Infertiliteti bashkëshortor

Nga Dr. Samire Ademi Lutolli

Specialist Gjinekolog-Obsteter

Diagnostifikimi

Nëse edhe pas një viti të marrëdhënieve të rregullta seksuale çifti nuk arrin të realizojë shtatzëninë, ata duhet të kontaktojnë mjekun me qëllim të vendosjes së diagnozës. Ky është gjithashtu hapi i parë në trajtimin e sterilitetit. Nëse diagnoza nuk është e plotë, komprometohen të gjitha procedurat pasuese të trajtimit.

Ekzaminimi i të dy partnerëve është i domosdoshëm. Është e detyrueshme të bëhet diagnostifikimi i burrit dhe gruas për shkak të një përqindje në rritje të sterilitetit të dyanshëm. Meqenëse sistemi reproduktiv i njeriut është shumë i komplikuar, testet mund të zgjasin disa muaj dhe kërkojnë durim. Pas përfundimit të ekzaminimit të plotë, ordinohet terapia për të dy partnerët.

Ekzaminimet themelore, me të cilat synojmë të zbulojmë shkakun e infertilitetit tek të dy partnerët, janë:

  • Testi postkoital – testimi i vitalitetit dhe lëvizshmërisë së spermatozoidëve në mukusin e qafës së mitrës së gruas, p.sh aftësia e tyre për të mbijetuar dhe depërtuar përmes mukusit të qafës së mitrës dhe për të hyrë në zgavrën e mitrës.
  • Testet mikrobiologjike – bakteriet, klamidiat, mikoplazma dhe ureaplasmat;
  • Testimi i statusit të hormoneve;
  • Ekzaminimi i bazës gjenetike – testimi i numrit dhe strukturës së kromozomeve, si dhe ndryshimet në kromozomet seksuale që shpesh shoqërohen me pjellorinë e reduktuar;
  • testet histopatologjike – biopsia.

Diagnoza e infertilitetit te femrat

Diagnoza e infertilitetit në femra fillon me një vështrim të përgjithshëm, i cili përfshin kryesisht një ekzaminim gjinekologjik të përgjithshëm, dhe pastaj një histori të sëmundjes dhe çështjet që lidhen me ciklin menstrual, shprehitë seksuale dhe medikamentet që përdorin gratë.
Nëse një grua ka cikle menstruale që zgjasin më shumë se një muaj ose mungojnë ndonjëherë, atëherë mund të thuhet me siguri se ajo ka një ovulim të rrallë.

Shkaqet e zakonshme të ovulacionit të rrallë janë: stresi, çrregullimet ushqyese (anorexia nervosa, bulimia), tendosja e tepruar fizike (duke përfshirë stërvitjet preambicioze fizike), humbja e përnjëhershme e peshës, kequshqyerja, obeziteti.

Çrregullimet hormonale mund të ngadalësojnë ose pengojnë plotësisht maturimin dhe lëshimin e qelizës vezë, duke shkaktuar menstruacione të parregullta. Simptomat që mund të tregojnë ekzistencën e çrregullimeve hormonale përfshijnë: një shtim ose humbje të papritur në peshën trupore, lodhje të vazhdueshme, prevalenca e rritur e kequshqyerjes, humbje të flokëve, akne, dhimbje në legenin e vogël për shkak të ekzistimit të cisteve ovariane.

Simptomat e polipeve ose tumoreve fibroide mund të jenë të bollshme dhe gjakderdhje të zgjatura menstruale, dhimbje në pelvikun e vogël dhe zgjerim të mitrës.
Çrregullimet e formës së mitrës (anomalitë e mitrës) dhe çrregullimet e zgavrës së mitrës (prania e polipeve të endometriumit, tumorët fibroid, etj) pengojnë ngjitjen e embrionit dhe zhvillimin normal të fetusit, kështu që ato mund të jenë shkak i mungesës së shtatzënisë dhe humbjes së fetusit.

Vlerësimi i funksioneve të vezorit, gjendja e vezëpërçuesve dhe mitrës është e mundur të bëhet me mënyra të ndryshme. Ultrazëri është metoda më e përshtatshme, e lirë, joinvazive dhe mjaft e besueshme.

