhet ushtruar presion të tillë. Kjo nuk do të thotë që fëmijët t’i lënë të lirë të vendosin se a duhet të mësojnë apo kur duhet të mësojnë mirëpo ata duhet të pajtohen me faktin që jo secili fëmijë është i prirur për matematikë ose jo secili ka prirje për gjuhët, apo për futboll. Fëmijët do të kenë sukses atëherë kur me dashamirësi u përqohet rëndësia e të mësuarit, sidomos të mësuarit se si të ballafaqohen me sfidat e jetës, se si të bëhen farkëtarë të mirë të jetës së tyre. Atyre duhet përseritur shpesh se si prindërit janë krenarë me ta. Ata kanë nevojë për ti lavdëruar e për ti motivuar edhe dhe nëse ata nuk arrijnë ti kenë të gjitha notat e shkëlqyeshme. Vetëm kështu të mësuarit u shkakton kënaqësi e vetëm kështu të mësuarit bëhet atraktiv. Gabimi më i madh bëhet kur ata krahasohen me fëmijët e “filanit” çoftë për të mirë ose për të keq. Komentet e tilla përqojnë tek ta signalin se ata nuk janë të mirë, e sidomos komentet në stilin; “nëse nuk mëson do të mbetesh rrugëve” pranohen si kërcënime për fëmijën dhe do të ndikojnë tejet negativisht në zhvillimin optimal të vetëvlerësimit dhe vetëbesimit të tyre.

Disa njerëz e njohin kompleksin e inferioritetit vetëm në faza të caktuara, përderisa tek disa kjo zgjatë tërë jetën dhe është me pasoja serioze psikologjike e që mund të rezultojë me izolim social, simptoma depresive e madje edhe mendime suicidale. Veçanërisht të rrezikuar janë adoleshentët në pubertet për shkak të mobingut dhe bullizmit në shkollë. Për shkak të dobësimit të vetëvlerësimit dhe vetëbesimit ata shpesh gjinden në një udhëkryq ndjenjash dhe nganjëherë nuk e dijnë se ku dhe si të kërkojnë ndihmë dhe kështu zgjedhin rrugën e izolimit, konsumimit të alkoolit dhe drogave apo fillojnë të bëjnë plane për ti dhënë fund jetës.

Por ka edhe të tillë që nuk tërhiqen, por përpiqen të paraqiten ata që nuk janë, si p.sh. sillen si grindavecë, kolerikë, madje edhe agresivë, gjithnjë duke u përpjekur të duken TE FORTË, do të thotë këto sjellje janë sjellje kompensatore, sjellje që tentojnë të zgjojnë vëmendje tek të tjerët. Sa herë që hasim persona të tillë duhet të mendohet që ata vuajnë nga kompleksi i inferioritetit dhe dëshpërimisht nëse i ekzagjerojnë dhe dramatizojnë gjërat arrijnë vëmendjen e të tjerëve.

SHËNJAT TIPIKE PËR T‘I DALLUAR:

– Njerëzit me komplekse të inferioritetit ndihen të lehtësuar në rolin e viktimës. Duke fajësuar të tjerët apo rrethanat përpiqen të kompensojnë vetëvlerësimin e ulët të tyre.

– Ata fokusohen në gabimet dhe dështimet e tyre. Kjo konfirmon se sa i ulët është vetëvlerësimi i tyre. 
Në vend që të mësojnë nga gabimet, ata i përdorin ato si një mundësi për tu arsyetuar pse ndjehen të dobët dhe të parëndësishëm.

– Këta njerëz kërkojnë shumë vëmendje nga jashtë. Meqënëse ata ndihen të vegjël nga brenda, pra kanë vlerësim të ulët për veten, ata shpresojnë të fitojnë një vlerësim më të lartë nga jashtë. Por edhe nëse marrin lavdërime prapë kjo nuk është mjaft sepse brendia e tyre kërkon edhe më tutje vëmendje për tu ushqyer.

– Tendenca e përsosmërisë që e kam cekur më lartë si dhe frika nga gabimet.

– Arroganca qe e kam cekur poashtu më lartë. Pra mbrojtja më e mirë është sulmi (mbrojtja e egos së dobët).

