Imuniteti i fëmijëve

Nga Dr Ismail Lutolli
Specialist Pediater
Subspecialist Dietolog-Nutricionist

 

Si ta forcojmë imunitetin e fëmijëve?

A ka rrugë natyrale për ngritjen e imunitetit?

Fëmija im përdorë antibiotikë çdo muaj, si të veprojë?

Çfarë duhet të përdorë?

Sistemi imun mbron organizmin nga mikroorganizmat (bakteret, viruset, kërpudhat, parazitët), të cilët shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Fëmijët janë të ekspozuar ndaj një numri të madh virusesh dhe bakteresh në mjedisin e tyre të përditshëm. Ndërsa, tek disa fëmijë sistemi imunitar me sukses lufton kundër një shumëllojshmërie të mikroorganizmave, të tjerët kanë më shumë gjasa të sëmuren, qofshin nga probleme më të zakonshme si : gripi, ftohjet, alergjitë apo ato serioze, të shkaktuara nga disbalansimet e gjata imunitare. E tërë kjo nënkupton sëmundje të shpeshta.

Një sistem i ngritur imunitar, i siguron fëmijës një mbrojtje të fortë natyrale nga sëmundjet. Një sistem i qëndrueshëm imunitar, nënkupton më pak brenga gjatë sëmundjeve si dhe më pak vuajtje te vet fëmijës. Nëse sistemi imunitar nuk është i qëndrueshëm, organizmi bëhet i ndjeshëm ndaj sëmundjeve dhe nuk mund të arrijë mbrojtje efikase nga infeksionet.

Synimi juaj kryesorë, duhet të jetë që gradualisht ti forconi imunitetin, në mënyrë që organizmi të ketë aftësinë të përballet suksesshëm me sëmundjet e ndryshme.

1. Qumështi i gjirit, faktor shumë i rëndësishëm

Qumështi i gjirit mund të përmirësojë ndjeshëm imunitetin dhe të mbrojë fëmijën nga inflamacionet e fytit, diarretë, alergjitë, infeksionet e traktit urinar. Qumështi (kolostrum – i dendur i verdhë), i cili është i sekretuar në ditët e para pas lindjes, është jashtëzakonisht i rëndësishëm, me përbërës siq janë imunoglobulina, leukocitet dhe antitrupa kundër viruseve dhe baktereve, që mbrojnë fëmijën nga infeksionet.

2. Ushqimi i mirë dhe cilësor, dietë e ekuilibruar.

Një dietë e ekuilibruar siguron një sistem të fortë dhe të shëndetshëm imun. Deficiti nutritiv, mund të shpie tek problemet kronike imunitare, meqë bakteret dhe viruset e kanë më të lehtë zhvillimin, nëse mungojnë disa nutritivë të cilët stimulojnë sistemin imun.

Është e rekomanduar, që në dietën e përditshme, të përfshihen fruta të freskëta dhe perime (përmbajnë karotenoide-substanca natyrore që stimulojnë sistemin imunitar), drithërat, arra dhe fara.

Ushqimet që kontribuojnë në forcimin e imunitetit janë: limoni, grejpfruti, bananet, pjepri, boronica, luleshtrydhe, kajsia, mango. Gjithashtu edhe perimet si: qepë, hudhër, domate, spinaq, brokoli, patate e ëmbël, kungull i njomë, karota, lakër, fasule dhe produkte soje (të gjitha këto ushqime janë shumë të pasura me nivele të larta të vitaminave, mineraleve, enzimave dhe antioksidantëve që forcojnë sistemin imunitar).

3. Sigurohuni që fëmija juaj të ketë gjumë të qetë dhe të mjaftueshëm

Nëse fëmija juaj nuk bën gjumë të mjaftueshëm, do zvogëlohet rezistenca imunitare dhe kjo do të hapë rrugë për infeksione. Përveç kësaj një gjumë dhe pushim i mirë, do të ndikojë në zhvillimin mendor dhe fizik të fëmijës. Pra, është tërësisht e qartë se sasia e duhur e gjumit ndihmon në ruajtjen e shëndetit dhe mbrojtjen kundër infeksioneve.