Ekzaminimi me ultrazë kryhet në ciklin e dytë ose të tretë të menstruacioneve dhe në të njëjtën ditë jepet gjaku për vlerësimin e hormoneve femërore (përcaktohen hormonet FSH, LH, prolaktina, TSH, estradioli dhe hormoni AMH-Antimillerian). Në kuadër të statusit hormonal testohen hormonet e gjëndrrës tireoide dhe mbiveshkore. Përmes ultrazërit përcillet rritja, pjekja dhe çarja e folikulave (ovulacioni).

Gjendja e vezëpërçuesit vlerësohet me ekzaminim ultrasonografik gjinekologjik, histerosalpingografi (HSG) ku futet përmbajtja e lëngët në mitër dhe përmes rëndgenit përcaktohet nëse lëngu ka arritur deri te vezëpërçuesi.

Është e mundur të përcaktohet nëse ekziston bllokada e vezëpërçuesit dhe në cilin vend ndodhet ajo. Me laparoskopi (ekzaminim endoskopik të zgavrës abdominale dhe organeve të pelvikut të vogël) mund të përcaktohet nëse ekziston endometrioza ose cikatriksi, si dhe defekte të mitrës dhe vezëpërçuesit. Kjo metodë diagnostike kryhet me anestezion të përgjithshëm.
Gjendja e mitrës vlerësohet me anë të ekzaminimit ultrasonografik gjinekologjik, ku mirren parasysh karakteristikat e mukozës së mitrës (morfologjia dhe trashësia e endometrit), HSG, histeroskopia (ekzaminimi endoskopik i kanalit cervikal të zgavrës së mitrës) dhe laparoskopia.

Diagnostika e infertilitetit te meshkujt

Dijagnostika e infertilitetit te meshkujt gjithashtu fillon me një ekzaminim të përgjithshëm, që përfshin ekzaminimin e organeve gjenitale dhe historinë e sëmundjes, medikamentet që përdoren dhe shprehitë seksuale.

Testi i parë për vlerësimin e fertilitetit të mashkullit është spermogrami, analiza e ejakulatit (mashkulli jep një mostër të spermës së mëngjesit 3-5 ditë pas të përmbajturit nga marrëdhëniet seksuale dhe alkooli, kafja dhe cigaret).

Në laborator testohet dhe analizohet sasia e spermës, ngjyra dhe prezenca e agjensëve infektiv ose gjaku. Përcaktimi i numrit të spermatozoideve, lëvizshmërisë, vitalitetit dhe morfologjisë, prezenca e qelizave tjera (leukociteve, eritrociteve, bakterieve, etj.), analizat bioekonomike dhe imunologjike (antitrupat antispermatozoide) të ejakulatit.

Me teste hormonale nga gjaku përcaktohet niveli i testosteronit dhe hormoneve të tjera mashkullore.

Përmes ultrazërit mund të shohim nëse ekziston obstrukcion i kanalit ose ejakulim retrograd.
Nëse është e nevojshme, përfshihen edhe procedurat diagnostike invazive.

Steriliteti idiopatik

Ekziston mundësia që edhe pas gjitha këtyre ekzaminimeve dhe analizave të mos zbulohet arsyeja e infertilitetit. Kjo gjendje quhet sterilitet idiopatik. Megjithatë, me metoda adekuate është i mundur trajtimi edhe i një steriliteti të tillë.

Prevenca

Ka disa mënyra me të cilat bashkëshortët mund të rrisin shanset e tyre për t’u bërë prindër. Ja disa rekomandime për të dy partnerët:

