Shkruan: Laureta Berisha Kosumi

Eh, tek ju mendoj si dukeni, s’kam si të mos e ndjej një buzëqeshje në fytyrën time, buzëqeshje e cila vie pas buzëqeshjes tuaj të përhershme, s’kam si të mos ua kthej atë ëmbëlsi që ofron zemra juaj, qoftë edhe në mendimet e mia përfytyruese ndaj jush, vërtetë s’më del fytyrë tjetër pos e lumtur dhe e buzëqeshur, eh sa kënaqësi vetëm t’ju kujtoj.

Tek shikon në fytyrat tuaja, zemra të pushon dhe shpirti të ngrohet nga çiltërsia dhe dashuria juaj e pakusht që ofroni ndaj nesh.

Zoti ju krijoi me një kromozom më shumë se ne të tjerët, por jeni krijesa shumë të veçanta, krijesa që zbukuroni botën e egër dhe shpeshherë të pashpirt ndaj jush, me dashurinë që na ofroni, dashuri kjo e pastër dhe pa hile, dashuri e cila të bën për vete qysh në takimin e parë me ju, dashuri dhe ngrohtësi që buron nga zemrat tuaja të panjollosura me të ligat e kësaj bote!

Jeni shumë të veçantë, sepse zemrat tuaja na i dhuroni pa kusht, ndërsa ne shumëherë dijmë të jemi të mangët në kromozome kundrejt jush, ne shpeshherë turpërohemi përballë juve dhe stigmës së madhe që ju përfshinë pa mëshirë.

Na falni ju lutem, sepse ju duhet të na shihni neve ndryshe, e jo ne juve!

T’i falni ju lutem të gjithë ata prindër që kur kuptuan që fëmija i tyre është kaq veçantë, u mërziten, sepse menduan që jeta e tyre do të merrte një kahje tjetër, por që vazhduan tutje me shpresë që është vetëm mendim i nxituar dhe sapo panë fytyrat tuaja të ëmbla, iu mbush zemra gëzim, i’a plasën vajit dhe e kuptuan që në duart e tyre kanë një dhuratë shumë të çmuar, kanë një diamant por që tani e kuptuan vlerën e tij, diamant nga i cili do të burojnë vetëm copëza dashurie!

Ju lutem, na falni nëse ju konsideruam barrë në shoqërinë tonë, sepse ne jemi ata që shohim nga dy këndvështrime por më shumë të prirur t’i shohim anët negative të kësaj bote, por ju jeni ata që botën e shihni me syrin dhe zemren e mirësisë, me syrin që sheh vetëm nga këndi i së bukurës.

Një kromozom më shumë, një dashuri më shumë, një mëshirë më shumë për botën tonë, botë e cila është përditë e më shumë në mungesë të vlerave, ndërsa mangësitë jona është dallimi që mund të bëjmë ndaj krijesave të Zotit.

Kjo botë nuk është pronë e asnjërit nga ne, t’i pranojmë të gjithë njerëzit ashtu siq janë, të mos bëjmë dallime mes qënieve njerëzore, sidomos dallime të tilla siq janë njerëzit e veçantë me Sindromën Down.

Nesër ne mund të sprovohemi me të papriturat dhe dallgët që mund të na sjellë jeta, andaj të mbjellim fidane të mirësisë, tolerancës dhe ndihmës që mund t’i ofrojmë njëri tjetrit, në këtë formë do të korrim kallinjë të mirësisë. Andaj mos të harrojmë se secili nga ne ka mangësitë e tij, mangësi të cilat mund edhe të mos shihen fizikisht, por mangësitë e shpirtit dhe zemrës së çiltër, janë më të rënda se mangësitë fizike apo mendore.

Ju duam sepse jeni kaq të veçantë, urime dita juaj, çofshin edhe 364 ditët tjera të mbushura me begati, çofshi me shëndet dhe mirësi të pafundme, gëzimi juaj është gëzim edhe për ne, urimi juaj është njëkohësisht urim për ne. Jeni të mrekullueshëm.

Me dashuri, Laureta!

www.familjadheshëndeti.com