4. Aktiviteti fizik i domosdoshëm

Aktiviteti i rregullt fizik tek fëmija juaj, është çelësi për të pasur një trup të shëndetshëm dhe për të shmangur sëmundjet e ndryshme. Aktiviteti fizik ndihmon në ndërtimin e shëndetit të mirë, duke arritur një qarkullim gjaku të mirë dhe duke ndihmuar furnizimin e tërë trupit me oksigjen. Frymëmarrja e thellë, ajri i pastër dhe rrezitja mbushin trupin me oksigjen. Aktiviteti fizik, ndikon në ekuilibrin e peshës trupore, normalizimin e proceseve metabolike në organizëm, zvogëlon rrezikun për shfaqjen e problemeve metabolike, kardiovaskulare dhe proceseve malinje. Nxisni fëmijët të jenë më larg teknologjisë dhe më afër sportit dhe aktivitetit fizik, aq më mirë nëse këto aktivitete zhvillohen në grup dhe në ambiente të jashtme. Do të ishte mirë, që fëmijët të kalojnë një kohë jashtë, ashtu që rrezet e diellit të përshpejtojnë absorbimin e vitaminës D, e cila është shumë e rëndësishme për kockat dhe sistemin imun.

5. Pakësimi i marrjes së ëmbëlsirave dhe sheqerit

Konsumi i tepërt i sheqerit dhe ëmbëlsirave, zvogëlon numrin dhe funksionin e qelizave të bardha të gjakut, të cilat ndihmojnë për të luftuar infeksionet e ndryshme dhe për të rritur efikasitetin e sistemit imunitar. Përveq kësaj, sheqeri është gjithashtu përgjegjës për sëmundje tjera, duke përfshirë diabetin dhe problemet kardiovaskulare. Është e domosdoshme të evitoni përdorimin e produkteve me përqindje të lartë të sheqerit. Në këtë mënyrë, ju do të kontribuoni në forcimin e imunitetit të fëmijës dhe mbrojtjen e tij nga infeksione të ndryshme.

6. Sigurohuni që fëmija të merr lëngje mjaftueshëm

Sigurohuni që dieta e përditshme e fëmijës suaj, të përfshijë një sasi të mjaftueshme të lëngjeve, në formën të ujit, qumështit apo lëngje frutash të pasura me vitamina. Ofroni fëmijës fruta dhe pije nga frutat e shtrydhura. Mbani fëmijët larg nga pijet e gazuara, apo ato me shtesa të ndryshme. Nëse fëmija juaj është në procesin e gjidhënies, deri në muajin e gjashtë, nuk ka nevojë për shtesa tjera, përpos qumështit të gjirit.

7. Marrja e acideve yndyrore të pangopura

Trupi i fëmijës suaj, për të qëndruar shëndetshëm, ka nevojë për një sasi të caktuar të acideve yndyrore të pangopura. Ato veprojnë në forcimin e sistemit imunitar, duke rritur aktivitetin e qelizave të bardha të gjakut, si dhe në mbrojtjen e trupit gjatë reagimit ndaj infeksionit.
Këto yndyra i marrim përmes llojeve të ndryshme të peshkut (ton ose salmon ), të cilët natyrshëm janë të pasura me omega-3 acide yndyrore. Gjithashtu edhe lajthi, arra ose fëstekë.