  • Ushtrimi i moderuar – Aktiviteti fizik i përditshëm përmirëson gjendjen e përgjithshme të trupit, ta zëmë një ecje me ritëm të shpejtë një orë në ditë.
  • Shmangia e ndryshimeve të papritur të peshës – si shtimi i peshës ashtu dhe humbja e peshës. Vlerat normale të indeksit të masës trupore BMI (body mass index) lëvizin nga 20 në 25. Vlerat nën 20 tregojnë kequshqyerje, ndërsa vlerat e BMI më të mëdha se 25 tregojnë obezitet.
  • Shmangia e alkoolit, cigareve dhe drogave.
  • Shmangie e sasive të mëdha të kafeinës – mos pini më shumë se një filxhan kafe në ditë.
  • Këshillim me mjekun për përdorimin afatgjatë të drogës – terapi afatgjatë (kronike). Nëse është kështu rasti, bisedoni me mjekun tuaj nëse ndonjë prej barërave ndikon në fertilitet (kjo vlen si për gruan ashtu edhe për burrin) dhe nëse ilaçe të tilla mund të përdoren gjatë shtatzënisë.
  • Konsumimi i ushqimeve që ndikojnë në pjellshmëri – të konsumohen drithëra, arra, fasulë dhe ushqime të tjera të grurit që përmbajnë proteina të perimeve. Të konsumohet rregullisht qumështi dhe produktet e qumështit. Të shmangen acidet trans-yndyrore në ushqime (ushqime të shpejta, përtypëset me përforcues të aromave dhe konzervans), pijet e ëmbla dhe ëmbëlsuesit artificial.

Mjekimi

Përzgjedhja e metodës së mjekimit varet nga shkaqet e sterilitetit, mosha e partnerëve, kohëzgjatja e sterilitetit dhe shumë faktorë të tjerë. Duke pasur parasysh të gjitha nevojat e pacientit, me secilin rast merret një ekipë e specialistëve: gjinekolog, urolog, embriolog, endokrinolog, mikrobiolog, gjenetik dhe psikolog, të cilët do të përpiqen që të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe trajtimi eventual të kryhet në mënyrën më të përshtatshme.
Njohuritë aktuale të mjekësisë së sotme dhe teknikat e riprodhimit të asistuar me sukses mundësojnë që më shumë se gjysma e çifteve që kalojnë procedurën e mjekimit të infertilitetit, të bëhen prindër.

Mjekimi i sterilitetit tek meshkujt

Problemi i përgjithshëm seksual, ejakulimi i parakohshëm ose impotenca, mund të shërohen me medikamente ose me konsultime me një personel profesional.
Mungesa e spermës, në varësi të shkaqeve, mund të trajtohen me terapi hormonale ose operacion.
Gjithashtu është e mundur që të merret sperma direkt nga testisi dhe me të, të përpiqemi të bëjmë fekondimin artificial.

Mjekimi i sterilitetit te gratë

Stimulimi i ovulacionit me barëra është alternativa kryesore e trajtimit për gratë jo-pjellore për shkak të çrregullimeve të ovulimit. Këto barna rregullojnë ose shkaktojnë ovulimin. Ato veprojnë si hormone natyrore dhe stimulojnë ovulimin.

Fekondimi jashtëtrupor, IVF (fertilizimi in vitro), është një teknikë që përfshin marrjen e një veze nga vezoret dhe fekondimi i vezës dhe spermatozoidit, duke e lënë në inkubator për 3 deri në 5 ditë dhe pastaj duke e kthyer qelizën vezë të fekonduar në mitër. Kjo teknikë shpesh përdoret nëse të dy tubat janë të bllokuara, te endometrioza, steriliteti idiopatik, çrregullimi i ovulacionit që nuk reagon ndaj ilaçeve, steriliteti mashkullor etj. Për këtë metodë nevojiten injeksione të përditshme hormonale dhe teste të shpeshta laboratorike.

Inseminimi intrauterin, ndryshe nga fekondimi jashtëtrupor, nënkupton futjen e drejtpërdrejtë të spermës në mitrën e një gruaje gjatë periudhës së ovulacionit. Përdoret në rastin e sterilitetit mashkullor (numri i vogël i spermatozoideve ose lëvizshmëria e dobët), si dhe në sterilitetin idiopatik. Sperma mund të merret nga bashkëshorti ose një donator. Ovulimi te femra arrihet me ndihmën e ilaçeve. Steriliteti i shkaktuar nga bllokimi i tubave fallopian nuk mund të trajtohet me këtë metodë./FamiljadheShëndeti

Shpërndaje