SI MUND TË TEJKALOHET KOMPLEKSI I INFERIORITETIT?

Jo çdo ndjenjë e inferioritetit kërkon ndihmën profesionale të psikoterapeutit (psikiatrit ose psikologut). Edhe një bisedë e mirë me njerëzit e besueshëm mund të ndihmojë për t’i sortuar ndjenjat dhe për t’a vlerësuar veten realisht. Sidomos kur ndjenjat e inferioritetit nuk janë gjithëpërfshirëse, vuajtësit mund të arrijnë ti ndajnë resurset nga dobësitë e tyre. Megjithatë, kur një kompleks i inferioritetit zgjat me dekada shpesh është e vështirë të ristabilizohet psikika pa ndihmën e psikoterapisë. Psikoterapia mund të ndihmojë në identifikimin e shkaqeve dhe kapërcimin e simptomeve.

KËSHILLA PRAKTIKE

– Pranojeni që asnjë njëri nuk ka qenë gjjthmonë këtu ku është. Në fillim të studimeve kur shohim kolegët tanë që kanë përfunduar studimet mendojmë; “Unë kurrë nuk mund të bëhem kështu, thjesht nuk jam aq i mirë për këtë”. Kështu e nënvlerësojmë veten që nga fillimi. Pra e vetmja gjë që duhet ta bëjmë është të kemi besim dhe t’jemi të bindur që ne kemi fuqinë për të arritur gjithçka. Jini të vetëdijshëm për këtë.
– Nëse keni një vetëbesim të ulët, atëherë kuptojeni që ai nuk do të ngritet brenda natës mirëpo kërkon kohë dhe praktikim madje çdo ditë. Si?
– Shënoni çdo ditë gjërat pozitive që bëni, fokusohuni në to e jo në gabimet dhe dështimet eventuale. Kështu do të zhvilloni një mentalitet pozitiv i cili forcon dukshëm vetëbesimin tuaj. 
– Hiqeni perfeksionizmin tuaj, pranoni arritjet tuaja edhe nëse ato nuk iu kanë ngazëllyer. 
– Konfrontohuni me frikën që iu hendikepon dhe nuk iu lë të korrni sukses. Mposhtja e frikës rezulton pothuaj gjjthmonë me një gëzim apo sukses. 
-Mos u varni nga të tjerët, rizbuloni resurset tuaja shpirtërore, hiqni dorë nga roli i viktimës, merrni përgjegjësinë e plotë për jetën tuaj. Kështu automatikisht do të ngritet vetëvlerësimi Juaj.

A vuajnë shqiptarët nga kompleksi i inferioritetit?

Mendoj që përgjigjia është PO e madhe.

Pse vuajnë?
Sepse populli jonë historikisht ishte i diskriminuar dhe i nëpërkëmbur nga armiqtë tanë shekullorë. Për shkak të diskriminimit, propagandës ogurzezë ndaj nesh, përvetësimit të vlerave kulturore dhe civilizimit të lashtë nga armiqtë tanë bëri që shpirti shqiptar ta humbë vetëvlerësimin dhe vetëbesimin e tij. Armiqtë tanë mbollën në qenien tonë ndjenjën që ne jemi më të dobët, çka në fakt është e paqenë e madhe. Sa më shumë që kam njohur popujt tjerë e sidomos sa më shumë kam mësuar për armiqtë tanë e kam dashur më shumë shqiptarinë. Kjo nuk do të thotë që i akceptoj gjërat tona primitive, as të gjjtha gjërat që na zbehin imazhin, mirëpo ne kurrë nuk duhet ta identifikojmë veten ashtu siq aludojnë armiqtë tanë për ne. 
Kur shoh zhvillimet në atdhe dhe humbjen e krenarisë së të qenit shqiptar më bëhet që njerëzve u pëlqën më shumë roli i viktimës se sa të konfrontohen me realitetin, që në vend që ta luftojnë atë sistem shkatërrues e parapëlqejnë “status quon” letargjike. Atëherë s’ka si t’mos më kujtohet thënia e Faik Konicës:” Skllavëria, si cdo pësim tjatër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në funt një zakon i pëlqyer,dhe ata që e mbajnë mi xverk e durojnë me gëzim. Veçan atyreve që lindin skllav, u është skllavëria si një natyr’ e dytë dhe ata jo vetëm s’marin vesh çdo me thënë liri, po ndiejnë një farë urrejtje për mprojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit dhe të zinxhirit.” (Teoria e rolit të viktimës).