8. Marrja e vitaminave dhe mineraleve të nevojshme

  •  Vitamina C – kryeson listën, kur bëhet fjalë për forcimin e imunitetit. Ajo rritë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut, nivelin e interferoneve, proteinat natyrore të prodhuara nga qelizat imune në përgjigje të virusëve, parazitëve dhe qelizave tumorale. Ka rol të jashtëzakonshëm në ndihmesën e sistemin imunitar në betejën ndaj infeksioneve të ndryshme. Rritë prodhimin e qelizave të bardha të gjakut, të cilat luftojnë kundër infeksioneve, por edhe nivelin e interferonit, antitrupit i cili është i bashkangjitur në sipërfaqen e qelizës, duke parandaluar futjen e virusëve në të. Gjithashtu, zvogëlon rrezikun nga sëmundjet kardiovaskulare dhe rritë nivelin e kolesterolit HDL (të mirë) dhe zvogëlon nivelin e kolesterolit LDL (të keq).Njihet edhe si mbrojtës nga radikalet e lira në organizëm dhe është antioksidant i fortë. Dozën e nevojshme ditore të vitaminës C është më mirë ta merrni nga ushqimet natyrale, se sa si suplement.
  • Frutat janë një burim i mirë i saj si: limoni, portokalli, papaja, kivi, luleshtrydhet, apo perimet, sidomos specat, brokoli dhe lakra. Kjo vitaminë, për shumë arsye gjendet në majën e listës të nutrientëve imunogjenë.
  •  Vitamina D – sistemi imunitar nuk mund të aktivizohet pa praninë e saj. Funksionet bazë të vitaminës D rregullojnë sistemin imunitar, rregullojnë rritjen e qelizave dhe ekuilibrin hormonal. Plotësimi i vitaminës D, është i zakonshëm në të ushqyerit neonatal. Mënyra më e mirë për marrjen e vitaminës D është nga ekspozimi në diell. Përmes ushqimit këtë vitaminë mund ta merrni tek llojet e peshkut si salmon dhe ton, qumështi, vezët, kërpudhat, drithërat, lëngu i portokallit, gjizë pa kripë.
  • Vitamina E – është një antioksidant i rëndësishëm, që kontribuon në forcimin e imunitetit tek fëmijët. Ajo stimulon prodhimin e T-limfociteve dhe qelizave natyrore vrasëse, që kërkojnë dhe shkatërrojnë bakteriet. Sasi të mjaftueshme të vitaminës E mund të merren nga një dietë të pasur me fara, vajra bimore dhe drithëra.
  • Zinku – rritë prodhimin e qelizave të bardha të gjaku, të cilat luftojnë kundër infeksioneve. Burime të zinkut janë: drithërat e pasura, fasulja, mishi i lopës, mishi i qurës.
  • Vitaminat B- këto vitamina përbëjnë grupin e 8 vitaminave të lidhura mes vete, të cilat në natyrë ndodhen në burime të bimëve dhe të kafshëve. Burime të pasura me vitamina B janë: perimet me gjethe të gjelbërta, drithërat integrale, patatet, bishtajat, arrat, mëlçia dhe mishi i thatë.
  • Magneziumi është mineral jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i nevojshëm për shumicën e reaksioneve në organizëm, mes tjerash është transport i glukozës dhe forcues i sistemit imunitar. Mund të merret përmes ushqimit, si tek bajamet ,farat e susamit dhe lulediellit, bananet, djathi, farat e kungullit dhe të lirit, miell tërshëre, brokoli, bizele misër i ëmbël.

9. Mos i ekspozoni fëmijët tuaj tek pirja pasive e duhanit

Nëse në shtëpinë tuaj pihet duhani, fëmija juaj do ekspozohet direkt ose indirekt me mbi 4000 toksina. Fëmijët janë më të ndjeshëm se sa të rriturit ndaj efekteve të dëmshme të pirjes së duhanit pasiv, sepse ata marrin frymë më shpejt dhe sistemi i detoksikimit të fëmijëve është më pak i zhvilluar. Në raste të tilla do kemi më shpesh infeksione tek fëmija juaj si bronhiti, astma si dhe çrregullime tjera neurologjike. Nëse nuk keni kurajon për të lënë pirjen e duhanit si prindër edhe për hir të fëmijës i cili tashmë ka ardhur në jetë, atëherë pini duhan sa më pak dhe vetem jashtë shtëpisë.

10. Mos përdorni antibiotikë pa arsye të qartë

Pjesa dërmuese e sëmundjeve në moshën e fëmijërisë janë të shkaktuara nga infeksionet virale. Çdo përdorim i panevojshëm i antibiotikëve, vetëm do komprometoj sistemin imunitar dhe do të krijojë rezistencë ndaj antibiotikëve në të ardhmen. Evitoni përdorimin e panevojshëm të antibiotikëve, mos e vrisni të ardhmen imunitare të fëmijëve tuaj.
Insistoni nga mjeku të dini arsyen e saktë të përdorimit të antibiotikëve dhe kjo të dokumentohet më analiza ose ekzaminime përkatëse./FamiljadheShëndeti.com