Infeksionet urinare tek të rriturit

Nga Dr. Ismail Lutolli.

Specialist Pediatër

Subspecialist Dietolog-Nutricionist

A mund të parandalohen?

Infeksionet urinare tek të rriturit, bëjnë pjesë në grupin e infeksioneve më të shpeshta bakteriale tek njerëzit. Infeksioni mund të jetë i pranishëm në veshka, në rrugët urinare dhe në prostatë tek meshkujt.

Shumica e simptomeve të këtyre infeksioneve janë:

– Urgjencë e vazhdueshme dhe e fortë për të urinuar;

– Urinim shumë i shpeshtë;

– Dhimbje dhe djegie gjatë procesit të urinimit;

– Dhimbje në pjesën e poshtë të stomakut;

– Kokëdhimbje të shpeshta;

– Temperaturë të larta;

– Dridhje dhe ndjenjë jo komoditeti;

– Vjellje dhe diarre në raste më të rralla.

A mund të parandalohen infeksionet urinare?

Rregullat e arta për parandalimin e infeksioneve urinare janë:

  • Pastrim i rregullt i organeve gjenitale me ujë dhe me sapun të lëngshëm me pH 5,5 dhe pastrimi i pjesës anale nga përpara prapa.
  • Asnjëherë nuk guxoni të bëni pastrim nga prapa përpara, pasiqë në këtë mënyrë ju keni ndihmuar në infeksionin urinar. Pra, pastrimi i pjesës anale bëhet gjithmonë nga përpara prapa.
  • Para çdo akti seksual konsumoni një gotë me ujë;
  • Urinoni para dhe pas marrëdhënies seksuale;
  • Mos e shtyni asnjëherë nevojën që keni për të urinuar. Kur kjo ndodhë shkoni dhe kryeni aktin e urinimit. Çdo shtyrje shërben në fillimin e infeksioneve urinare;
  • Mos shpejtoni gjatë urinimit por zbrazeni komplet fshikëzen urinare;
  • Mos përdorni tampone vaginale;
  • Nëse gratë përdorin dijafragmën, spiralet dhe metodat e tjera kontraceptive, këshillohuni me mjekun tuaj për ndryshimin e kontracepsionit;
  • Rekomandohet dushi por jo mbushja e vaskës dhe larja në vaskë të mbushur me ujë;
  • Evitoni përdorimin e sapunëve aromatizues, parfumeve apo gjërave tjera të parfumosura për higjienën e pjesëve intime. Të gjitha këto mund të nxisin infeksione urinare;
  • Evitoni mbajtjen për kohë të gjatë të kostumeve të larjes nëse janë të lagura, sepse një mjedis i lagësht është i përshtatshëm për zhvillimin e mikroorganizmave, dhe më e mira do të jetë që të zhvisheni nga rrobat e larjes posa të keni përfunduar larjen apo dushin dhe të visheni me rroba tjera të thara;
  • Patjetër të bëni dush pas larjes në pishina apo deti;
  • Largohuni nga qëndrimi në vende të ftohta si beton, pllaka etj;
  • Evitoni përdorimin e rrobave të brendshme (brekët) shumë të ngushta dhe të shkurtra;
  • Vishni rroba intime pambuku e jo sintetike;
  • Rrobat intime ndërroni së paku një herë në ditë;
  • Mbathjet intime ti zieni në temperaturë të lartë dhe me detergjentë të butë, evitoni përdorimin e zbutësve dhe aromatizuesve si dhe para përdorimit patjetër t’i hekurosni;
  • Merrni rreth tetë gota ujë të pastër ose lëngje në ditë. Rekomandohet: çaji i pastruar nga limoni, uvin çaj dhe çaj prej brusnice;
  • Largohuni apo evitoni ushqimin e fërguar, ushqimin e konservuar pastaj pijet e gazuara, pijet alkoolike si dhe përdorimin e duhanit;
  • Evitoni përdorimin për kohë të gjatë të vozitjes në biçikletë sidomos për meshkujt;
  • Të mjekojë vatra të tjera infeksioni kudo që mund të ketë si: dhëmbë të prishur, grykët, infeksione të veshit, hundës dhe të rrugëve të frymëmarrjes
  • Perdorni sa me shume ushqimet e pasura me vitaminë C.

Vitamina C është një aleat i fuqishëm i sistemit imunitar për të luftuar sëmundjet, shumë e rëndesishme në parandalimin e infeksioneve urinare (një i rritur ka nevojë për 60 mg vitaminë C në ditë.)

Ushqimet e pasura më vitaminë C janë: agrumet, domatet, spinaqi, brokoli, asparagët, papaja, kivi, frutat e pyllit, specat jeshilë.

  • Mos përdorni asnjë mjekim pa ndonjë pajtim paraprak me mjekun përkatës!!

 Shëndeti jeta dhe lumturia ka një emër www.familjadheshendeti.com

 

Shpërndaje
  • 5
  •  
  •  
    5
    Shares