Kur s’ke atdhe funksional, ne kështu vazhdojmë të kemi komplekse inferioriteti në raport me popujt tjerë, p.sh. me popujt e perëndimit. Kështu mundohemi ti kopjojmë ata, të dukemi si ata, gjë e cila na zhveshë shpesh nga origjinaliteti jonë.

Çka ndodh atëherë, si kompensim të ndjenjave të inferioritetit, fillojmë të ndjehemi superiorë ndaj njerëzve tanë që janë më të dobët. “Kur nuk mundemi ti mëshojmë kalit, i mëshojmë samarit”. Pra kompleksi i inferioritetit dërgon në kompleksin e superioritetit i përcjellur ky me arrogancë e deri në sjellje të paskrupullta e jotolerante të cilat sjellje ngulfasin pafund vlerat humane.

Çdo here më ka brengosur fakti i pabarazive të tilla në mes njerëzve tanë, se, pse shumë prej njerëzve tanë u mungon empatia, se si dikush mund të ndjehet superior nëse ka para më shumë apo një diplomë më shumë. Vallë si mund ta bëjmë këtë kur kemi një milion arsye të depërtojmë në lëkurën e njëri tjetrit, ngase vuajtjet tona janë të përbashkëta. Ne të gjithë do të funksiononim ndryshe nëse kemi mirëqënie të plotë si popull, si komb. A nuk e “shijuam” mjaft diskriminimin e armiqve tanë?
Atëherë pse bëhemi të tillë për njëri tjetrin?
Kjo ndarje në inferiorë dhe superiorë brenda popullit tonë na ka përçarë shumë por jo vetëm kaq, kjo ndarje po prodhon gjithnjë e më shumë njerëz me psikë të gjymtuar.

Ne duhet që të rrisim fëmijë që dijnë të vlerësojnë njerëzoren e jo materialen, fëmijë me vetëbesim dhe vetëvlerësim, fëmijë që e duan origjinën e tyre.

Ndër prioritetet kryesore për mua dhe bashkëshortin tim ka qenë dhe mbetet që vajzave tona t’ua “mbjellim” në shpirt dashurinë për kombin dhe gjuhën, gjegjësisht për bagazhin kulturor që kemi. Ndoshta jeta larg atdheut natyrisht ka ndikuar edhe më shumë në këtë pikëpamje, por megjithatë gjithmonë kemi qenë të bindur se mungesë e atdhedashurisë është mungesë identiteti, mungesë e Unit. 

Fëmijët tanë duhet të rriten me mendimin që ato nuk duhet të ndjehen kurrë inferiore para zviceranëve, as para botës, porse ato duhet të ndjehen krenare që janë shqiptare. Njëkohësisht jemi munduar që poashtu t’i mësojmë që t’mos sillen asnjëherë superiore ndaj njerëzve të dobët. Ato nuk duhet ti hipin në kokë askujt ngase superioriteti nuk është virtyt. Ato duhet ta kuptojnë se prindërit e tyre pas shpindës kanë një bagazh vuajtjesh pikërisht nga diskriminimi i superiorëve. Ato dhe t’gjithë fëmijët tanë duhej mësuar që të mbesin gjithmonë me këmbë në tokë, që ta çmojnë modestinë. 

Ky mes i artë do të ishte për të gjithë fëmijët baraspesha ideale psiqike, kjo sidomos do t’i mbronte nga çrregullimet e narcizmit në të ardhmen.
Arma më e fortë e popullit tonë duhej të ishte arma që shkrepëtin edukatë dhe vetëdije kombëtare, e që këto dy tipare janë bazamenti i një personaliteti të shëndoshë pa ndjenja inferioriteti. /www.familjadheshendeti.com