KARIESI CIRKULAR

 

Nga Dr. Shqipdona Morina – Stomatologe

 

Kariesi cirkular ( caries circularis ) paraqet një lloj të veçantë të kariesit të dhëmbëve të qumështit. Kjo është një sëmundje e dhëmbëve të qumështit që fillon herët të fëmijët ende pa i mbushur dy vjet, me ecuri të vazhdueshme kështu që në moshën tre vjeqare në gojën e fëmijëve mbesin thuajse vetëm cungje apo pjesë nga kurorat e tëra të dhëmbëve.

Ndryshe, kjo sëmundje quhet edhe odontoklazi, amelozë, baby bottle caries etj.
Manifestimi me i shpeshtë është shfaqja e njollës së bardhë si shkumës në smaltin e qafës së dhëmbit e cila zgjerohet gradualisht, duke shkatërruar në këtë mënyrë pothuaj plotësisht smaltin (pjesa e dukshme e dhëmbit). Në këtë rast vetëm pjesët e smaltit të margos incizale të dhëmbëve të përparem ( tehet e dhëmbëve) bëjnë rezistencë.
Në fillim dentina ( shtresa e dytë e dhëmbit nën smalt) bën rezistencë duke formuar një shtresë sekondare, e cila pas zhdukjes së smaltit është e zhveshur, me ngjyrë të kaftë- të murrme apo të zezë.

Etiologjia e zhvillimit të kësaj forme specifike të kariesit të dhëmbëve të qumështit është komplekse dhe e pasqaruar. Është displazi embriopatike, dukuri që është më e shpeshtë të fëmijët e ushqyer artificialisht, edhe pse haset edhe të fëmijët që janë ushqyer në mënyrë natyrale, pastaj të fëmijët që kanë konsumuar një sasi më të madhe të karbohidrateve ( sheqeranve) krahas mungesës së plotë të higjienës së gojës.
Terapia e kariesit cirkular bën pjesë në intervenimet më të rënda stomatologjike për këto arsye: shfaqet herët, gati menjëherë pas daljes së dhëmbëve dhe përfshinë shumë shpejt të gjitha sipërfaqet e tyre, mosha e pacientave (dy-tre vjeq) është e tillë që nuk pritet bashkëpunim me terapeutin, për shkak të numrit të madh të dhëmbëve karioz dhe të komplikimeve të shpeshta, terapia është e gjatë, prindërit e humbin durimin, ndërrojnë terapeutin, nuk i sjellin në kohë kur i shohin shenjat e para por vetëm atëherë kur fillon dhimbja etj.

Masat terapeutike varen para se gjithash nga avancimi i masave karioze të dhëmbëve të fëmijës dhe nga zhvillimi i tij psiko-fizik./Familjadheshendeti.com

Shpërndaje
  • 1
  •  
  •  
    1
    Share